Sot vazhdon seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës

Sot në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë seanca për zgjedhjen e presidentit të vendit, kjo pasi në seancën e së shtunës nuk u arrit të votohet presidenti i ri, sepse dështoi për mungesë të kuorumit, transmeton RTK.

 

“Seanca do t’i vazhdojë punimet, më 4 prill në orën 17:00”, tha kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin. Kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.

Të pranishëm në sallë ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në nisje të seancës ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe deputeti Bedri Hamza, por më pas ata lëshuan sallën.

Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas përfundimit të seancës, tha se Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja, për fajin, siç tha ajo, të tre deputetëve të LDK-së, që nuk morën pjesë në votimin për presidentin, transmeton REL.

“Ndoshta kanë mundësi të reflektojnë. Po flasim për disa orë sonte dhe deri nesër pasdite. Shpresojmë se do të ketë reflektim nga ata deputetë dhe nga ata që nuk ishin prezentë në sallë”, tha Kusari-Lila.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button