RMV, Kuvendi votoi për huazimin për tramvaj në rrota, Shilegov thotë se në qershor do të publikohet tenderi për trasenë nga Gjorçe Petrovi deri në Novo Lisiçe

Deputetët të premten e miratuan ligjin për huazim tek Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të futur në përdorim tramvaj në rrota në Shkup. Kështu, pas procedurës parlamentare disa muajshe, Qyteti i Shkupit më në fund mund të fillojë implementimin e projektit për transport të shpejtë me autobus (BRT). Huaja nga BERZH-i do të jetë 70 milionë euro dhe siç thotë kryetari i Shkupit Petre Shilegov, Qeveria së shpejti do ta nënshkruajë marrëveshjen e huazimit, shkruan sdk.mk, njofton Portalb.

“Pasi Parlamenti e miratoi ligjin mbi huazimin, është hapur dera që Shkupi përfundimisht të ketë transport publik modern dhe mirë të organizuar. Pres që në afatin më të shkurtër të mundshëm të nënshkruhet marrëveshja midis Qeverisë dhe BERZH-it, me çka edhe zyrtarisht do të krijohen mundësitë që të fillojnë procedurat e furnizimit dhe implementimit të transportit të shpejtë me autobus. Ekipet e Qytetit dhe NQP ‘Shkupi’ edhe deri tani kanë punuar në përgatitjen e dokumentacionit teknik. Me nënshkrimin e marrëveshjes krijohen mundësi formale që të vijnë konsulentët e BERZH-it të cilët duhet ta përpunojnë dokumentacionin teknik, me çka do të shpalleshin edhe procedurat e furnizimit, të cilat do t’i zhvillonte banka”, thotë Shilegov.

Zgjidhja ideore e trafikut tashmë është bërë nga ekspertë nga Manastiri, Shkupi, Beogradi, Londra dhe Brukseli. Shilegov thotë se kjo zgjidhje do të jetë baza për dokumentacionin e tenderit.

“Pritshmëritë e mia janë që deri në fund të qershorit, të krijohen mundësi për të shpallur tenderin. Është me rëndësi të theksohet se në kuadër të BERZH, ky projekt është regjistruar si një projekt i gjelbër dhe financohet brenda rrjetit të qyteteve të gjelbra, anëtar i të cilit është Shkupi. Për mua dhe për Shkupin, është e rëndësishme se ky është verifikim i politikave ekologjike të cilat i krijon Qyteti dhe që përfundimisht pas 40 vitesh do të fillojë të zbatohet ky projekt strategjik për qytetin”, thotë Shilegov.

Projekti “Futje në përdorim të transportit të shpejtë me autobusë në Qytetin e Shkupit” përfshin krijimin e dy linjave me korridore që janë të rezervuara vetëm për autobusët nga Gjorçe Petrov në Novo Lisiçe dhe nga Buteli deri në Kisella Vodë, duke e shkurtuar kohëzgjatjen e transportit të udhëtarëve dhe duke zvogëluar ndotjen e ajrit.

Traseja nga Gjorçe Petrovi deri në Novo Lisiçe do të jetë me gjatësi prej 12,81 km në një drejtim, do të ketë 21 stacione të autobusave dhe 2 terminale, në zonën industriale në Gjorçe Petrov dhe në lagjen Novo Lisiçe. Sipas vlerësimeve fillestare, numri i përafërsishëm i udhëtarëve që do ta përdorin këtë trase do të jetë rreth 65.000 në ditë. Me implementimin e fazës së parë, pritet që koha e udhëtimit nga 70 minutat e deritanishme pritet që të zvogëlohet për më shumë se 50 për qind, të rritet frekuenca e autobusëve në 3-4 minuta. Autobusët do të jenë me hibrid në gaz dhe me gjatësi prej 18 metrash. Koha e nevojshme që një automjet ta kalojë zrasenë nga Gjorçe Petrovi deri në Novo Lisiçe ose anasjelltas do të jetë 35 minuta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button