Kundërspin: Pandov godet me shkelma regjistrimin

Në aplikacionin elektronik të disponueshëm në: popis2021.stat.gov.mk dhe census2021.stat.gov.mk, të gjithë mërgimtarët jashtë vendit mund të regjistrohen. Të dhënat për personat e vetë-regjistruar janë të mbrojtura dhe do të deshifrohen vetëm pasi të ketë përfunduar regjistrimi. Pra, nuk dihet se çfarë kombësie janë dhe si e kanë deklaruar veten, kështu që as që mund të pretendohet se ata janë vetëm shqiptarë, shkruan Vertetmates.mk.

Sipas Ligjit për Regjistrimin, pjesëmarrja në regjistrim është e detyrueshme për çdo qytetar, dhe nëse dikush refuzon të regjistrohet, parashikohet gjobë. Sidoqoftë, nëse dikush bën thirrje për bojkot të regjistrimit, sipas Kodit Penal, ai rrezikon të marrë dënim me burg. Dhe kjo është arsyeja pse Pandov nuk bën thirrje të hapur për bojkot, por në një mënyrë provokuese tipike: “Të mos shoh regjistrues në derën time. Do t’i shkelmoj!!!”

Shkruan: Olivera Vojnovska

Analisti Aleksandar Pandov nga Instituti Patriotik i VMRO-DPMNE-së, duke reaguar ndaj njoftimeve për gjoba për bojkot të regjistrimit, bëri deklaratën vijuese në të cilën shihet spin-i:

Spin: Derisa në Republikën e Maqedonisë regjistrimi është term që do të thotë numërim të çdo shqiptari në botë dhe është një operacion politik në të cilin liderët e BDI-së udhëtojnë jashtë vendit me paratë e shtetit duke luftuar për secilin shqiptar të numëruar, dhe për të gjithë ne “të tjerët pakicat” regjistrimi nënkupton operacionin statistikor vetëm për popullsinë rezidente, e cila është nën kërcënime nga Zaevi dhe Apostoli, se do të ndiqen penalisht dhe dënohen me burg prej 5 vjetësh ose të tjerët me gjoba prej 300 eurosh secili nëse ata refuzojnë të regjistrohen, po ju them, të mos shoh regjistrues tek unë në derë. Do t’i shkelmoj!!!, tha Pandov.

[Burimi: Republika ; data:25.03.2021]

Kundërspin: Me reagimin e tij provokues, analisti politik Aleksandar Pandov krijon pamje të deformuar për regjistrimin, si operacioni më i gjerë statistikor, i cili u bë për herë të fundit në vitin 2002. Qasja e tij në të vërtetë përmban më shumë spin-e.

Së pari, regjistrimi nuk është operacion politik por statistikor, i kryer nga Enti Shtetëror i Statistikave. Fakti që individë dhe parti të caktuara përmes veprimeve të tyre duan t’i japin ngjyrë politike, është çështje tjetër.

Sipas Pandov, regjistrimi në Maqedoni është kthyer në “luftë për të numëruar çdo shqiptar që jeton jashtë vendit”. Ai gjithashtu ironizon se tek “pakicat tjera” – duke përfshirë qëllimisht maqedonasit në këtë grup, do të numërohet “vetëm popullsia rezidente“.

Kjo nuk është e vërtetë. Në aplikacionin elektronik të disponueshëm në: popis2021.stat.gov.mk dhe census2021.stat.gov.mk, kanë mundësi të regjistrohen të gjithë mërgimtarët, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare dhe etnike. Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) informon çdo ditë se sa njerëz nga diaspora janë regjistruar, për shembull dje (25.03.2021) kishte 6.600 të regjistruar të rinj. Dhe, siç u njoftua nga ESHS për 25 ditë, pasi filloi procesi i vetë-regjistrimit të mërgimtarëve, 143.755 qytetarë e shfrytëzuan këtë mundësi. Për momentin, mund të merren vetëm të dhënat se nga cilat vende janë personat, por jo të dhëna personale. Të dhënat për njerëzit që vetë-regjistrohen janë të mbrojtura dhe siç tha drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski, në paraqitjen e tij në emisionin “Vetëm e vërteta“, ata do të deshifrohen vetëm pasi të përfundojë regjistrimi. Pra, nuk dihet se çfarë kombësie janë dhe si janë deklaruar njerëzit, kështu që as që mund të pretendohet se ata janë vetëm shqiptarë. Kjo ngelet për t’u parë.

Gjithashtu, fushatën për regjistrimin nuk e drejtojnë vetëm politikanë të BDI-së dhe nuk kryhet vetëm për diasporën shqiptare, por për të gjithë mërgimtarët. Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, për shembull, dje në Bruksel kishte takim me përfaqësuesit e diasporës në lidhje me regjistrimin dhe nevojën që të gjithë njerëzit tanë jashtë të regjistrohen në mënyrë masive.

Por, Pandov qëllimisht i shtrembëron gjërat, i paraqet ato në mënyrë tendencioze dhe të gabuar, ndërsa ngriti pa nevojë atmosferën duke luajtur në kartën etnike.

MESAZHE PROVOKUESE???
Më tej, ai thotë se përveç shqiptarëve, të gjithë “pakicat e tjera” (dhe maqedonasit) “nën kërcënimet e Zaevit dhe Apostol (Simovskit) do të ndiqen penalisht me 5 vjet burg ose gjobë prej 300 eurove secili, nëse refuzojnë të regjistrohen”.

Edhe këtu Pandov e shtrembëron të vërtetën:

Regjistrimi kryhet në përputhje me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, viti 2021, i cili u miratua më 21 janar me 62 vota në Kuvend. Sipas këtij ligji, qytetarët janë të detyruar të pranojnë regjistruesit, të sigurojnë të dhënat e kërkuara dhe të ndajnë informacionin e nevojshëm. Gjegjësisht, pjesëmarrja në regjistrim është e detyrueshme për çdo qytetar. Dhe nëse dikush nuk e bën këtë, ligji parashikon gjobë, jo burg, siç thotë Pandov.

XIII. DISPOZITAT NDESHKIMORE DHE KUNDËRVAJTËSE

Shkelja e Regjistrimit

Neni 51

Gjobë në vlerë prej 200 deri 300 eurove në kundërvlerë të denarit, do të shqiptohet për personat fizik nëse ai refuzon të sigurojë të dhënat që kërkohen prej tij për Regjistrimin ose nëse siguron të dhëna të pasakta (neni 35 paragrafi (2) i këtij ligji).

Siç njoftoi këto ditë zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski (24.03.2021), sipas Kodit Penal, me dënim me burg mund të dënohet ai që bën thirrje për bojkot të regjistrimit.

Thirrja për bojkot dhe bojkoti i Regjistrimit është vepër penale. Është njëjtë si organizimi i rezistencës dhe mosbindjes ndaj vendimeve ligjore dhe masave të një organi shtetëror, të përfshira nga neni 387 i Kodit Penal dhe parashikon gjobë ose burg deri në 3 vjet për atë që organizon të tjerët në rezistencë dhe mosbindje. Nëse për shkak të veprës nuk është kryer ose zbatimi i vendimit ligjor është vështirësuar, ose nëse ai e kryen veprën si udhëheqës i një grupi, kryesi do të dënohet me burg nga 1 deri në 5 vjet, deklaroi Arsovski.

Që do të thotë se nuk ka të bëjë me frikësime dhe kërcënime nga “Zaevi dhe Apostoli”, por për respektimin e ligjeve dhe ai detyrim vlen për të gjithë qytetarët e RMV-së. Padyshim se Pandov e di këtë, por duke dashur të mbledhë pika politike, ai manipulon dhe rrotullon të vërtetën për regjistrimin, si burim i të dhënave të rëndësishme statistikore mbi bazën e të cilave në të ardhmen do të krijohet zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i vendit, i cili pas 19 vitesh mblodhi forcat për ta organizuar.

Për Pandov është gjithashtu e qartë se thirrja për të mos hapur dyert e regjistruesve mund të çojë në dënimin e tij, dhe për këtë arsye ai nuk bën një thirrje të hapur për bojkot, por në një mënyrë provokuese “shkelmon” regjistrimin dhe kështu dërgon mesazh provokues:

Të mos shoh regjistrues në derën time. Do t’i shkelmoj!!!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button