fbpx

RMV, banorët kërkojnë Mali Sharr të jetë park nacional, Nuredini tregon se kur mund të ndodhë kjo

Pjesa dërmuese e banorëve të rajonit të pollogut, gjegjësisht të Tetovës, Gostivarit dhe fshatrave përreth tyre konsiderojnë se Mali Sharr duhet të shpallet si park nacional, në anketën e realizuar nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë dhe “Miqtë e Sharrit” vërehet rritje e ndërgjegjësimit të popullatës lokale nga fshatrat malore mbi termin zonë e mbrojtur. Ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini, sot theksoi se shpreson që më së voni në muajin qershor të përfundojë ky proces, shkruan Portalb.mk.

Në këtë anketë e cila është realizuar fizikisht, janë anketuar gjithsej 628 banorë të Jegunovcës, Bogovinës, Tearcës, Tetovës, Vrapçishtit dhe Gostivarit. Anketa është realizuar nga IPS.

Për një përqindje të vogël është rritur numri i banorëve përreth sharit që besojnë se Mali Sharr duhet të shpallet park nacional, dëshira e qytetarëve për një gjë të tillë vazhdon të jetë prezentë përkundër faktit se ky proces është zgjatur me vite.

“Pothuajse identike me vitin 2016, rreth 83% e të anketuarve besojnë se Mali Sharr duhet të shpallet park nacional (82,7% në vitin 2021 dhe 83,4% në vitin 2016), sipas anketës së fundit të opinionit publik të kryer në kuadër të projektit të Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë dhe platforma “Miqtë e Sharrit”.

Pjesa më e madhe e të anketuarve janë shprehur se janë të gatshëm që të nënshkruajnë iniciativë për shpalljen e Malit Sharr si park nacional.

“Anketa gjithashtu tregoi gatishmëri të madhe të popullatës lokale për mbështetjen e iniciativës, përkatësisht rreth 80% e të anketuarve thanë se ishin të gatshëm të nënshkruajnë iniciativë për shpalljen e Malit Sharr park nacional, rezultat i paraqitur edhe në vitin 2016. Situata është identike në lidhje me atë se çfarë do të ishin ndryshimet nga shpallja e Malit Sharr park nacional, përkatësisht 86% e të gjithë të anketuarve presin ndryshime pozitive (si në vitin 2016 dhe në vitin 2021)” u prezantua sot nga “Miqtë e Sharrit” dhe SHEM.

Banorët e Gostivarit janë shprehur më optimist se pas shpalljes së Malit Sharr si park nacional, do të përmirësohet jeta e qytetarëve, 19% prej numrit të përgjithshëm të të anketuarve besojnë se jeta do të mbetet e njëjtë.

“Në sondazhin e vitit 2016, 86% e të anketuarve deklaruan se me shpalljen e parkut nacional do të përmirësohet “jeta”, ndërsa 4% thanë se nuk do të përmirësohet, përkatësisht do të mbetet e njëjtë. Këto përqindje janë zvogëluar në vitin 2021 ku 68% e qytetarëve besojnë se “jetesa do të përmirësohet”, përkatësisht madje 19% e tyre besojnë se do të mbetet e njëjtë. Në përgjithësi parë nga të anketuarit, ata që mendojnë se jetesa do të përmirësohet, banorët e komunës së Gostivarit (93% e të gjithë banorëve të komunës së Gostivarit) janë më optimistë, duke pretenduar se jetesa do të përmirësohet” u prezantua sot nga “Miqtë e Sharrit” dhe SHEM.

Për sa i përket burimeve, banorët lokalë vazhdojnë të besojnë se drurët dhe pyjet duhet të përdoren në mënyrë më të qëndrueshme në masivin malor. 50% e të anketuarve deklaruan se drurët, pyjet dhe bimët duhet të ruhen më së shumti, ndërsa kjo përqindje në vitin 2016 ishte 55%. Më shumë se gjysma e popullsisë e di se në parkun e ardhshëm toka mbrohet/përdoret sipas  zonave.

Dy të tretat e të anketuarve besojnë se nuk do të ketë mosmarrëveshje/probleme me krijimin e parkut të ardhshëm nacional, madje 87% janë qytetarë të komunës së Gostivarit. Nga ana tjetër, mosmarrëveshjet/problemet në lidhje me procesin priten më shumë nga të anketuarit nga komuna e Tetovës. Ky është një sinjal se në aspektin e aktiviteteve të ardhshme të fushatës nuk duhet të neglizhohet fakti se ekziston një mospërputhje në aspektin e qëndrimeve të qytetarëve ndaj përfitimeve dhe efektivitetit të procesit në pjesën jugore dhe veriore të Pollogut. Kjo nga ana tjetër tregon që aktivitetet e ardhshme të fushatës duhet të “tailor made”, përkatësisht të përshtatura me rrethanat mbizotëruese në terren, më saktësisht në përputhje me nivelin e vetëdijes dhe qëndrimin e qytetarëve.

Ministri i Ekologjisë shpreson që kjo procedure të përfundojë në maj ndërkaq në qershor të festohet

Prezent në prezantimin e këtyre rezultateve ishte edhe ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini, i cili në mes të tjerash potencoi se gjasat janë të mëdha që në maj të përfundojë ky proces ndërkaq më së voni në qershor, siç tha ai, të festohet.

Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor

“Dëshira është nesër, por në kuvend kemi pasur disa pengesa dhe vonesa. Kam biseduar me kryetarin e kuvendit dhe grupet e ndryshme, besojmë që procesi të fillojë javën e ardhshme, në qoftë se hapet seanca do të futet në rend të ditës. Ne dëshirojmë që në maj të përfundojë ky proces që në qershor së bashku të festojmë, më së voni në qershor” tha ministri Nuredini.

Marrë parasysh faktin se shpallja e Malit Sharr si park nacional është vetëm fillimi i një rruge të gjatë plot me sfida, pas miratimit të propozimit në Kuvend, pason përgatitja e Planit për Menaxhim, me anë të së cilit përveç mbrojtjes së vlerave natyrore të kësaj pasure malore, do të duhet të sigurohet edhe zhvillimi socio-ekonomik i rajonit, ministri u shpreh optimist për këto.

“Në atë kuptim, të dhënat e fituara nga këto analiza që prezantohen sot nga hulumtimi i mendimit të banorëve të të gjitha vendbanimeve në parkun e ardhshëm nacional Mali Sharr, së bashku me studimin socio-ekonomik që ishte përgatitur më parë me mbështetjen e UNEP-it, japin informacion të rëndësishëm dhe janë pikënisje e mirë për përgatitjen e Planit për Menaxhim të Parkut Nacional Mali Sharr, si aktiviteti ynë i radhës. Tani më kemi njohuri se cila pjesë ka nevojë për komunikim më serioz me popullatën, promovim të përfitimeve dhe përcaktimin e aktiviteteve.” Shtoi Nuredini.

Ndryshe, me shpalljen e Malin e Sharrit si park kombëtar, pasuria e madhe natyrore e këtij mali do të mbrohet. Sipas disa kërkimeve shkencore, 1260 specie bimore janë regjistruar në këtë mal, 32 prej të cilave janë endemike. Ky mal ka një jetë të egër të pasur, ndër të cilat, midis gjitarëve të mëdhenj, më tërheqës janë ariu i murrmë, dhia e egër, rrëqebulli dhe ujku. Mali Sharr është i treti në Ballkan për nga numri i liqeneve akullnajore, i cili ka 30, nga të cilët 21 janë të përhershëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button