Tri çështje: Bashkëjetesa, autizmi, pashtëpisia

  • Bashkëjetesa: Në kohën në të cilën jetojmë ka ndryshuar shumë perceptimi apo konceptimi i martesës apo kurorës dhe jetës bashkëshortore krahasuar me të kaluarën. Dikur martesa është kuptuar si bashkësi e përjetshme ndërsa sot si kontratë sociale mes dy personave, si shoqatë, kompani që ekziston përderisa ka interesa bio-fizike, emocionale, ekonomike etj. Pra tani nuk është në epiqendër shenjtëria e saj, krijmi i një foleje të re, i një bashkësie që do të gjeneroje arsyen e ekzistencës së palëve, lumturinë, fëmijët si dhurata më e madhe. Nocioni i bashkëjetesës dita ditës po ia gërryen tokën nën këmbë martesës. Sot të rinjtë mendojnë se janë duke bashkëjetuar, madje edhe nëse zyrtarish janë burrë e grua, dhe shprehen “kur të mos shkojë, mbyllet dosja jonë”. Që është më e keqja krijohen lidhje të çuditshme, me bashkëshort/e në moshë shumë më të madhe, me 2-3 fëmijë e nusja beqare, martesa për letra, të distancës, martesa me të huaj etj. Të rinjtë e kohës aktuale s’kanë nerva të durojnë tjetrin, janë impulsivë, janë aventurierë. Dhe në këtë drejtim ndikojnë edhe mediat, rrjetet sociale. Televizioni përmes filmave të dikurshëm të “dashurive të ndaluara”, seksizimi i jetës së kryeaktorëve përmes ekranit, serialet e sodit me të gjitha ngatërresat marramendëse, rrjetet si facebook dhe instagram në çdo çast mund të lidhin dikë me dikë, mund t’ia ftohin njeriun e jetës dhe t’ia bëjnë simpatik dikë që ia sheh fotografitë për një çast, me të cilin kalon disa minuta duke shkruar. Dhe më në fund, kalohet te verdikti fatal, ndarja, divorci që kanë pasoja rë dhimbshme, si për ata dy, fëmijët, familjet, shoqërinë. Thonë se dashuria nuk njeh kufij dhe barriera. Por ama jeta ka norma, ka rregulla, ka kursin e vet të zhvillimit natyral. Pa besë dhe besatim s’ka martesë të shëndoshë. Martesën s’duhet bërë si dikur as për hatër as si sot për luks e pare, por për ideale.
  • Autizmi: Karantina dhe gjendja e jashtëzakonshme e Covid-19 te fëmijët me autizëm ka shkaktuar pasoja të shumta, ndër të tjera tendosje për shkak të stresit të përjetuar te prindërit dhe rrethi social turbulent. Ka pasur raste të keqtrajtimit të kësaj kategorie si pasojë e zënkave mes bashkëshortëve, e problemeve familjare të nduarta. Mbyllja e çerdheve, shkollave, hapësira e kufizuar fizike, çështjet e ushqimit dhe gjumit edhe më tepër e përkeqësojnë këtë gjendje ngase fëmjët autikë janë mësuar të gjenden në ambiente të caktuara dhe me njerëzit me të cilët kanë bërë shprehi komunikimin. Andaj në këtë kohë krize ata duhet shmangur nga ndjenjat anksioze; me ta duhet biseduar, luajtur, duhet shkruar, shfrytëzuar storiet sociale, me një fjalë duhet qenë më afër që të mos i ndjejnë traumat e pandeminë për të cilën duhet informuar pa shkaktuar te ata panik. Kreativiteti i prindërve dhe komunikimi pozitiv me ta në këtë rast është i vlerës së jashtëzakonshme. Shoqëritë e avancuara kanë mekanizma për çdo segment shoqëror, për çdo kategori njerëzish, përfshirë edhe fëmijët me autizëm të cilët janë pjesë e jona, qenie humane që meritojnë më të mirën, trajtim adekuat dhe përkujdesje permanente.
  • Pashtëpisia: Sipas Balkan Insight Kroacia në vitin 2018 ka pasur 3000 të pastrehë, Serbia për 2017 rreth 20.000 banorë pa shtëpi, ndërsa Bosnja për 2015, 7247, kurse Sllovenia për vitin e njëjtë 2700 syresh. Ky numër që paraqitet në RMV nuk është edhe gjithaq i madh krahasuar me vendet përreth, por ka edhe vende ku shifrat tregojnë 0 të pastrehë si Lichtenshtajni, apo Hong-Kongu (2013) dhe Korea e Jugut (2016) me nga 2 veta në 10.000 banorë. Pra kategoria homeless apo i të pashtëpive është fenomen global, e gjen në çdo cep të botës, madje edhe në Zvicër (3000-8000 për vitin 2016). “Habitat of Humanity” tregon se në vitin 2015 1.6 miliardë njerëz kanë jetuar nën “kulm joadekuat”. Pa strehë dikush është për shkak të dembelizmit, dikush për shkak të zakoneve dhe traditave endacake, dikush tjetër si rrjedhim i mënyrës së jetesës (bohem, endacak), tjetri nga aftësitë e kufizuara, falimentimi financiar etj. Por, shteti social duhet të përkujdeset për çdo qytetar të vetin që të gëzojë një minimum të cilësisë së jetesës, pra të mos mbeten rrugëve, bankinave, sepse gjendja e tillë ka nus produktet apo pasojat e veta, si problemet mentale, shfrytëzimi i drogave, dhuna, format e ndryshme të devijimit etj. Shteti duhet të investojë më tepër në vetëdijësimin e njerëzve në drejtim të rëndësisë së kulmit në mirëqenien sociale. Në këtë drejtim shembull është Finlanda e cila në periudhën 2009-2016 ka arritur t’i ulë shifrat e të pastrehëve për 18 %. Në SHBA, në New Haven është realizuar një projekt me njerëz me histori të problemeve mentale dhe me sfond kriminel, disa nga të cilët kishin përjetuar edhe gjendjen e të qenët pa strehë. Këtyre qytetarëve u qe ofruar kurs katërmujor për të rënë në kontakt me 5 R-të e të qenët qytetar i rregullt (rights/të drejtat, responsibility/përgejgjësitë, roles/rolet, resources/burimet, relationships/marrëdhëniet) dhe rezultatet qenë: rënie për 55% në shfrytëzimin e alkoolit dhe drogës, si dhe cilësi më e mirë e jetesës. Sa i përket realitetit tonë shqiptar ekziston një qasje që jo gjithaq racionale e sektorit civil dhe bamirësisë fetare: ofrohet shtëpia si produkt final, që shpeshherë tejkalon nevojat reale të rastit gjegjës, pa i marrë në konsideratë përmasat e tjera të problemit, perspektivën e individit apo të familjes, mundësitë kreative të tij apo të tyre etj. Në rrafshin shtetëror edhe aty ku ofrohet kulm nuk ka kushte elementare për jetesë, me lagështi, mobilje e stërvjetruar, tepër njerëz në pak metra katrorë etj. Përmes politikave pro-strehë për kategoritë vulnerabile shteti mund të gjenerojë siguri dhe të kursejë para, të formojë qytetari të shëndoshë, ardhmëri më të mirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button