Protesta kundër “rasteve të montuara” në Shkup, Ajdari: Kërkojmë drejtësi evropiane (VIDEO)

Qytetarë të revoltuar me aktgjykimin për rastin “Monstra” dhe “rastet tjera të montuara” marshuan sot në mënyrë paqësore prej parkut të Çairit deri para ndërtesës së Qeverisë. Protestuesit kërkuan “drejtësi evropiane” dhe i bënë thirrje Qeverisë që të krijojë komision qeveritar i cili do të merrej me “rastet e montuara”, raporton Portalb.mk.

“Liri”, “barazi” dhe “demokraci” ishin thirrjet më të shumta të qytetarëve të cilët sot në Shkup dolën ta shprehin revoltën ndaj “rasteve të montuara”, në mesin e të cilëve përmenden “Monstra”, “Alfa”, “Almiri”, “Komunave”, “Brodeci”, “Besir Bela dhe Skender Demiri” dhe raste tjera.

Protestuesit u mblodhën në parkun e Çairit dhe filluan marshimin duke mbajtur një transparent “Drejtësi për rastin “Monstra”. Protestuesit në mënyrë paqësore marshuan duke bërë thirrje për drejtësi dhe për t’iu bashkëngjitur qytetarët. Në afërsi të urës në “Bit Pazar”, disa protestues shpalosën një flamur shqiptar gjigand, të cilin e valëvitën deri tek ura “Goce Dellçev”.

Para Qeverisë, kryetari i Këshillit Organizativ për protestat për “Monstrën”, Bedri Ajdari, tha se po kërkojnë drejtësi evropiane.

“Ne këtu, nuk po kërkojmë lëmoshë, por po kërkojmë drejtësi, drejtësi evropiane, e jo drejtësi politike. Drejtësi evropiane ku krimi nuk dallohet nga përkatësia etnike, por nga vepra e bërë, ndërsa në ketë shtet, për veprat e bëra, kërkohen shqiptarë që t’u montohen ato. Pikërisht kështu ndodhi me Sopotin, Alfën dhe në fund me rastin “Monstra”, ku udhëheqës politik kërkuan dhe gjetën shqiptar për t’ua veshur rastin dhe përmes deklaratave të dhunshme dhe me “dëshmitarë të koduar” t’i dënojnë pa pikë faji”, tha Ajdari.

Ajdari lexoi deklaratën e protestës me çka i kërkoi Qeverisë:

  1. Urgjentisht të lirohen të gjithë të arrestuarit nga protesta e kaluar, sepse edhe arrestimi dhe dënimi i tyre ishte politik dhe me qëllim të mbylljes së zërit protestues.
  2. Të merren masa ndaj policëve që provokuan protestat e fundit duke hedhur gur mbi protestuesit.
  3. Thërrasim Qeverinë që të themelojë komision qeveritar i cili do të merret me të gjitha lëndët e montuara politike dhe të evidentohen të gjitha këto raste veç e veç.
  4. Ky Komision t’i drejtohet Kuvendit që nëpërmjet të krijimit të Kornizës ligjore të mundësojë që me ligj këto raste te rishqyrtohen veçmas dhe të merren parasysh të gjitha rrethanat.
  5. I drejtohemi edhe faktorit ndërkombëtar (BE dhe SHBA) që të ushtrojnë trysni ndaj qeverisë që të krijohet një trup i pavarur Juridik (i përbërë edhe nga prokurorë ndërkombëtarë) i cili trup do te merrej me të gjitha rastet e montuara politike, të cilat do të merrnin epilog juridik që drejtësia për këto raste të vijë në vendin e vet.

Para të pranishmëve dhanë deklarata edhe familjarë të “rasteve tjera të montuara”.

FOTO GALERI NGA PROTESTA

This slideshow requires JavaScript.

Ndryshe kjo është protesta e dytë, prej shqiptimit të aktakuzës për rastin “Monstra”, me të cilën u dënuan 3 persona me burgim të përjetshëm, një me 15 vjet burg, një me 9 vjet burg, ndërkaq njëri u lirua.

 

Protesta e paraprake u mbajt më 26 shkurt, ndërkaq policia atë ditë, vendosi kordonë policore te QT “Mavrovasja”, për çka dhe protestuesit e revoltuar u përleshën me policinë. Për këtë, 3 persona janë dënuar me nga një vit burg, ndërkaq njëri me 8 muaj burg. Proces gjyqësor po zhvillohet edhe për 4 persona të tjerë, nën akuzën se kanë marrë pjesë në “turmë e cila do të kryejë vepër penale”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button