Palmer e porositi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut të përballet më mirë me korrupsionin, ndërsa kontesti me Bullgarinë të zgjidhet mes dy palëve

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit amerikan thotë se SHBA ndjenë moment të urgjencës dhe  i bëri thirrje BE-së të caktojë Konferencën ndërqeveritare për të hapur bisedimet e pranimit këtë vit, shkruan VOA.mk, njofton Portalb.mk.

SHBA presin që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të përballet më mirë me korrupsionin, sepse nga kjo do të varet nëse anëtarët e NATO-s do investojnë në vend apo jo, tha për Zërin e Amerikës Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Metju Palmer.

“Lufta kundër korrupsionit është një nga vlerat themelore të anëtarëve të NATO-s. Ppresim që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të bëjë një punë më të mirë në luftën kundër korrupsionit. Qytetarët e Maqedonisë Veriore e presin atë nga Qeveria e tyre. Sa më mirë që qeveria të trajtojë korrupsionin, aq më shumë do ta vendosë këtë problem nën kontroll dhe më shumë vende të tjera, përfshirë aleatët e NATO-s, do ta shohin Maqedoninë e Veriut si vend për të investuar, duke besuar se marrëveshjet do të respektohen, ku nuk do të ketë ryshfet, ku do të kenë kthim të arsyeshëm të investimeve në një mjedis të parashikueshëm, duke përfshirë edhe gjyqësorin”, tha Palmer.

Palmer përsëriti nevojën urgjente për të mbajtur Konferencën ndërqeveritare për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, duke kërkuar edhe një herë që mosmarrëveshja me Bullgarinë të zgjidhet në biseda dypalëshe.

“Ne ndiejmë moment të urgjencës. Besojmë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e merituan Konferencën ndërqeveritare, hapjen zyrtare të negociatave për aderim. Me të vërtetë duam ta shohim që kjo të dakordohet këtë vit”, tha ai, duke nxitur partnerët evropianë të marrin masat e nevojshme dhe të lejojnë të dy vendet të lëvizin ërpara.

“Duam të shohim se pengesat hiqen. Të dy vendet kanë bërë punë të vështirë, kanë përfunduar detyrat e shtëpisë dhe kanë bërë reformat e nevojshme. Mbajeni Konferencën ndërqeveritare dhe vendoseni këtë proces në rrugë të sigurt”, tha Palmer.

I pyetur se si i komentoi kërcënimet e Bullgarisë ndaj shërbimeve të sigurisë për të zgjidhur problemet e pretenduara të diasporës Bullgare në vend, Palmer tha:

“Ajo që ne duam të shohim është që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin çështjet në marrëdhëniet dypalëshe përmes dialogut, për t’i mbajtur ato probleme jashtë formateve shumëpalëshe, përfshirë NATO, dhe posaçërisht tani Bashkimin Evropian.” “Padyshim që askush nuk dëshiron të shohë një aleat të NATO-s, një partner të NATO-s duke kërcënuar një tjetër,” tha Palmer.

Dhe a duhet që qeveria të marrë përgjegjësi politike sepse është tashmë prill dhe imunizimi masiv i qytetarëve nuk ka filluar, Palmer tha:

“Përgjegjësia politike nuk është një çështje që Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin. Është me të vërtetë një funksion i institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut, përgjegjësia që Qeveria vendos t’ia demonstrojë elektoratit dhe që elektorati kërkon nga Qeveria. Është praktikë normale demokratike.”

Ai shtoi se Rusia dhe Kina i përdorin vaksinat si instrumente të ndikimit në një mënyrë shumë problematike.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira në këtë lloj vaksin-diplomaci. Ajo që Shtetet e Bashkuara po bëjnë është të mbështesin një mekanizëm shumëpalësh, konkretisht mekanizmin Kovaks. SHBA po kontribuojnë me gjithsej 4 miliardë dollarë në këtë përpjekje. Vaksinat Kovaks kanë filluar të dërgohen dhe unë shpresoj që në javët dhe muajt e ardhshëm Maqedonia e Veriut, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në fakt vendet rreth botës, do të përfitojnë nga programi Kovaks dhe qasje të nevojshme në vaksinat e sigurta dhe efektive”, tha ai.

Sipas tij, është e rëndësishme që shteti të organizojë regjistrim të popullsisë në përputhje me standardet e Eurostat, duke i bërë thirrje opozitës të mos bojkotojë dhe të bëjë punën për të cilën kanë zgjedhur qytetarët.

“Është e rëndësishme që opozita të paraqitet në parlament, të bëjë punën e saj, të përfaqësojë interesat e votuesve të saj, njerëzit që e zgjodhën atë për të përfaqësuar interesat e tyre. Bojkotet, bllokadat, mos kryerje e punës tyre, asgjë nga këto nuk çon në përparim”, tha Palmer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button