Takimi i Zaevit me grupin parlamentar të opozitës ishte konstruktiv por pa marrëveshje për nënshtetësinë

Takimi i sotëm mes kryeministrit Zoran Zaev ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, Bojan Mariçiq dhe Oliver Spasovski dhe përfaqësuesve të grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës ka përfunduar pa marrëveshje. Megjithatë të dy palët pas takimit, deklaruan se ai ishte konstruktiv dhe së shpejti do të ketë takim të ri për përafrimin e argumenteve sa i përket çështjes së nënshtetësisë, që ishte edhe tema e vetme e këtij takimi, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri Zaev tha se, të dyja palët duhet të shqyrtojnë argumentet e njëra tjetrës dhe më pas të takohen sërish brenda një jave.

“Kemi pasur një takim pune konstruktiv, në të cilin përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv patëm mundësi t’i dëgjojmë argumentet e propozimit nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternaiva, të përfaqësuar nga deputetët e tyre. Për një pjesë të çështjeve gjetëm menjëherë zgjidhje, por për pjesën më të rëndësishme të çështjeve konkluduam se Qeveria duhet t’i shqyrtojë argumentet që u elaboruan nga ASH dhe AAA, ashtu siç ata duhet t’i shqyrtojnë argumentet që u ofruan nga ana e ministrave adekuat. U morëm vesh që për një javë apo më herët, menjëherë të kthehemi në bazë të atyre argumenteve, pasi duhet të shqyrtohen që të gjendet zgjidhje e përhershme, ashtu edhe tek ato, grupi parlamentar t’i shqyrtojnë detajet që të mund të gjejmë zgjidhje”, tha Zaev.

Kryeministri shtoi se përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv propozuan që, si dëshmi të merret një dëftesë e njërit prej anëtarëve të familjes së aplikuesit.

“U morëm vesh që, qytetarët që kanë certifikatë, përkatësisht që janë lindur këtu është një problematikë, qytetarët që marrin nënshtetësi me natyrshmëri është problematikë tjetër dhe si të veprojmë. Kështu që, unë besoj se nëpunësit do të punojnë në mënyrë intensive, para së gjithash administrata publike dhe pushteti ekzekutiv që t’i shqyrtojë të gjitha këto propozime që i kanë dhënë ASH dhe AAA, por gjithashtu pres që ata t’i shqyrtojnë të gjitha argumentet që u dhanë nga ministrat përkatës. Në atë mënyrë të gjithë do ta konfirmojmë se jemi për zgjidhje të përhershme që ata qytetarë që nuk kanë të marrin nënshtetësi dhe ajo të jetë sipas rregullativës evropiane për nënshtetësi, sipas rregullativës ndërkombëtare për nënshtetësi”, deklaroi kryeministri.

Edhe koordinatori i grupit parlamentar të ASH-AAA, Skender Rexhepi, i cili së bashku me deputeten Ilire Dauti, ishin pjesëmarrës në këtë takim, tha se konsiderojnë se janë në rrugë të mirë për gjetjen e zgjidhjes për të gjithë ata qytetarë që janë pa nënshtetësi deri tash.

“Gjatë gjithë diskutimit hasëm në mirëkuptim verbal nga ana e kryeministrit posaçërisht për gjetjen e një zgjidhje të mirë. Edhe ne si koalicion nuk jemi të interesuar që të jemi delja e zezë në kuadër të Kuvendit duke bllokuar sa e sa ligje vetëm për ta zhbllokuar ligjin për nënshtetësi, prandaj konsiderojmë se, pikat që diskutuam në takimin që sapo mbaroi janë të rëndësishme dhe do të duhet t’i diskutojmë të njëjtat edhe në kuadër të grupit bashkë me kryetarët e partie politike. Gjithsesi nga ana e Qeverisë kishte propozim për krijimin e një ligji me dispozitë kalimtare, të cilin ne do ta diskutojmë ndërsa, nga ana jonë jemi ata të cilët këmbëngulim që pavarësisht të gjitha rrethanave ne insistojmë që të ketë një zgjidhje ligjore për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë qasje që të kenë një jetë dinjitoze. Mendojmë se jemi në rrugë të mbarë dhe brenda javës ka gjasa që të ritakohemi duke i diskutuar të gjitha pikat të cilët ne mendojmë se, duhet të mbeten”, tha Rexhepi.

Në takimin e sotëm nuk është diskutuar për regjistrimin. Por, Rexhepi përsëriti qëndrimin e koalicionit se janë kundër shtyrjes së regjistrimit.

“Ne do ta promovojmë badenterin me çështje, që të vetëdijesohen deputetët shqiptarë të cilët janë në Kuvend se nuk guxojmë ne të lejojmë që dikush në tallje të marrë procesin e regjistrimit dhe duke kamufluar të njëjtin nga siguria epidemike shëndetësore të sjellën vendime politike. Është botërisht e ditur se arsyeja e shtyrjes është numri i madh i shqiptarëve që janë regjistruar në diasporë dhe numri shumë i vogël i papritur i maqedonasve që janë regjistruar në diasporë. Këtë ne e dimë shumë mirë. Madje, informacionet ishin që javën e kaluar aplikuesit dhe regjistruesit që kishin marrë vendimin për të qenë regjistrues u është thënë që javën e kaluar, është ditur se, do të prolongohet regjistrimit. Sepse, kjo frika e diasporës shqiptare e arriti të veten”, tha Rexhepi.

Takimi i sotëm vjen pasi, kryeministri, Zoran Zaev dhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski të hënën u dakorduan  rreth të gjithave temave të takimit tet-a-tet, ku nuk ishin pjesëmarrëse partitë shqiptare. Përkatësisht, ata arritën marrëveshje për prolongim të regjistrimit të popullsisë, rreth imunizimit të popullatës, zhbllokimit të Kuvendit dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat duhet të miratohen në Kuvend. Zaev tha se partnerët shqiptar të koalicionit i ka konsultuar përmes telefonit, ndërsa Mickoski u shpreh se në këtë moment nevojitet kualitet dhe jo kuantitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button