Opozita shqiptare nuk pranon shtyrje të regjistrimit: Do ta pengojmë shtyrjen përmes badenterit

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nuk do të pranojnë shtyrje të procesit të regjistrimit. Këtë e kanë thënë sot në konferencë për media liderët e dy subjekteve politike, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, të cilët u shprehën decid se, shtyrja e regjistrimit për të cilën u morën vesh dje kryetarët e dy partive maqedonase LSDM dhe VMRO, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, pa pjesëmarrjen e partive politike shqiptare, është e papranueshme, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, u shpreh se para se të votohet ligji, kanë paralajmëruar që të mos ketë regjistrim në kohë pandemi por Qeveria nuk e ka pranuar këtë dhe tani që ky proces ka filluar në diasporë, është e papranueshme që të shtyhet.

“Ne qëndrojmë kategorikisht të vendosur se regjistrimi duhet të vazhdojë. Kemi paralajmëruar para disa muajve se ka pasur rekomandim prej Kombeve të Bashkuara që të mos realizohet regjistrim në kohë pandemie. Por, Qeveria sikurse edhe me gjithë ligjet e tjera ishte kryeneçe dhe nuk deshi ta dëgjojë opozitën dhe tash kur jemi në fazën kur diaspora po regjistrohet, të enjten është një prill dhe duhet të fillojë regjistrimi, është e papranueshme që në një formë të këtillë, në një takim të dy liderëve, për të provuar ta shtyjnë regjistrimin. Po them për të provuar për shkak se ne jemi këtu që mos e lejojmë një gjë të tillë. Ne do të bëjmë çmos, do të përdorim të gjitha mekanizmat tona demokratike në fuqinë tonë politike që regjistrimin të mos e ndalim dhe ky proces të vazhdojë”, deklaroi Gashi.

Ndërkohë, kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, tha se, çfarë do që këto parti politike janë marrë vesh në takimin e djeshëm është e barazvlefshme me zero për opozitën shqiptare dhe se shtyrjen e regjistrimit, do ta pengojnë përmes mekanizmit të badenterit.

“Ka ardhur koha që të bien maskat. Nuk mundet që shqiptarët të trajtohen me telefon dhe të pyeten për qëndrimet e tyre, nuk e di për këtë le të deklarohet zotëri Ahmeti sepse goxha po luhet me të, fatkeqësisht me të dhe gjithë ata shqiptarët që i kanë dhënë votën edhe ato shqiptarë që ua ka vjedh votën dhe e ka vënë në lojë legjitimitetin. Ne qartas po e themi, do ta ndalojmë shtyrjen e regjistrimit me mekanizimin e badenterit të cilën e kemi në dorë. I bëjmë thirrje të gjithë partive parlamentare shqiptare ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm”, tha Sela.

Në lidhje me takimin e nesërm të paralajmëruar mes kryeministrit Zaev dhe opozitës shqiptare, Sela tha se nuk kanë pranuar një ftesë të tillë.

“Sa i përket takimit që është paralajmëruar nëpërmjet mjeteve të informimit janë thjesht debate në studio televizive dhe nëpër media. Në momentin që flasim ne nuk kemi pasur ndonjë ftesë për tu takuar me zotërin Zaev. Komunikimet partiake janë nëpërmjet kryetarëve të partive politike, nëpërmjet koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe ka në disa nivele. Kryetarët e grupeve partiake kanë për obligim që të takohen me kryetarin e Parlamentit, s’kanë punë me kryeministrin e vendit. Në cilësinë e kryetarëve të partive takohen kryetarët e partive, në cilësitë tjera takohen pozicionet përkatëse me njëri tjetrin. Në qoftë se dëshiron takim për të folur për temën të cilën ne e kemi hapur si opozitë shqiptare që është ligji për regjistrim, jemi të gatshëm në çdo moment, s’ka asnjë problem, ndërsa për temat të cilat ai mund të jetë ulur për të diskutuar me Mickoskin, nuk shohë se pse duhet të diskutojë për ato tema, sepse politikisht takimi i djeshëm për ne nuk ka asnjë efekt”, theksoi Sela.

Edhe Gashi u shpreh se janë të gatshëm të marrin pjesë në një takim ku do të diskutohej çështja e nënshtetësisë, por ky takim duhet të jetë i nivelit të liderëve partiake dhe jo të koordinatorëve të grupeve parlamentare.

“Unë dhe Ziadini nuk kemi ftesë zyrtare nga zotëri Zaev që të bëjmë një takim të tillë. Ka pasur paralajmërime, koordinatorit tonë i është paralajmëruar se mbase do të na ftojnë neve apo atë, por edhe dje edhe fakti që s’kemi marrë ftesë ajo fletë për argumentin se qasja e kryeministrit në raport me ligjin për shtetësi për neve është ofenduese. Nëse Zaev dëshiron të flasë për përmbajtje politike të ligjit, duhet të takohet me ne dhe ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe e kemi kërkuar këtë takim moti që sa më shpejtë të mbyllet ky ligj. Nëse ai takohet me koordinatorët e grupeve parlamentare, ajo ka të bëjë me një mënyrë të funksionimit apo labirinteve institucionale, procedurale në Kuvend. Dhe për këtë punë unë mendoj se, e ka ofenduar edhe opozitën shqiptare edhe kryetarin e Parlamentit për shkak se, kryetari i Parlamentit është ai që takohet me koordinatorët dhe merren vesh për procedurat se si zhbllokohet një ligj dhe arrihet deri te mënyra e votimit”, Gashi.

Ndaj konferencës së sotme të opozitës shqiptare, ka reaguar BDI. Nga kjo parti kanë thënë se vendimi për shtyrjen e regjistrimit është i duhur. Sa i përket kundërshtimit të opozitës për këtë vendim, nga partia në pushtet thanë se edhe opozita shqiptare dje ka kërkuar shtyje të këtij procesi.

“Përmes disa amendamenteve të propozuara nga grupi i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kërkuan që procesi i regjistrimit të popullsisë të prolongohet për një afat të caktuar edhe atë në amendament shkruhet nga muaji mars në maj, duke e ndërlidhur të njëjtën me krizën shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19. Të njëjtët, pasi dje u paralajmërua shtyrja e procesit të regjistrimit rezident, sot përmes kryetarëve të tyre, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi kundërshtojnë amendamentin e tyre dhe paralajmërojnë bllokimin e gjithë procesit. Kjo është vetëm një provë më tepër se gdhihen në mëngjes dhe ngrysen në darkë me qëndrime skajshmërisht të kundërta”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Kryeministri, Zoran Zaev dhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski dje u dakorduan dakorduar rreth të gjithave temave të takimit tet-a-tet, ku nuk ishin pjesëmarrëse partitë shqiptare. Përkatësisht, ata arritën marrëveshje për prolongim të regjistrimit të popullsisë, rreth imunizimit të popullatës, zhbllokimit të Kuvendit dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat duhet të miratohen në Kuvend. Zaev tha se partnerët shqiptar të koalicionit i ka konsultuar përmes telefonit, ndërsa Mickoski u shpreh se në këtë moment nevojitet kualitet dhe jo kuantitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button