Tetovë, ASh-AAA kërkon rregullimin e murit mbajtës në Banjën e Qytetit: Të parandalohen tragjeditë (VIDEO)

A është e nevojshme që dikush të humb jetën në mënyrë që autoritetet komunale në Tetovë të rregullojnë murin mbajtës në Banjën e Qytetit, kjo ishte pyetje të cilën aktivistët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ja parashtruan sot kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ata kërkuan që urgjentisht të ndërmerren masa për rregullimin e këtij problemi, shkruan Portalb.mk.

Adhurim Luta nga ky koalicion potencoi faktin se kjo rrugë nuk ka shumë kohë që është ndërtuar, megjithatë, nuk është e sigurt për qytetarët të cilët në numër të madh e frekuentojnë këtë pjesë të qytetit, sidomos ditëve të fundit.

“Jemi mbledhur këtu, në rrugën e Banjës së Tetovës, afër këtij muri mbajtës, i cili tash e ca vite, është shndërruar në një rrezik për jetën e qytetarëve. Dua të ua  kujtoj se rruga e Banjës së Tetovës është asfaltuar para pak vitesh, pra që nënkupton se është një rrugë e re, por që fatkeqësisht nuk është plotësisht e sigurt. Ky mur është gati për t’u rrënuar, ndërsa autoritetet komunale vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre vetëm me premtime të kota, pa nxjerrë asgjë në sipërfaqe” potencoi Adhurim Luta nga koalicioni ASh-AAA.

Nga ky koalicion i drejtuan pyetje kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për atë se kur kjo e fundit do ta shohë të arsyeshme që të rregullojë murin mbajtës i cili është gati duke rënë.

“Vallë kur do ta shohin të arsyeshme zbatimin e premtimeve që kanë bërë, për rregullimin e këtij muri? Sot që flasim, ende nuk kanë ndërmarrë as hapin më të vogël për rregullimin e këtij problemi. Apo mos duhet që dikush, qoftë ai i moshuar, i rritur apo fëmijë, të përfundojë i pa jetë poshtë gërmadhave të këtij muri, që komuna ta kuptojë seriozitetin e kësaj pune kundruall neglizhencës që po tregon?! Edhe sa kohë autoritet komunale do mbyllin njërin sy dhe njërin vesh, përballë këtij rreziku?” shtoi Adhurim Luta nga ASh-AAA.

Ndryshe, Portalb.mk ndër vite shkruan për këtë problem, ndërkaq nga Komuna e Tetovës nuk e mbajtën fjalën e dhënë se në muajin mars do të rregullojnë murin e rrezikshëm mbajtës në Banjën e Qytetit, të vetëdijshëm për nivelin e rrezikshmërisë, dy muaj më herët autoritetet komunale përmes Portalb bënë thirrje për kujdes të shtuar, deri në muajin mars. Sot që flasim, ende nuk kanë filluar punët për rregullimin e të njëjtit, rrezik përbëjnë shembjet anësore në gjithë rrugën ndërsa nga Komuna e Tetovës nuk dëshirojnë të përgjigjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button