fbpx

Barcelona nuk heq dorë nga futbollisti i Interit

Plani B i Barcelonës është Lautaro Martinez. Nëse drejtuesit e klubit blaugrana nuk ia dalin mbanë për të bindur norvegjezin Erling Haaland atëherë krerët e klubit të famshëm katalanas do të shënjestrojnë sulmuesin e Interit Lautaro Martinez, raporton SS. Për hir të së vërtetës kjo lloj zgjidhjeje nuk është se ka konsensus të plotë, por sidoqoftë në pamje të parë 23-vjecari nga Bahia Blanca duket si një alternativë më e drejtë dhe shumë më e mundshme se sa ajo e bomberit të ri norvegjez.

Në kryesinë e klubit ka ende dyshime të mëdha nëse Lautaro Martinez do të jetë pikërisht futbollisti që do t’i japë Barcelonës vazhdimësinë e nevojshme në fazën sulmuese, por gjithsesi Lauti po përmirësohet gjithmonë e më tepër dhe përmbush shumë kritere për të veshur fanellën e Barcës. Mbi të gjitha 23-vjecari argjentinas duket edhe një objektiv shumë më i lehtë, duke patur parasysh faktin që drejtuesit e Interit janë të shtrënguar për të shitur lojtarë, në merkaton e kësaj vere, natyrisht për të përmirësuar bilancet e klubit.

Prioriteti i Barcelonës mbetet përfshirja në grup e një sulmuesi të nivelit shumë të lartë për sezonin e ardhshëm dhe sigurisht sulmuesi i ri nordik i përmbush më së miri këto kushte, duke qëndruar në krye të listës së dëshirave të drejtuesve më të lartë të Barcës, sidoqoftë krerët e klubit blaugrana janë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e mëdha që paraqet një operacion i tillë. Problem përbën pikërisht pozicionimi i Borusias së Dortmundit dhe dëshira e kuptueshme e drejtuesve të verdhezinjve për të mbyllur cdo telash financiar, nëpërmjet shumës së majme që pritet të përfitohet natyrisht nga shitja dhe transferimi i 20-vjecarit norvegjez, që ka lindur në Angli, në Qytetin e Lidsit.

Dëshira e krerëve të Barcës dhe kushtet e vëna nga klubi i mirënjohur nga Westfalia përputhen në fare pak pika dhe e vërteta është që diferencat për momentin janë shumë të mëdha. Pikërisht për këtë arsye nuk përjashtohen zgjedhjet e tjera alternative dhe drejtuesit e klubit katalanas kanë kthyer vëmendjen sërish nga sulmuesi argjentinas i Interit. Në këtë drejtim krerët e klubit nga Katalunja bënë përparime të mëdha sezonin e kaluar, por gjithsesi plani fillestar u braktis, për shkak të diferencave të mëdha në aspektin ekonomik. Te Barca ndihen më të qetë në këtë drejtim, duke marrë në konsideratë faktin që Lautaro Martinez-it i pëlqen Barcelona si opcion, përsa kohë vijon të luajë aty bashkëkombasi i tij Lionel Messi. “El Toro” njihet shumë mirë me Mesin, teksa ka zhvilluar plot 21 ndeshje me përfaqësuesen argjentinase, që nga viti 2018, duke realizuar madje edhe 11 gola në total me fanellën albiceleste, gjatë kësaj periudhe të shkurtër.

Operacioni Lautaro Martinez kuptohet që është shumë më pak i kushtueshëm se sa opsioni tjetër Erling Haaland, për më tepër krerët e klubit blaugrana kanë besim të plotë se do të jenë në gjendje për ta ulur ndjeshëm cmimin e sulmuesit argjentinas, që ka një klauzolë largimi prej 111 milionë euro. Domosdoshmëria që ka klubi zikaltër për të shitur lojtarë përgjatë verës së ardhshme pritet të influencojë ndjeshëm, pa harruar gjithashtu faktin që te Lautaro bëhen bashkë cmimi dhe cilësia, që e shndërrojnë padyshim 23-vjecarin e përfaqësueses argjentinase në një ndër sulmuesit më të lakmuar në tregun e futbollistëve.

Pra dëshira e Lautaro Martinez-it për t’u zhvendosur në zemër të Katalunjës nuk mungon, gjithsesi problem përbën fakti që trajneri aktual, holandezi Ronald Koeman nuk është fare dakord me sektorin sportiv të klubit, pasi mendon se Lauti nuk përputhet me filozofinë dhe lojën e Barcës, e kjo duket se është edhe arsyeja kryesore përse një operacion i tillë vazhdon të mbetet i ngrirë, kështuqë duke patur parasysh edhe humbjet e jashtëzakonshme, që kapin shifrën e 1 miliardë eurove gjithcka mund të marrë jetë dhe të finalizohet vetëm atëherë kur të konsiderohet përfundimisht si i paarritshëm objektivi kryesor i klubit blaugrana, Erling Haaland.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button