RMV, vaksinimi me AstraZenekan po zhvillohet mirë, momentalisht do t’ju jepet vetëm personave mbi 60 vjeç

Vaksinimi i qytetarëve më të moshuar me AstraZenekan po shkon mirë, tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, por në lidhje me pikëpamjet e Gjermanisë dhe Kanadasë, ai theksoi se kanë vendosur të jenë të kujdesshëm, të shkohet ngadalë dhe të pritet konfirmimin përfundimtar se vaksina është e sigurt, transmeton Portalb.mk.

“Vaksinimi i më të moshuarve nga ajo kategori kritike sipas Strategjisë Kombëtare të Vaksinimit ka filluar. Vaksinimi ka filluar në shumicën e qyteteve, ndërsa në qytetet tjera, përkatësisht në qytetet më të vogla, qendrat shëndetësore do të fillojnë të premten. Informacioni ynë është se deri më tani i gjithë procesi po shkon mirë. Nuk ka asnjë problem, deklaroi dje Filipçe.

Lidhur me vaksinën AstraZeneka dhe informacionin për vendimin e Gjermanisë dhe Kanadasë, duke pasur parasysh se janë raportuar raste të trombozës tek personat nën 55, gjegjësisht 60 vjet, Filipçe tha se ata duan të jenë shumë të kujdesshëm.

Duke marrë parasysh që një pjesë e qytetarëve janë vaksinuar në Serbi në periudhën e kaluar, ai sqaroi se tani për tani nuk ka rekomandime që diçka preventive duhet të bëhet nëse dikush ka marrë një dozë të vaksinës AstraZeneka.

Dje u konfirmua se në Maqedoni është regjistruar një rast me efekte trombotike te një vajze 28-vjeçare, që lidhet me marrjen e një doze të vaksinës AstraZeneka nl Serbi.

“Sidoqoftë, bëhet fjalë për raste shumë të rralla. Lidhur me rivaksinimin, të gjithë qytetarët që janë vaksinuar do të rivaksinohen në përputhje me rekomandimet që presim në periudhën e ardhshme. Pra, ne do të fillojmë me kategori të tjera të qytetarëve kur të jemi të sigurt që vaksinimi me këtë vaksinë mund të vazhdojë te të rinjtë, për çka tashmë po mbledhim të dhëna. Duke pasur parasysh gjithë këtë dhe qëndrimet e këtyre agjencive serioze të barnave, Gjermanisë dhe Kanadasë, do të jemi të kujdesshme dhe do të shohim në cilin drejtim do të vazhdojmë, theksoi Filipçe.

Ai nënvizoi se besonte se përfitimi i vaksinës për sa i përket rrezikut të zhvillimit të një forme të rëndë të Kovid-19 është shumë më i madh se rreziku i zhvillimit të një ndërlikimi të tillë.

“Nuk do të nxitojmë, i presim të gjitha rekomandimet nga institucionet zyrtare, përfshirë ndoshta disa rekomandime nga prodhuesi, shtoi Filipçe.

Ai theksoi se duhet të ketë vaksinim masiv pasi është një nga elementët kyç në luftimin e pandemisë, por, siç tha, sigurisht do t’i ndjekin rekomandimet nëse një grup moshë e caktuar duhet të jetë më e kujdesshme apo jo, apo duhet që eventualisht konsultohet mjeku përpara se të merret vaksina.

“Udhëzimet më të fundit nga Gjermania janë të tilla, por derisa nuk jemi të sigurt, nuk do ta fillojmë vaksinimin që kemi njoftuar për fillimin e javës së ardhshme të grupeve të tjera të qytetarëve që janë në grupin e dytë”, tha Ministri i Shëndetësisë.

Në Ministri kanë arritur një numër i madh thirrjesh dhe kërkesash nga persona që janë vaksinuar me vaksinën AstraZeneka, por Filipçe siguron se nuk ka vend për panik.

“Nuk duhet bërë asgjë parandaluese, të paktën tani për tani nuk ka rekomandime të tilla. Ashtu që, në atë kuptim, atëherë kur të arrijnë të gjitha informacionet, do të dalim me qëndrimin tonë definitiv, ndërsa deri atëherë nuk do të fillojmë me vaksinimin”, tha Filipçe.

Tani, thotë ai, është herët të thuhet nëse do të hiqetdorë, por thekson se nuk ka efekte anësore të regjistruara tek të moshuarit.

Lidhur me situatën në spitale, Ministri i Shëndetësisë theksoi se është shumë serioze, duke u kërkuar qytetarëve të respektojnë masat.

“Sistemi shëndetësor menaxhohet çdo ditë, sigurohen shtretër spitalorë, stafi mjekësor është plotësisht i mobilizuar, por situata në spitale është shumë e rëndë”, njoftoi Filipçe në profilin e tij në Facebook.

Prandaj, theksoi Ministri, është me rëndësi të madhe që qytetarët të respektojnë masat, të ndihmojnë në qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor, në betejën me pandeminë kovid.

Sipas të dhënave të djeshme nga Ministria e Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar të koronavirusit që trajtohen në repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin është 1.581, dhe ka rreth 260 shtretër të zbrazët në qendrat kovid.

Komisioni për Sëmundjet Infektive, sipas njoftimit të Filipçes, dje duhej të mbante takim, por theksoi që beson se nuk do të ketë masa të reja, pasi është konstatuar se asnjë kufizim shtesë nga ato që janë tani nuk mund të japë efekt.

“Shikojmë se çfarë po ndodh në shumë vende të tjera. Edhe në vendet ku kishte kufizime shumë më të mëdha se tonat, tani kishte gjithashtu valë shumë të fortë. Vendimet e përkohshme të karantinës për disa ditë nuk dhanë asnjë efekt dhe kjo mbështet tezën që kur ka transmetim lokal, e vetmja gjë që duhet të bërë është të respektohen masat aktuale”, shtoi Filipçe.

Sipas të dhënave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 4.445 teste, janë regjistruar 1.511 raste të reja me Kovid-19. 587 pacientë ishin shëruar, ndërsa numri i ë vdekurve ishte 32.

Momentalisht ka 19.262 raste aktive të Kovid-19. Që nga fillimi i epidemisë, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid ka arritur në 130.022, numri i pacientëve të shëruar është 106.979 dhe numri i vdekjeve është 3.781.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button