RMV, 28 vjeçarja me efekt trombotik pas marrjes së vaksinës AstraZeneka në Serbi

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sot përpara gazetarëve konfirmoi se në Maqedoni është regjistruar një rast me komplikime pas marrjes së vaksinës AstrZeneka, transmeton Portalb.mk.

“Te ne është regjistruar një rast te një vajze 28-vjeçare dhe prej ditës së djeshme është në spital me efekt trombotik, i cili lidhet me marrjen e një doze të vaksinës AstraZeneka,” tha Filipçe.

Sipas ministrit, vajza vaksinën e ka marrë në Serbi, ndërsa reagimi ndodhi gjashtë deri në shtatë ditë pas vaksinimit, ndërsa nuk ka pasur kundërindikacione të mëparshme.

Filipçe tha se mbetet vëmendja ndaj kësaj vaksine, veçanërisht pas reagimeve të autoriteteve në Gjermani dhe Kanada, dhe do të shihet se në cilin drejtim do të vazhdojë. Tani për tani, rekomandimi me AstraZeneka mbetet që të mos vaksinohen qytetarë nën 60 vjeç.

Filipçe gjithashtu informoi se sot ka pasur takim me Komisionin për Sëmundjet Infektive, por “mendon se nuk do të ketë masa të reja kufizuese”. Këtë mëngjes, ai, pas takimit me drejtorët e qendrave kovid,  në Facebook njoftoi se situata nëpër spitale është shumë e rëndë dhe u kërkoi qytetarëve të respektojnë masat anti-kovid.

Vaksinimi kundër covid-19 në Maqedoni filloi sot te personat mbi 77 vjeç me vaksinën e AstraZenekas të cilat në Maqedoni arritën disa ditë më parë përmes sistemit KOVAX.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button