DUDUMËT E SHQIPTARISË

„Si vendosen në Shqipëri dudumët“ është prozë e fuqishme satirike e ndërtuar nga 5 letrat e imagjinuara që këmbehen në mes Selim Gucit dhe Nalim Vesh-gjatit. Ky lloj shkrimi pëlqehej prej Faik Konicës, sepse i mundësonte një liri të plotë shpërthimi, një qerasje me dushe të akullta cinizmi të protagonistëve të konceptuar për antipodë të vetvetes. Titulli i shkrimit është sugjestiv dhe sjell në vetëdijen e lexuesit dukuri të ngjashme të së shkuarës dhe të së tashmes sonë ngjyrë gri. Prozat e këtilla me tipare karikature dhe të vajtueshme njëkohësisht, e kanë begatuar letërsinë me prototipa zuzarësh e mohsash të atdheut, të cilët, për mjerimin, paradoksin dhe marren tonë janë katëgoria më e përhershme e politikës shqiptare, kudo që bëhet ajo.

Përmbajtja e shkrimit në fjalë është me nota të forta humori që shpërfaqin idiotësirat e dudukëve. Fillimisht Nalim Vesh-gjati i propozon Selim Gucit të shkojë me mision në Shqipërinë indipendente, me premtimin që, nëse do ta kryejë me sukses, do të jetë i levërdishëm edhe materialisht.

Ne jemi shqiptar n’emër, i shkruan Nalimi Selimit. Shqipëria tani është indipendente dhe siç mësoj guvern’ e saj preferon njerës që venë së këtejmi, me konditë që këta të tregohen shqiptarë të flaktë, me profka për të hedhur hy në sy të popullit. Tani po të jetë se ti nisesh që këtë javë për Tiranë dhe atje impersonon dhe tregohesh një nacionalist i zjarrtë, duke gënjyer me politika të nënrogozta, me lajka, fiton besimin e klikave dhe emërohesh ministër (çfarëdo ministri që të jetë) këtu të pret një çek prej 500 lirash turke…

Selim Guci e pranon hapekrah propozimin dhe i shkruan mikut për përgatitjet që bën për nisjen e suksessshme të detyrës prej diplomati:

Sot mora ca dizga që të mësoj mustaqet të më rrinë përpjetë. Po kërkoj të gjej dhe dy feste të kuqe, po pa xhufka se ashtu mbahen andej. Pasdreke do marr një bastun, një palë gjyzylyke që të dukem i merituarshëm kur të arrij atje…

Në vijim Guci i ankohet Vesh-gjatit se ka pak telashe me gjuhën e shtrembër shqipe që s’i hy në kokë fare, po kjo nuk paraqiti ndonjë pengesë që atij t’i ofrohet ministria e arsimit, të cilën nuk e deshi. Atë më shumë e tërhoqi çanta e mbushur e ministrit të financave, që, natyrisht, iu dha. Pas këtij suksesi, që nuk mund ta arrinte kaq kollaj as në cepet më afrikane të rruzullit tokësor, Guci i shkroi me entuziazëm Vesh-gjatit:

Jemi të gjithë tanët në Kabinet, kemi nja dy nacionalistë veprojmë e bisedojmë, hamë e pimë bashkë në Hotel internacional. Kemi ca njerëz të zot të punës, këta i paguajmë dhe shkruajnë në gazetat që mbahen prej nesh çdo gjë që ndihmon për t’i zënë sytë popullit. Shqipeja më duket shumë e rëndë për ta mësuar…, po ne me dekrete po fusim ca fjalë të rea dhe për s’afërmi kemi shpresë ta kthejmë në një gjuhë Qinezo-klasike!

Unë jam rekllamuar si një organozator i mbaruar në financa. E zeza Vano! Nuk e dinë të gjorët se në dituri financash jam m’i vobektë se agaj që shiti një barrë dru në trek dhe vajti të pyesë mikun e tij në mori të holla të mjafta!

Kështu shkroi Konica në fillim të viteve të 20-ta, kur trojet shqiptare u bënë copash me vendimet arbitrare të konferencave të superfuqive të kohës dhe pak më shumë nga renegatët e inkuadruar me lehtësi të papërballueshme në politikën shqiptare. Për mjerim tonin shkrimi do të vazhdojë të jetë aktual për aq kohë sa në mesin e politikbërësve do të ketë veshgjatë dhe guca në shërbim të të tjerëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button