Ndërmjetësit e ‘sinqertë’

Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA po përjetojnë një krizë besimi pas vonesës së dërgimit të vaksinave dhe fushatës së zbehtë të imunizimit në Ballkanin Perëndimor.

Vakumi i shumë pritur tashmë është plotësuar nga Kina, Rusia dhe padyshim një rol kryesor me ndikim ka luajtur Serbia. Politika ballkanike e cila rrënjësisht ka ndryshuar që kur pandemia filloi dhe fushata e dezinformimit përfshiu jo vetëm Ballkanin, qytetarë nga Maqedonia e Veriut (MV) vërshuan drejt Serbisë për tu vaksinuar ashtu si para 70 vjetëve kur republikat e reja të ish- Federatës Jugosllave kërkonin mbështetje nga Beogradi, përshkak të avancimeve që kishte arritur Serbia në disa fusha dhe nevojës që kishin republikat për ndihmë nga Beogradi për të ngritur qendra spitalore dhe për kuadro serbe.

Bashkimi Evropian si aktor kryesorë, që nga prilli i 2020-ës ka derdhur miliona euro për Ballkanin dhe MV, ndërsa kjo e fundit si duket nuk gjeti kohë të bëjë përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe në fund u detyrua të rikthehet përsëri nën ndikim rus, kinez dhe serb për vaksina si anëtare e NATO-s. Vërshimi drejt Serbisë është një tregues i varëshmërisë së ish- republikave jugosllave nga prodhimi dhe inovacioni serb ose nga mundësia e depërtimit më të lehtë të shtetit serb në tregjet botërore dhe qendrat e vendimmarrjes.

Argumenti tjetër i kritikëve se ja edhe shtetet e BE-së po porosisin vaksina ruse ose kineze, është i zbehtë pasi MV-ja dhe shtetet që janë prodhim i diplomacisë amerikane të viteve të 90-ta dhe pas, po lëvizin drejt krijimit të një Boshti Qendror Ballkanik (BQB) me një drejtues siç është Serbia e cila shërben si nyjë tani dhe në të ardhmen për ndërhyrjet, investimet ruso-kineze, propagandën kundër SHBA-së dhe njëkohësisht duke shpartalluar shtetet fragjile multi-etnike të rajonit.

Këtë nyjë si duket për arsye të angazhimeve globale dhe të brendshme nuk mund ta shkatërrojë SHBA-ja dhe Gjermania, sepse Rusia dhe Kina janë në epërsi dhe popullata është e lidhur ngushtë me ndjenjën sllave dhe trimërisë së dikurshme sovjetike. Këtu duket e çuditshme se si faktori amerikan ka dështuar me diplomacinë publike ku flamujt rusë dhe kinezë bashkë me avionët transportues kombëtarë kanë treguar krenarinë e “fuqisë së butë” në shtetet anëtare të NATO-s. Presidenti amerikan Joe Biden premtoi një angazhim global amerikan me vaksina përveç Covax-it, megjithatë një e tillë është shumë larg për shtetet që presin ndihmë nga SHBA-ja.

Nga ana tjetër qeveritë përshkak të korrupsionit dhe paaftësive për të siguruar vaksina, kanë krijuar një lidhje varëshmërie nga shtetet që i përmendëm më lartë. Me dëshirë apo jo, aleanca e re ruso-serbe-maqedonase e vëllazërisë do të vazhdojë të paraqesë pengesa të reja për konsolidimin e demokracive të reja në Ballkan. MV ka rrëshqitur në këtë bosht të ri apo aleancë si anëtare e po një aleance tjetër dhe kjo është absurde, pasi pozicioni i shtetit dhe refuzimi i vendeve fqinjë për të pranuar si komb maqedonasit, janë kombinime që do ta varësojnë edhe më shumë Shkupin nga Beogradi dhe kjo natyrisht do ta forcojë diplomacinë ruse në Ballkan dhe MV si një ndërmjetës jo i sinqertë. As SHBA dhe BE nuk e kishin menduar se përkundër ndihmave të drejtpërdrejta, nuk do të mund të fitonin “zemrat” dhe “mendjet” e qytetarëve maqedonas dhe serbë. Rusia këtë gjendje të re me dekada e ka ëndrruar kur popullata e fragmentuar e një shteti anëtar i NATO-s do të përçahet në politikat publike. Mund të duket se Serbia, Rusia apo qoftë edhe Kina janë ndërmjetës të mirë, megjithatë ashtu siç tha presidenti Stevo Pendarovski, vërshimi i qytetarëve të MV-së drejt Serbisë për vaksina është një turp për qeverinë. Tani përveç turpit, shtetet që hynë pa vullnet apo me vetë dëshirë në këtë bosht, do të duhet të pranojnë se siguria e brendshme do të jetë pjesë e diskutueshme në të ardhmen nga aktorët që nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij boshti rajonal që filloi me vaksinat.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button