RMV, Kuvendi vendosi, regjistrimi i popullatës do të fillojë më 5 shtator

Pas debatit dy-ditor, me parimin e Badenterit, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 95 vota për dhe 12 kundër e ka shtyrë procesin e regjistrimit të popullatës për më 5 shtator 2021, njofton Portalb.mk. Nuk kishte vota të përmbajtura, ndërkaq në seancë u zhvillua debat i nxehtë për diasporën, megjithatë u vendos vetëm për ndryshim të datës.

“Për shkak të nevojës për imunizim të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për shkak të gjëndjes aktuale të shkaktuar nga virusi Kovid-19, është propozuar që Regjistrimi që duhet të zbatohej nga 1 deri më 21 Prill të vitit 2021 të shtyhet, gjegjësisht i njëjti të zbatohet periudhën prej 5 deri më 30 shtator të këtij viti.” është vendimi që u miratua nga Kuvendi, në bazë të Ligjit të propozuar me procedurë të shkurtuar.

Ligji do të hyjë në fuqi pasi të nënshkruhet nga presidenti Stevo Pendarovski dhe do të botohet në “Gazetën Zyrtare”.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, instruktorët rajonal dhe regjistruesit e përzgjedhur dhe të emëruar në pajtim me Ligjin ndalojnë së punuari. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, aktet individuale me të cilat janë zgjedhur dhe emëruar instruktorët dhe regjistruesit rajonalë si pjesëmarrës në zbatimin e regjistrimit ndalojnë të vlejnë.

Debat për diasporën

Pikë përplasëse mes deputetëve ishte çështja nëse diaspora do të regjistrohet ose vetëm do të evidentohet. Por ndryshime ligjore nuk ka, kjo çështje mbetet ende e hapur mes debateve partiake, në seancë u vendos vetëm për ndryshim të datës.

Opozita shqiptare mbeti kundër shtyerjes së regjistrimit. Nga ana tjetër, opozita maqedonase ishte “për” shtyrjen e regjistrimit por mbetën kundër regjistrimit të diasporës.

“Deri një ditë para takimit, BDI-ja me të gjithë funksionarët e saj deshi ta përvetësojë edhe atë numër të diasporës që u regjistrua, gati se 200 mijë. Dhe të nesërmen dolën dhe thanë se është interes kombëtar i shqiptarëve që të shtyhet regjistrimi. Jo, nuk është interes kombëtar, sepse e dimë ne se shumë institucione dhe organizata etnike maqedonase kanë kërkuar shtyrjen e regjistrimit”, theksoi Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

“Ne mbesim në qëndrimin se popullsia rezidente dhe diaspora janë terme të ndryshme. Mbesim në qëndrimin që popullsia rezidente duhet të regjistrohet kurse diaspora mund të evidentohet. Dihet saktë se çfarë do të thotë kur dikush jeton më gjatë se 12 muaj jashtë vendit, çfarë do të thotë popullsi e shpërngulur…”, tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

“Ju nuk keni mekanizma për ta detyruar diasporën të regjistrohet. Maksimumi që mund të bëni për diasporën është t’i evidentoni. Tani e shohim se si në mënyrë jo të barabartë, njëra diasporë regjistrohet, në mënyrë jo të barabartë me tjetrën, ajo diasporë për të cilën aparati shtetëror bën fushatë që të regjistrohet”, tha Borisllav Kërmov nga “E Majta”.

“Ju nuk do të ndaleni me fushatën por as ne nuk do të ndalemi me fushatën. Fushata jonë do të vazhdojë për ta vazhduar regjistrimin e diasporës sepse shihet se qarqeve të cilat duan të kenë hendek të madh mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pikërisht diaspora shqiptare u pengon më së shumti”, tha Arta Bilalli Zendeli, BDI.

Përplasje dhe mes Zaevit dhe Mickoskit

VMRO-DPMNE do ta njohë regjistrimin e popullsisë rezidente që është në Maqedoni midis 5 dhe 30 shtatorit, pjesa tjetër është evidentim i diasporës. Ky është pozicioni i VMRO-së edhe tani edhe në të ardhmen, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski për TV21. Ai shtoi se migrantët me shtetësi të Maqedonisë nuk duhet të regjistrohen, por kur bëhet fjalë për zgjedhjet ata kanë të drejtë të votojnë.

“Por regjistrimi është diçka tjetër. Ata që kanë kanë paraqitur vendbanimin në vende të tjera janë të regjistruar në vende të tjera dhe nuk mund t’i regjistrojmë 13 herë. Rezultate të tilla nuk do të pranojmë.  Edhe sipas metodologjisë së Eurostatit, dihet se çfarë nënkupton evidentim i diasporës, dhe se çka është saktësisht regjistrimi i popullsisë rezidente dhe familjeve”, tha Mickoski.

Nga ana tjetër kryeministri Zoran Zaev i është kundër përgjigjur Mickoskit, duke thënë se për diasporën gjithmonë kanë nevojë jo vetëm për t’i votuar.

“Çdokush ka mundësi të luajë me numra për arsye politike, por se nuk është e drejtë të na duhet diaspora kur duhet të na votojnë, por të mos na duhet kur na jep para, kur duhet të regjistrohen, kur ndihmon familjet. Diaspora është populli ynë. Sot është jashtë, nesër do të jetë këtu. Ndoshta dikush nga ne do të jetë jashtë nesër, ndërsa diaspora do të jetë këtu. Ky është populli ynë. Ne po regjistrojmë gjithë popullin tonë, pavarësisht a janë brenda ose jashtë vendit”, tha sot Kryeministri Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me deklaratën e Hristijan Mickoski se diaspora duhet të evidentohet dhe jo të regjistrohet.

Maqedonia gati dy dekada pa regjistrim

Përndryshe, Regjistrimi i popullsisë u prit të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021, por liderët maqedonas Zaev dhe Mickoski në takim liderësh ranë dakord që regjistrimin ta zhvillojnë nga 5 deri më 30 shtator. Regjistrimi i diasporës filloi nga një marsi.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button