Pendarovski: Vaksinimi i shtetasve të MV në Serbi gjatë fundjavës së kaluar ishte turp për shtetin tonë, nuk guxon të përsëritet

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, në konferencën e mbajtur pas përfundimit të seancës së Këshillit të Sigurisë së RMV-së, tha se ka kërkuar shfrytëzimin e të gjitha resurseve në dispozicion, që të mundet çdo qytetarë ta marrë mbrojtje e domosdoshme shëndetësore dhe se shteti nuk guxon të lejojë që asnjë qytetar i yni të mos pranohet në mjekim spitalor, shkruan Portalb.mk.

Ai tha se është informuar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe se nga nesër do të fillojë imunizimi më masiv i popullatës dhe porositi se, nëse procesi i imunizimit nuk rrjedh siç është paralajmëruar apo nëse marrëveshja mes qeverisë dhe opozitës nuk respektohet, gjatë ditëve në vijim do të drejtojë gishtin publikisht drejt atyre që sillen në mënyrë të papërgjegjshme.

“Sipas asaj që e tha ministri, imunizimi do të fillojë nga nesër. Kërkova që kompetentët ta organizojnë procesin e vaksinimit në mënyrën më të mirë dhe ai operacion të vazhdojë deri në imunizimin e tërësishëm të popullatës. Nuk guxon të ketë ndërprerje në atë proces. Këtë nuk e kërkoj vetëm unë. Besoj se e transmetoj ndjesinë e shumicës së qytetarëve të Maqedonisë të cilët janë të pakënaqur prej asaj që e kemi bërë deri më tani në atë plan.  Fotografitë që i pamë fundjavën e kaluar në Serbinë fqinje e tregojnë më së miri këtë. Fotografi të tilla nuk guxojnë të përsëriten”, deklaroi Pendarovski.

Ai foli edhe për zhvillimet e fundjavës, kur një numër i madh i shtetasve maqedonas shkuan që të vaksinohen në Serbi, duke thënë se ajo është turp për shtetin e Maqedonisë së Veriut.

“Kuptohet falënderime ndaj Serbisë, por ajo ishte turp për shtetin tonë. Shteti duhet të gjejë mënyrë që t’i vaksinojë dhe t’u ofrojë mbrojtje shëndetësore qytetarëve të saj këtu. Është e saktë se si shtet jemi mbështetur në mekanizmin Covax, i cili u vonua më shumë se dy muaj me dërgesat, është e saktë se, u mbështetëm në fondin solidar të Bashkimit Evropian i cili edhe pse u paralajmërua për në janar, do të funksionojë në prill të këtij viti, është e saktë se nga 5 shtetet anëtare më të pasura të BE-së asnjëri prej tyre nuk ka vaksinuar tërësisht më shumë se 5 për qind të popullatës, është e saktë se sipas OBSH-së rreth 80 për qind nga të gjitha vaksinat e prodhuara në botë janë shpërndarë vetëm në 10 shtete të botës, por kjo nuk u intereson aspak qytetarëve tanë”, porositi Pendarovski.

Presidenti u bëri thirrje edhe spitaleve private, ta shqyrtojnë mundësinë që të dorëhiqen nga përfitimi, që t’i bëjnë shërbimet e tyre më të disponueshme për të infektuarit nga Covid-19, edhe nëse për këtë nevojitet që ta drejtojnë personelin e tyre shëndetësor në institutet shëndetësore publike.

“Jam i bindur se në vuajtje të mëdha kolektive, nuk duhet asnjë tragjedi familjare ta shfrytëzojmë për përfitim personal”, tha ai.

Presidenti Pendarovski përshëndeti marrëveshjen e djeshme mes kryeministrit Zaev dhe liderit të opozitës maqedonase, Mickoski duke thënë se, shtyrja e regjistrimit nuk do të dëmtojë askënd por, po ashtu tha se pret që të gjendjet zgjidhje edhe për ligjin për nënshtetësi.

“Pres që në takimin që është paralajmëruar për nesër me partitë që kanë propozuar ligjin për nënshtetësi, gjithashtu të arrihet kompromis. Pasi nga njëra anë, nuk është mirë që për një propozim politik nga ana e opozitës të paralizohet komplet Kuvendi, por nuk është mirë as të mos kemi zgjidhje për problemet reale të qytetarëve të cilët jetojnë me vite këtu dhe nuk mund ta rregullojmë qëndrimin e tyre dhe të mos realizojnë të drejtat e tyre. Është fare e parëndësishme se sa njerëz bien në atë kategori”, tha presidenti Pendarovski.

Ai shtoi se duke pasur parasysh rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive, tani për tani nuk ka nevojë për masa shtesë restriktive për parandalim të përhapjes së pandemisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button