fbpx

RMV, ndërprerja e subvencionimit të qymyrit është kushti i parë për përballje të suksesshme me sfidat klimatike

Të mos stimulohet, as të subvencionohet përdorimi i qymyrit si lëndë djegëse, të rritet energjia nga burimet e rinovueshme, ndërsa gazi nuk duhet të konsiderohet si zgjidhje e mirë kalimtare, sepse është një lëndë djegëse prej fosileve. Këto janë disa nga përfundimet në lidhje me vizionin klimatik për Maqedoninë që u diskutuan në konferencën “Vizion dhe qëllime për përballje me ndryshimet e klimës 2030/2050”, e organizuar në kuadër të Konferencës kombëtare për ndryshime klimatike, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Qëllimet e planifikuara nga Marrëveshja e Parisit për të kufizuar rritjen e temperaturës nën 1.5 gradë, si dhe për të zvogëluar emetimet e gazeve serë me 7.6 % në vit, duhet të arrihen me përfshirjen më të madhe të shkencës dhe më pak politikës. Davide Sabadin nga Byroja Evropiane e mjedisit jetësor tha se domosdo duhet të ndërpritet financimi i lëndëve djegëse fosile, për shkak se për sa kohë që kishte disa subvencione ose ndihma shtetërore për ta, kjo do të ngadalësonte dekarbonizimin.

“Është e nevojshme të motivohen investimet private në drejtim të gjelbër, të dekarbonizohet ngrohja dhe ftohja e amvisërive me subvencione të përshtatshme, të merren parasysh parimet e ekonomisë qarkore dhe të mos ketë subvencione për lëndët djegëse fosile. Patjetër duhet të ketë mekanizëm për rregullimin e kufirit të karbonit dhe ndryshimi që do të bëhet nuk duhet të jetë në kurriz të kategorive më të cenueshme, përkatësisht amvisërive, sepse kjo nuk do të përfundojë kurrë”, tha Sabadin.

Sipas Viktor Berishaj nga CAN, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta transformojnë rajonin dhe t’iu afrohen qëllimeve të Bashkimit Evropian, siç konfirmohet nga Agjenda e gjelbër, me të cilën u zotuan t’i dekarbonizojnë vendet deri në vitin 2050.

“Në procesin e kufizimit të sasisë së emetuesve të gazrave serrë dhe zvogëlimin e përdorimit të qymyrit, duhet të merret parasysh edhe kërcënimi nga përdorimit të gazit, i cili si lëndë djegëse fosile nuk është zgjidhje afatgjatë. Për më tepër, në vendet e Ballkanit Perëndimor ku nuk ka infrastrukturë të zhvilluar të gazit, kjo mund të krijojë rrezik për investim në diçka që nuk mund të përdoret në afat të gjatë. Të gjitha vendet e rajonit duhet të mbyllin termocentralet me qymyr, posaçërisht Maqedonia KXE Manastiri, ndërsa duhet të punojmë për një plan të qëndrueshëm dhe alternativa në të cilat nuk ka gaz. Nuk ekziston diçka e tillë si lëndët djegëse kalimtare fosile, ose je pjesë e problemit ose e zgjidhjes”,  theksoi Berishaj.

Në të gjithë procesin e përballjes me sfidën e klimës, thekson ai, ne duhet të punojmë në kufizimin e kërkesës për energji dhe përdorimin e mençur të saj, si dhe veprime dhe bashkëpunim rajonal për të rritur energjinë e marrë nga burimet e rinovueshme. Është veçanërisht e rëndësishme që këto vende të ndalojnë investimin e parave të taksapaguesve në lëndët djegëse fosile, me çka ato vetëm mbahen në jetë, e nuk kufizohen.

Në Maqedoni, në veçanti, shumica e emetimeve vijnë nga sektori i energjisë, por ato gjithashtu rriten ndjeshëm nga sektorët e mbeturinave dhe transportit dhe më së shumti ndikojnë në cilësinë e ushqimit, ujit, shëndetit dhe biodiversitetit.

Sipas Elena Nikollovska nga “Eko-vetëdija” (Eko-svest), në përpjekjet e tij për t’i kufizuar ato, vendi ka miratuar tashmë Strategjinë për rnergji, me të cilën parashikohet braktisje e qymyrit si burim energjie, por parashikon gjithashtu gazin si burim kalimtar të energjisë. Është paraparë edhe tranzicion i “Osllomej”, ku në vendin e ish minierës duhet të instalohet central elektrik prej 120 megavat, si dhe mbyllja e KXE Manastiri.

“Në zhvillim e sipër është përgatitja e Planit kombëtar për energji dhe klimës, i cili e ndjek skenarin e gjelbër dhe është ambicioz. Ky plan parashikon rritje të burimeve të ripërtëritshme të energjisë deri në 38 % deri në vitin 2030, braktisjen e qymyrit deri në 2028, rritje të efikasitetit të energjisë në 34.5 %, kurse një nga masat që parashikon është tranzicion i drejtë,” theksoi Nikollovska.

Për momentin janë duke u punuar draft versionet e Ligjit dhe Strategjisë për veprim klimatik, për të cilat do të pasojnë  dëgjime publike muajin tjetër. Sipas Nikollovskës, atë që organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga institucionet në mesataren për trajtimin e ndryshimit të klimës janë qëllimet më të larta në uljen e emetimeve, pjesëmarrjen në paketën e politikave klimatike, investimet në teknologji inovative, rritjen e transparencës e tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button