RMV, formalisht-juridikisht regjistrimi fillon sot, shtyrja nuk është votuar në Kuvend

Regjistrimi i popullsisë dhe familjeve, fillon sot, sipas Ligjit për regjistrim të cilin në janar e solli Kuvendi dhe i cili deri dje nuk është ndryshuar siç ishte rënë dakord të hënën, në takimin midis Kryeministrit Zoran Zaev me udhëheqësin e opozitës Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

Sot pritet përpjekje e re në Parlament për të caktuar seancë, në rendin e së cilës do të ishin vendosur ndryshimet e Ligjit për Regjistrim, të përgatitura nga Qeveria, të cilat parashikojnë shtyrjen e regjistrimit për në shtator, ashtu siç u dakorduan Zaevi dhe Mickoski.

Nga Enti Shtetëror i Statistikave nuk ka asnjë koment nëse regjistrimi duhet të mbahet apo të shtyhet derisa të përfundojë procedura në Kuvend. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, nga ana tjetër, tha se regjistrimi, sipas ligjit ekzistues, duhet të fillojë sot dhe nëse regjistruesit dalin në terren dhe mbledhin disa të dhëna, ato do të merren parasysh.

Nëse sot ligji futet në rendin e ditës, sipas tij, mund të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi është propozuar me procedurë të shkurtuar dhe me flamur evropian.

Pas koordinimit të djeshëm disa orësh me kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, mbërriti njoftimi se nuk ka kushte për fillimin e procedurës për ndryshimin e Ligjit për regjistrimin. Koordinatori i grupit parlamentar të ASh-AAA ishte kundër mbajtjes së seancës, pasi konsideron se shtyrja e regjistrimit për në shtator nuk është për shkak të gjendjes aktuale shëndetësore, por se bëhet fjalë për vendim politik.

“Edhe krahas këmbënguljes sime gjatë gjithë ditës për harmonizimin e qëndrimeve e të gjithë faktorëve politik në drejtim të arritjes së marrëveshjes dhe mbajtjes së të dyja seanca në të cilin do të votoheshin Propozim ligji për regjistrimin e popullsisë dhe Propozim Vendimi për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës, afati i të cilit theksoj kalon sonte në orën 24:00, nuk u arrit marrëveshje, Të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e RMV-së shprehën gatishmëri për mbajtjen e seancave përveç Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Për rrjedhën e mëtutjeshëm do të ju informojmë gjatë ditës së nesërme”,thuhej në reagimin e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Përndryshe, Zaev dhe Mickoski në takim liderësh të hënën ranë dakord që regjistrimin ta zhvillojnë nga 5 deri më 30 shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button