fbpx

Verifikimi i fakteve është një punë e përgjegjshme, u mundëson qytetarëve që të marrin vendime në bazë të informacioneve të sakta

Verifikimi i fakteve është vetëm një pjesë e vogël e luftës kundër dezinformatave, e cila është mjaft e vështirë dhe e mundimshme në epokën digjitale dhe ndikimin në rritje të rrjeteve sociale në jetën tonë. Ky është përfundimi i diskutimit të sotëm në panel me rastin e 2 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, të organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Fondacioni “Metamorfozis” është anëtar i Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve që nga fillimi dhe ne si organizatë e kemi njohur rëndësinë e luftës kundër dezinformatave shumë herët dhe gjithmonë përpiqemi të luftojmë kundër pasojave të dëmshme të dezinformatave përmes mjeteve, projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme. Megjithatë, verifikimi i fakteve është një pjesë shumë e vogël, por e rëndësishme, e këtyre aktiviteteve, të cilat synojnë jo vetëm t’i zbërthejnë informatat e rreme, por edhe t’i luftojnë pasojat e tyre. Kjo është një luftë shumë e vështirë dhe e mundimshme, veçanërisht tani në internet kur burimet e dezinformimit janë të shumta dhe të llojllojshme”, tha Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”.

Ai përkujtoi fillimet kur Fondacioni filloi me verifikimin e fakteve në vitin 2011, kur vetë verifikimi i fakteve nuk ishte aq i popullarizuar dhe praktikohej shumë pak, megjithëse sipas Jasharit, gjithnjë është dashur të jetë praktikë e mediave më serioze dhe profesionale.

“Me dashje ose pa dashje, verifikimi i fakteve barazohet me censurimin, gjë që nuk është e vërtetë. Verifikimi i fakteve është një punë e përgjegjshme që bazohet në një metodologji të paracaktuar, e cila nuk synon të imponojë një të vërtetë absolute, por përkundrazi, të mundësojë debat në tema të ndryshme duke u përballur me tema dhe argumente të ndryshme, me qëllim që të mundësohet liria e shprehjes”, shpjegoi Jashari, me ç’rast shtoi se roli i verifikuesve të fakteve është t’u mundësojnë qytetarëve që të informohen si duhet, t’i njohin burimet e besueshme të informacionit dhe të marrin vendime duke u bazuar në informacione të verifikuara dhe të sakta.

Diskutimi i sotëm në panel u organizua me rastin e 2 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve

Filip Stojanovski, menaxher i projektit “KriThink” i paraqit përvojat nga tre vitet e realizimit të projektit dhe siç tha ai, ajo që “KriThink” po bën është pjesë e një procesi global.

“Ne filluam me të ashtuquajturin “verifikim të fakteve politike”, gjegjësisht verifikimin e fakteve ose deklaratave që kanë të bëjnë me premtimet politike, por më vonë e kuptuam se edhe mediat kanë një rol të rëndësishëm dhe kjo është arsyeja pse e krijuam Shërbimin e Verifikimit të Fakteve, i cili bazohet në zbatimin praktik të parimeve të gazetarisë etike. Në ndërkohë, kjo u bë një trend global, kështu që ne ishim të parët në rajon, së bashku me disa partnerë të tjerë që e krijuam Rrjetin Ballkanik për Luftimin e Dezinformatave. Duke punuar në këto fusha, kuptuam se përveç vetë verifikimit të fakteve dhe punës me gazetarët, duhet të punojmë edhe me publikun e gjerë, sepse vetë verifikimi nuk mjafton për t’iu kundërvënë çdo lloj dezinformimi, ndërsa vetë propaganda nuk merret me fakte, por me një tjetër lloj manipulimesh, veçanërisht me manipulim të emocioneve”, tha Stojanovski.

Ai sqaroi se në kuadër të projektit “Mendim kritik për qytetarët me shkathtësi mediatike – KriThink”, i cili zbatohet

në bashkëpunim me EUROTHINK, dhe mbështetet nga BE-ja, përveç avancimit dhe zgjerimit të aktiviteteve për përhapjen e edukimit mediatik përmes verifikimit të fakteve, përfshin dhe aktivitete për ta sjellë edukimin mediatik më pranë qytetarëve jashtë Shkupit, të cilët përballen me të njëjtin lloj problemesh, por kanë më pak burime për informim dhe verifikim të fakteve.

Si më të rëndësishëm ai e përmendi bashkëpunimin me “Facebook”-un, i cili i referohet programit të verifikimit të fakteve nga palët e treta.

Redaktori për verifikimin e fakteve në gjuhën maqedonase dhe kryeredaktori i “Vërtetmatës”-it, VlladimirPetreski foli në diskutimin në panel dhe i sqaroi metodologjitë për verifikimin e fakteve, dhe si e para në kuadër të Fondacionit “Metamorfozis”, e përmendi pikërisht atë përmes Shërbimit për verifikimin e fakteve.

“Verifikimi i fakteve nuk dallon shumë nga verifikimi standard që e bëjnë gazetarët kur krijojnë lajme, reportazhe, storje. Dallimi është se në këtë kontekst, verifikuesit e fakteve e bëjnë atë pas publikimit të tekstit ose kronikës”, shpjegoi Petreski.

Elida Zylbeari, redaktore e verifikimit të fakteve në gjuhën shqipe në “KriThink” dhe kryeredaktore e Portalb.mk, tha se verifikimi i fakteve gjatë kohës së pandemisë është shumë i rëndësishëm, pasi me këtë me të vërtetë mund të shpëtohet ndonjë jetë njeriu, veçanërisht kur në media dhe në rrjetet sociale shpërndahen informacione në lidhje me ilaçe të ndryshme, kundër vaksinave ose mosbesim në institucionet shëndetësore, në mënyrë që qytetarët të mos vizitojnë mjekun e të ngjashme.

“Nëse më duhet të bëj një përmbledhje, mund të them se dezinformimi është i ngjashëm si në mediat maqedonase ashtu edhe në ato shqiptare. Para krizës së koronës, ekzistonin dezinformata të ndryshme në lidhje “ilaçet popullore” ose barnat për kancerin ose sëmundjet e tjera. Mediat shqiptare në vend kryesisht ndikohen nga mediat shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria, ashtu sikurse mediat maqedonase që ndikohen nga mediat serbe dhe bullgare”, tha Zylbeari.

Ajo theksoi se shpesh ndodh që komentet të futen në tekste, gjë që është e papranueshme sepse ato janë dy zhanre të ndryshme të gazetarisë. Zylbeari vuri në dukje se përvoja nga recensioni dhe verifikimi i fakteve në kuadër të KriThink, tregon se ndër problemet kryesore është ai se gazetarët, me dashje ose pa dashje, i fusin pikëpamjet e tyre në tekste, e pikërisht “KriThink”-u përmes recensioneve vë në dukje se ku dhe kur gazetarët nuk duhet ta bëjnë këtë, në përputhje me Kodin Etik të Gazetarëve.

Gazetarët dhe aktivistët në të gjithë botën e shënojnë për herë vit të pestë Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve të iniciuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve. Në përgjigje të valës së dezinformatave që lidhen me pandeminë e Kovid-19, motoja e këtij viti është “verifikimi i fakteve mund të shpëtojë jetë dhe unë i mbështes verifikuesit e fakteve” (Fact-checkingcan save livesand I supportfact-checkers).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button