Seanca për presidentin në Kosovë, pas ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, do të mbahet pas seancës për ndryshimin e Ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme, tha shefja e Grupit Parlamentar të partisë më të madhe në kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, raporton REL.

Në një konferencë për media, ajo tha se tashmë kanë bërë kërkesë zyrtare që me procedurë të përshpejtuar të bëhen ndryshimet në këtë ligj, përmes së cilave synohet që diasporës t’u mundësohet votimi në ambasadat e Kosovës dhe nëse lejojnë afatet kohore, seanca për presidentin do të thirret të premten.

“Varësisht nga afatet kohore do të procedojmë me kërkesën e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit”, tha Kusari-Lila.

Ajo konfirmoi se për postin e presidentit tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit dhe se për këtë post kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy këta kandidatë, ishin pjesë e Listës së Vjosa Osmanit, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në kuadër të Listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga vullneti i shprehur i deputetëve të Republikës kemi konfirmimin se janë 80-të të vullnetshëm që të marrin pjesë në procesin e votimit. Përderisa, ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodhë brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëtit që do të qëndrojnë prapa konfirmimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.

Më 22 mars është konstituuar kuvendi dhe po të njëjtën ditë është zgjedhur edhe qeveria e re. Qeveria e Kurtit mori mbështetjen e 67 deputetëve. LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button