Zaev duhet të takohet me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën: Do të bisedojmë për nënshtetësinë dhe regjistrimin

Kryeministri Zoran Zaev së bashku me ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, Bojan Miraçiq dhe Oliver Spasovski, paralajmëroi se sot në Kuvend duhet të takohet me përfaqësuesit e koalicionit opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që të gjejnë zgjidhje për zhbllokimin e Kuvendit, transmeton Portalb.mk.

Takimi vjen pasi të hënën, Zaev u mor vesh me liderin e VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski që të shtyhet regjistrimi. Por, me këtë nuk pajtohet opozita shqiptare, e cila paral ajmëroi se do të bllokojë shtyrjen e regjistrimit me parimin e badenterit. Ky koalicion ka bllokuar edhe ligjet e tjera në Kuvend me amendamente, duke kërkuar që të miratohet ligji për nënshtetësi.

Për këto tema Zaev sot do të duhet të bisedojë me përfaqësuesit e ASH – AAA, ndërsa dje u shpreh optimist me do të gjendet zgjidhje. Zaev tha se, nuk do të duhet të ketë arsye të bllokohet shtyrja e tij duke pasur parasysh se pikërisht këto parti paraprakisht kanë kërkuar që i njëjti të shtyhet për shkak të situatës me Covid-19.

Në lidhje me ligjin për nënshtetësi, Zaev ishte po ashtu optimist se do të gjendet zgjidhje.

“Sidoqoftë, qëllimi ynë është i qartë, duam që të gjejmë zgjidhje dhe t’i largojmë të gjitha mundësitë për bllokim sepse nuk bëhet fjalë për obstruksione, për mungesën e dëshirën për të gjetur zgjidhje, por për gjetjen e zgjidhjeve të përhershme të cilat nuk do të shkaktojnë problem më tej”, tha Zaev.

Ai paralajmëroi se me shumë gjasë do të duhet të komunikojë me liderët partiak Sela dhe Gashi, në prag të takimit, ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët dje thanë se akoma nuk janë të sigurt nëse do të takohen me kryeministrin.

“Nuk e dimë nëse duhet të ulemi me to në tavolinë. Por, ka organe partiake që do të vendosin sot. Kemi dilema partiake nëse vlen të ulemi me person i cili e ndryshon deklaratën pesë herë në ditë. Nuk është serioz dhe vështirë të gjendet zgjidhje e përbashkët me të. Atë që e premton sot, nuk e plotëson nesër”, tha Taravari.

Në ndërkohë, ndryshimet ligjore për prolongimin e regjistrimit mbrëmë kanë kaluar në seancë qeveritare dhe të njëjtat tani duhet të gjenden në seancë parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button