RMV, miratimi i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit vuan nga bllokada e Kuvendit

Mbrojtja e mjedisit jetësor në vendin tonë vuan nga bllokada e Kuvendit të RMV-së nga partitë opozitare. Megjithëse ato ishin planifikuar të miratohen nga deputetët deri në fund të marsit, paketa e gjashtë ligjeve për menaxhim të mbetjeve, ende nuk dihet se kur ato do të miratohen. Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor informon për “Meta.mk” se për momentin debati parlamentar për këto ligje, të cilat kanë “flamurin e BE”, nuk ka filluar, por është planifikuar të miratohet në një procedurë të rregullt në kuvend, raporton Portalb.mk.

Nga kjo ministri shpresojnë që këto ligje do të fillojnë të shqyrtohen në Kuvend në prill, duke shpresuar se do të fillojë edhe funksionimi i papenguar i Kuvendit. Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor kujton se Ligji për cilësinë e ajrit ambiental, Ligji për mjedisin jetësor dhe 6 ligje të tjera në fushën e mjedisit janë akoma në procedurë parlamentare, me të cilët, përveç ndryshimeve të tjera, rriten gjobat për kundërvajtje të kësaj natyre, ndërsa procedura për miratimin e ndryshimit në Ligjin për Kundërvajtje, e cila mundëson gjoba më të larta, nuk ka përfunduar. Edhe për këto ligje në fushën e mjedisit, nuk është e mundur të parashikohet nëse partitë politike do të bllokojnë miratimin e tyre si dhe kur do të përfundojnë të gjitha procedurat.

Të hënën, kryeministri Zoran Zaev zhvilloi një takim me udhëheqësin e opozitës Hristijan Mickoski, gjatë të cilit, ndër tjerash, ranë dakord që VMRO-DPMNE të mos bllokojë miratimin e ligjeve nga agjenda e reformave në lidhje me integrimin e vendit tonë në BE. Pikërisht me grupin e gjashtë ligjeve për menaxhimin e mbeturinave, bëhet transponimi (transferimi) i rregulloreve të BE-së në legjislacionin tonë. Sidoqoftë, një zgjidhje e tillë duhet të bien dakord edhe deputetët e Aleancës së Shqiptarëve dhe Alternativës, të cilët me mijëra amendamente e kanë bllokuar miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në Kuvend.

Vonesa në miratimin e paketës së gjashtë ligjeve për menaxhim të mbetjeve pothuajse me siguri nuk do të falet nga Komisioni Evropian, i cili në Raportin e tij të progresit 2020 qartë drejtoi kritika për rregulloret që nuk janë miratuar gjatë vitit të fundit, duke kërkuar që të miratohet sa më parë. Megjithatë, fakti më i rëndësishëm është se duke mos i miratuar këto zgjidhje ligjore, vuan mbrojtja e mjedisit, përkatësisht humbet mundësia e shtrëngimit të masave me të cilat do të parandalohet ndotja e hapësirës në të cilën jetojmë.

Paketa prej gjashtë ligjeve që kanë ngecur në Kuvendin e RMV-së përfshin: ligjin për menaxhim me mbeturinat; ligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit në menaxhimin e flukseve speciale të mbeturinave; ligji për menaxhimin e pajisjeve elektrike dhe elektronike dhe mbeturinave të pajisjeve elektrike dhe elektronike; projektligji për menaxhimin e flukseve shtesë të mbetjeve në sistemin për përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesve; projektligji për paketimin dhe menaxhimin e mbeturinave të paketimit; si dhe projektligji për menaxhimin e baterive dhe akumulatorëve dhe mbeturinave të baterive dhe akumulatorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button