Kriptovalutat në Maqedoninë e Veriut, Banka Popullore sqaroi sa i rrezikshëm dhe i ligjshëm është përdorimi i tyre

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka dhënë sqarime për disa dilema në lidhje me përdorimin e kriptovalutave në vend, por duke theksuara se sqarimet bazohen në bazë të situatës aktuale dhe zhvillimeve globale, transmeton Portalb.mk.

“Në vendin tonë, ashtu si në vendet tjera, çështja e emetimit, investimit dhe tregtimit me kriptomonedha nuk është e rregulluar, duke përfshirë edhe në Ligjin për Punë me Deviza (dhe aktet e tij nënligjore) i cili i rregullon edhe operacionet në vendet e huaja. Sidoqoftë, kjo nuk e bën punën e kriptomonedhave të paligjshme, por për momentin është e parregulluar”, deklarojnë nga Banka Popullore.

Banka vlerësoi që “kriptomonedha” nuk njihet si term ligjor në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë vlerat e tyre nuk garantohen nga një bankë qendrore.

“Kriptomonedhat nuk janë depozita, nuk janë të garantuara dhe nuk ekziston ndonjë mekanizëm përmes të cilit klientët do të kompensohen. Prandaj, nëse platforma përmes të cilës tregtohen ose subjekti i cili i ka emetuar ndonjë kriptomonedhë dështon, nuk ekziston asnjë mekanizëm për të kompensuar zotëruesit e kriptomonedhave”, paralajmërojnë nga Banka.

Për shkak të kompleksitetit dhe anonimitetit të tyre, Banka Popullore vlerësoi që transaksionet me kriptomonedha kanë nivel më të lartë të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa kriptomonedhat nuk janë mjet ligjor i pagesës në vendin tonë, d.m.th nuk lejohet të paguhet me kriptomonedha.

“Kriptomonedhat nuk kanë ndonjë pamje specifike në ndonjë formë fizike, përfshirë këtu as në formë të kartëmonedhave ose monedhave. Ato janë në format dixhital dhe në momentin kur fitoni kriptomonedha, ato vendosen në të ashtuquajturin portofol dixhital në kompjuterin, laptopin, pajisjen për ruajtje të jashtme dhe/ose telefonin tuaj të zgjuar dhe transferohen lehtësisht përmes internetit”, deklarojnë nga Banka.

Banka theksoi që vetëm në disa vende kriptomonedhat mund të përdoren si mjete pagese, por në një masë të kufizuar. Theksohet gjithashtu që disa banka qendrore tashmë kanë projekte aktive për të përcaktuar nevojën e emetimit të monedhave sovrane në formë digjitale, sikurse Banka Qendrore Evropiane aktualisht po kryen një studim dhe analizë për digjitalizimin e euros, ndërsa për denarin digjital nuk ka aktivitete.

“Aktualisht, Banka Popullore nuk ka autoritet për të rregulluar krijimin, posedimin ose tregtimin me kriptomonedha nga agjentët ekonomikë vendas. Ajo nuk na ndonjë rol mbikëqyrës lidhur me kriptomonedhat, pavarësisht nëse ato janë përfituar përmes një procesi të ashtuquajtur konfirmim (ang. mining) ose investime në to”, sqarojnë nga Banka Popullore.

Disa nga rreziqet e theksuara nga Banka janë: ndryshime të konsiderueshme në çmimin e tregut të kriptomonedhave janë të mundshme në një periudhë të shkurtër kohe, duhet të jenë të vetëdijshëm se vlera e kriptomonedhës mund të jetë zero, mundësia e të ashtuquajturve sulme hakerësh, bllokim i portofolit digjital të klientit për shkak rrezikut për pastrim të parave ose financimin e terrorizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button