MASh-i shpalli Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat ​​e mesme publike për vitin 2021/2022

Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot shpalli Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat ​​e mesme publike për vitin shkollor 2021/2022, sipas të cilit janë 30.053 vende të lira në 913 paralele në 109 shkolla të mesme, transmeton Portalb.mk.

Nga numri i përgjithshëm i vendeve të lira, 19.602 janë në arsimin profesional në 604 paralele, 9261 në gjimnaz në 274 paralele dhe 1.190 vende35 paralele janë për shkollat ​​e arsimit artistik, akademinë sportive, gjimnazi sportiv dhe gjimnazi matematiko-informatik.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska tha dje se fokusi është në arsimin e mesëm profesional dhe u bëri thirrje nxënësve ta zgjedhin, pasi siç tha ajo, është arsimimi i së tashmes dhe së ardhmes. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në shkurt organizoi fushatën “Mëso në mënyrë të mençur, puno profesionalisht” në komunat në të gjithë vendin, në bashkëpunim me odat ekonomike, autoritetet lokale dhe shkollat ​​e mesme, për të përcaktuar se cilat janë profilet e nevojshme për t’u hapur në një shkollë të caktuar ose se cilat duhet të vendosen në pauzë.

Bursat janë futur për t’i motivuar nxënësit që të regjistrohen në arsimin e mesëm profesional. Sipas Carovskës, 1.500 nxënës të cilët do të regjistrohen në paralelet e arsimit profesional me kohë të zgjatur me mësim praktik në kompani do të marrin 3.500 denarë në muaj gjatë vitit shkollor, 500 nxënës në vitin e parë të arsimit tre-vjeçar do të marrin gjithashtu 3.500 denarë për muaj, ndërsa për 200 nxënës të vitit të parë nga programet mësimore në inxhinieri elektrike, mekanike, ndërtimore, hotelierike, veterinare, tekstile, lëkurë do të sigurohet bursë prej 2.200 denarë.

Sipas afateve në konkursin e shpallur, paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të bëhet në një periudhë regjistrimi me tre aplikime në qershor. Paraqitja dhe regjistrimi i parë do të bëhet në 14 qershor nga ora 12:00 deri në 19:00, më 15 dhe 16 qershor nga ora 7:00 deri në 19:00 dhe më 17 qershor nga ora 7:00 deri në orën 15:00, sipas orarit të përgatitur nga shkolla.

Renditjet me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira do të shpallen më 17 qershor, testimi i kualifikimit do të organizohet në shkollat ​​e mesme më 21 qershor, ndërsa renditja përfundimtare me rezultatet do të shpallet më 21 qershor.

Paraqitja dhe regjistrimi i dytë i nxënësve do të bëhet më 23, 24 dhe 25 qershor, ndërsa paraqitja dhe regjistrimi i tretë do të jetë më 30 qershor 2021. Paraqitja për regjistrim në programin e Maturës Ndërkombëtare në shkollën e mesme “Josip Broz Tito “- Shkup do të bëhet nga 4 deri më 14 maj.

Konkursi i shpallur përmban kushtet për regjistrim dhe kriteret për përzgjedhjen e nxënësve, dokumentet e nevojshme për aplikim, si dhe udhëzimet për zbatimin e konkursit për regjistrimin e nxënësve në vitin e parë të arsimit të mesëm për vitin e ardhshëm shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button