Pasi nuk e pranuan në takim, aktivisti Murtezani i dhuroi MASh-it maketë: Të ju rikujtohet premtimi i dhënë!

Pasi ftesa e aktivistit Ramadan Murtezani për takim informues në lidhje me ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël me ministren apo zëvendës ministrin e Arsimit dhe Shkencës hasi në vesh të shurdhër për plot 2 muaj, Murtezani sot para objektit të kësaj ministrie ka dërguar një maketë në formë të shkollës për të ju rikujtuar kompetentëve premtimin e dhënë, shkruan Portalb.mk.

Përmes videos të cilën Ramadan Murtezani e ka regjistruar para objektit të kësaj ministrie, ai potencoi se kjo “dhuratë” do të ndikojë në mënyrë që secilën herë që ministrja dhe zëvendës ministri ta shohin maketin në formë të shkollës, të ju kujtohet se kanë dhënë një premtim konkret.

“Gjatë muajit të kaluar kërkova takim me ministren apo zëvendës ministrin e Arsimit dhe Shkencës në mënyrë që të më informojnë rreth ndërtimit të shkollës në Reçicë të Vogël. Marrë parasysh se ata nuk ndanë kohë për takimin e kërkuar nga unë, sot jam para objektit të kësaj ministrie në mënyrë që të u jap një dhuratë e cila do të jetë si kujtim për ata rreth premtimin të dhënë. Secilën herë që do ta shohin këtë makete do të ju kujtohet se kanë dhënë një premtim, edhe atë hapjen e shkollës fillore në Reçicë të Vogël” tha Ramadan Murtezani, aktivist.

Ftesa për takim e aktivistit Don Murtetani hasi në veshin e shurdhër të ministres Mila Carovska dhe zëvendës ministrit, Arafat Shabani

Me datë 1 shkurt të këtij viti, aktivisti Don Murtezani përmes një video-incizimi dokumentoi momentin kur kërkoi përmes e-mailit takim me ministren apo zëvendësin e saj për tu informuar më gjerësisht në lidhje me ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël.

“Në momentin shkruaj mail deri te ministrja dhe zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës, për të kërkuar takim në të cilin do të më tregojnë se deri ku janë punimet për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël dhe të ju dhuroj diçka e cila do të ju rikujtonte se duhet të përmbushin premtimin e dhënë. Më ndiqni për të parë se a do të përgjigjen” tha Don Murtezani, me datë 1 shkurt.

As ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska dhe as zëvendës ministri, Arafat Shabani, nuk gjetën kohë për tu takuar me aktivistin Don Murtezani, i cili për disa muaj ndjek me kujdes hapat e ndërtimit të shkollës fillore në Reçicë të Vogël.

Shkolla në Reçicë premtohet tash 9 vite, pritet të përfundoje para zgjedhjeve lokale 2021

Shkolla në Reçicë të Vogël e cila premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës gati 9 vite, filloi të ndërtohet 13 ditë para zgjedhjeve parlamentare të këtij viti ndërsa siç thonë autoritetet, parashihet të përfundoje në qershor të vitit 2021. Zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor 2021. Punimet në terren vazhdojnë, ka verifikuar Portalb.mk.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës shprehen “të habitur pozitivisht” për dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, ata premtuan se e njëjta do të përfundoje në qershor të vitit 2021.

“Aktivitetet për ndërtimin e objektit të ri shkollor për nevojat e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël, komuna e Tetovës, po realizohet në mënyrë intensive, gjegjësisht nuk ka ndërprerje, në të kundërtën dinamika e punimeve momentalisht ka tejkaluar planin e paraparë” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Praktika 8 vjeçare thotë se kjo temë hapet gjithmonë para cikleve zgjedhore

  • 2013- Zgjedhjet lokale

Programi i vitit 2013 kandidates të atëhershme për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, parashihte ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël.

Kjo nuk ndodhi.

  • 2017- Zgjedhjet lokale

Meqenëse shkolla e premtuar në vitin 2013 nuk u realizua, kryetarja Arifi të njëjtin premtim e dha edhe gjatë fushatës për zgjedhje lokale të vitit 2017 në debatin “Debat për nime” të organizuar nga Portalb.mk.

Gazetarja Jeta Xharra: Sa herë e keni premtuar ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël?

Teuta Arifi: E kam premtuar një here, aq premton njeriu, jo më shumë.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni përsëri?

Teuta Arifi: Absolutisht po.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni për ta kry shkollën apo për lejet?

Teuta Arifi: Premtoj se do të kryhet, për shkak se buxhetimi nuk do të vije nga Komuna e Tetovës.

  • 2020- (Janar) menjëherë pasi u caktuan zgjedhjet e prillit.

Edhe pse kaluan 3 vite dhe aspak nuk u përmend ndërtimi i kësaj shkolle, disa ditë pasi u sigurua se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin prill, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” publikoi kontratën për ndërtimin e shkollës.

Sipas asaj kontrate, shkolla parashihej të hapej në shtator të vitit 2021. Megjithatë, me anulimin e zgjedhjeve të prillit, për pesë muaj rresht as një fjalë nuk është thënë për ndërtimin e kësaj shkolle.

2020- (Maj) disa ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e qershorit

Menjëherë pasi Portalb.mk informoi se punët për shkollën fillore në Reçicë të Vogël ende nuk kishin filluar, ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” njoftoi se ka nënshkruar vendimin për zjedhjen e kompanisë për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Naim Frashëri”.

“Sot me kënaqësinë më të madhe e nënshkruajta Vendimin për zgjedhjen e Operatorit ekonomik (Kompanisë) me ofertën më të lirë për ndërtimin e objektit të ri shkollorë për nxënësit e SHFK “Naim Frashëri”, të Reçicës Vogël, komuna e Tetovës. Punimet fillojnë së shpejti!” shkruan ministri në Fejsbuk.

Ndryshe, Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button