Donjet Jahja, i riu i cili premton shumë në botën e artit (VIDEO)

Donjet Jahja është 15-vjeçari nga Tetova i cili premton shumë në botën e artit. Ambiciet e tij për këndim dhe modelim janë mbresëlënëse. Ai që në moshën gjashtëvjeçare ka filluar të merret me balet, ku më pas vazhdoi të merret edhe me kurse për instrumente muzikore. Donjeti deri më tani ka arritur të zotërojë pianon dhe kitarën. Në moshën 11-vjeçare Donjeti incizoi edhe coverin e tij të parë në gjuhën angleze. Më pas filloi të shkruajë edhe poezi. Ndërsa në vitin 2016 bashkë me ndihmën e mësueses së muzikës komponoi edhe këngën e tij të parë, shkruan Portalb.

“Kur fillova të luaj me kitarë e kisha më të lehtë  edhe  komponimin e muzikës. Muzikën, pra, e adhuroj. Për mua muzika është jetë, është mrekullia vetë. Përmes tingujve  të muzikës unë mund të përcjell  fjalët që s’do kisha  mundur t’i thoja kurrë. Kjo më shtyn dhe të mendoj që muzika të jetë ndoshta dhe profesioni im i ardhshëm. Si pasion të rradhës vlen të përmendi edhe modelimin e fustaneve dhe qepjen e tyre. Kam bërë disa  kreacione të fustaneve që i kam  dizajnuar vetë. Për këtë kam  marrë shumë komente pozitive nga të afërmit dhe nga shoqëëria ime.” tha Donjeti.

Interneti  është burim i jashtëzakonshëm i informatave nga më të ndryshmet dhe përdoret shumë nga njerëzit nga mbarë bota. Rrjetet sociale kanë ndikim të madh në përditshmërinë tonë.

“Duke pasur parasysh se jetojmë në kohën e rrjeteve sociale si medie dominante, mendoj që afirmimi i artistëve është më i shpejtë dhe i drejtëpërdrejtë nëpërmjet rrjeteve sociale. Për sa i përket çështjes së vlerësimit, mendoj që vlerësohen mjaftueshëm artistët në rrjetet sociale nga ana e shoqërisë së vet artistit.” u shpreh Jahja.

Pasioni i Donjetit është edhe modelimi. Ai këtë vit vendosi të bëjë një set fotografish të cilat u pëlqyen shumë nga të gjithë nëpër rrjetet sociale.

“Aktualisht  kam disa oferta për sete fotografish nga brende të ndryshme veshjesh. Gjithashtu jam duke i parë kushtet për t’u bërë pjesë e një agjencie të modës, si model, por, mendoj se gjërat duhet t’i marr më shtruar e mos të shpejtoj. Mua më pëlqen modelimi,  është bote e artit që më frymëzon e më motivon. Tash për tash do ngelet thjesht si pasion e me kalimin e kohës shohim e bëjmë, ndoshta kalon edhe në profesion. Jam në moshë të re,  kam jetën përpara meje. Pra, vetëm me punë e vullnet të mirë do të arrij deri te vendosshmëria për diçka që dua.” tha Donjeti.

This slideshow requires JavaScript.

Mesazhi i Donjetit për artistët e rinj është:

“Përgatituni sot për jetën nesër! Pra, te rinjtë së pari duhet të ndjekin ëndrrat e tyre, mos të lakmojnë të tjerët por të përqendrohen te vetja. Vetëm duke qenë vetvetja do të realizojnë atë që duan, do të jenë të lumtur, të hareshëm  dhe do të kenë një jetë pa brenga.” e përmbylli Donjet Jahja.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button