fbpx

ATJE DHE KËTU… 

Nga mërgata përherë na kanë ardhur vetëm gjëra të mira.

Nga “jashtë” na ka ardhur ideja e lirisë.

Na ka ardhur nga Italia, Stambolli, Bukureshti, Kajroja, Sofja, Amerika, aty ku dikur vepronin kolonitë shqiptare.

Më pas na ka ardhur edhe nga vende tjera europiane, amerikane e përtej tyre.

Pa mërgatën, të djeshmen dhe të sotmen, nuk do të kishim shumëçka.

Historikisht, mërgimtarët tanë vetëm i kanë dhënë kombit e atdheut dhe nuk kanë kërkuar privilegje nga kombi dhe atdheu.

I kanë shërbyer kombit e atdheut me ndjenjën e idealizmës.

Mërgata ka luajtur rol vendimtar në të gjithë proceset politike e kulturore që kanë ndodhur në botën shqiptare dhe përherë na ka lehtësuar jetën tonë Këtu.

Mërgimtari ka shpirt prej misionari idealist.

Ai punon Atje dhe mendon edhe për ne që jemi Këtu.

Mërgimtari mbetet i huaj Atje dhe Këtu, që Kundera e përkufizon si pamundësia e kthimit dhe e ndërlidh me mitin e Uliksit.

Vendi i tij e do mërgimtarin vetëm kur sjell para; kur ka nevojë për të; kur i duhet zjarri i lirisë dhe solidaritetit, që përherë e ka mbajtur të ndezur në shpirtin e tij.

E do atë kur vjen nga larg për t’i votuar përfaqësuesit që atij nuk i duhen personalisht.

Ndërkohë, mërgimtari me forcat e veta ka bërë dhe bën përpjekje për të ngulitur në mendjen e brezit të ri që jeton Atje idenë e përkatësisë dhe gjuhës amtare edhe pse në atdhe ka ministri diasporash.

Mërgimtarët tanë u angazhuan me ndjenjë të lartë përgjegjësie edhe gjatë procesit të regjistrimit.

U angazhuan edhe për ne që jetojmë Këtu.

Për ne që dimë vetëm t’i zhgënjejmë.

Mërgimtarët përherë kanë punuar që Këtu jetën ta kemi më të lehtë.

Ata kanë bërë aq sa kanë mundur.

Ata nuk mund ta bëjnë prej Atje punën që ne nuk duam ta bëjmë Këtu.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button