fbpx

Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e Kosovës

Republika e Kosovës ka presidentin e gjashtë me radhë që nga paslufta. Ajo është Vjosa Osmani. Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë, shkruan Kallxo.com.

Ajo në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, menjëherë pasi u zgjodh në këtë pozitë, tha se sot është “ditë e Kosovës dhe demokracisë së saj”, duke shtuar se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe, transmeton REL.

“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur me 14 shkurt po jetësohet”, tha ajo.

Në pjesë të fjalimit të saj Osmani-Sadriu, ua kushtoi vajzave dhe grave të Kosovës.

“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë me zell. Pa marrë parasysh nëse ëndërroni të bëheni presidente, juriste, ndërmarrëse, police, ushtare apo çdo profesion tjetër, që ua do zemra, mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo gjë është e mundur e çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet dhe për këtë duhet të besojmë bashkë fort. Do t’ju mbështes me gjitha mundësitë që kam e me gjithë qenien time”, tha Osmani.

Presidentja u bëri thirrje politikanëve në Kosovë, që të ndërtojnë kulturën politike të bashkëpunimit dhe tolerancës. “Nuk janë kohë të lehtë, sfidat janë të shumta veçanërisht ajo me pandeminë e cila kërkon që të bëhemi bashkë për ta luftuar”, tha Osmani.

Ajo u zotua se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

“Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcojë shtetin tonë, republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantojë mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetëshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbrojë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit”, tha Osmani.

Me 70 vota për në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar.

9 vota ishin të pavlefshme.

Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e partisë Lëvizja Vetëvendosje, doli personi më i votuar në vend me mbi 300 mijë vota.

Vjosa Osmani ishte pjesë e LDK-së deri para pak kohësh, kur u shkarkua nga pozitat udhëheqëse në këtë parti.

Osmani është e martuar dhe ka dy vajza. Para se të bëhet presidente, ajo ushtroi detyrën e shefes së shtetit pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button