Formulë e vjetër në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë

Entuziazëm këtyre ditëve, për hapjen edhe të një “dere të mbyllur” për shqiptarët, mbi emërimin e një zëvendës drejtori shqiptar në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë publik në Republikën e Maqedonisë së Veriu. Përtej përpjekjes dhe inkurajimit të partisë shqiptare, apo partive shqiptarë në qeverisjen e vendit, për të përmbushur përfaqësimin etnik në organet e sistemit, fatkeqësisht me këto lëvizje anashkalohet entuziazmi i nevojshëm apo mënyra e propaganduar e zgjidhjes së problematikave në sistemin gjyqësor. Gjithmonë në rrethanat kur gjyqësori vuan nga mungesa e profesionalizmit dhe ndershmërisë, dy pika nevralgjike të kritikave të dala nga raportet ndërkombëtare, si parakushte esenciale për procesin e integrimit të vendit në Bashkimim Evropian.

Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë, ashtu si vetë Këshilli gjyqësor, vazhdon të frymojë me formulën e njejtë, gjegjësisht me formulën e vjetër. Mungesa e filtrave të vetingut, logjikshëm, i mban këto institucione në “status quo”, gjendje palëvizshmërie dhe zhgënjimi. Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial, Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë, në aspektin normativ, kanë obligimin e filtrimit dhe kontrollimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem, si dhe ata të cilët do ti bashkangjiten gjyqësorit. Aktualisht, metodologjia me qasjen e kuadrove të drejtësisë vazhdon si në qeverisjet e kaluara, pavarësisht propagandave reformiste.

Filtrat aktuale të drejtësisë janë jofunksional, nuk paraqesin rezultatet e duhura në praktikën gjyqësore, nuk japin drejtësinë e duhur dhe të pritur. Përkundrazi janë mundësi e favorshme për drejtësi selektive interesash, partiake e klanore. Jo rastësisht avancohen kuadro të drejtësisë aktgjykimet e të cilëve janë skandaloze, jashtë çdo parametri ligjor. Vetingu është kthyer në një lojë fjalësh. Mjafton të kesh disa vite përvojë pune dhe një diplomë të njohjes së gjuhëve të huaja, dhe gjithçka tjetër është në rregull. Pavarësisht se me këmbë e duar mund të bësh zhgarravina prej aktgjykimeve. Mjafton kjo që të miratohet çdo emërim dhe avancim kuadrosh në drejtësi. A nuk bënte të njejtën gjë edhe qeveria Gruevski?!

Në kuptim figurativ, organet e lartshënuara të gjyqësorit, janë një veshkë jofunskionale në funksionin e pastrimit të gjakut në organizmin e njeriut. Prandaj kemi këto organe akuze që kemi. Hetohen dhe dënohen vjedhësit e rëndomtë (pabuksit e shoqërisë), nevojtarët, delikuentët e lënë jashtë përkujdesjes shtetërore e mjekësore, ndërsa amnestohen dhe mbrohen oligarkët, figurat e lidhjeve kriminale e politike, montuesit e procesve të ndryshme penale. Andaj, këtë problematikë nuk e zgjidh “shqiptaria” e subjekteve të drejtësisë, apo “veshka shqiptare”, por profesionalizmi, guximi dhe ndershmëria. Veshkë e shëndoshë për një gjak të shëndoshë drejtësie, e cila heton dhe gjykon përtej interesave personale, klanore partiake, etnike apo religjioze. A nuk ishte synimi dhe, nuk e di a ka mbetuar akoma, synimi i partisë më të madhe shqiptare në pushtet, reformimi i gjyqësorit me një model serioz filtrimi?!

Formula e vjetër me gjyqësorin, nuk paraqet dhe praktikisht nuk mund të paraqesë rezultate pozitive, sepse vetë Akademia dhe Këshilli Gjyqësor, kanë qenë dhe mbeten të pafiltruar në mekanizmin e vetingut të drejtësisë. Kuadrot e këtyre organeve aktualisht mund të “filtrohen” vetëm në ndonjë veting partiak, të organeve që kontrollohen nga pushteti ekzekutiv dhe që në shumë raste i shërbejnë po këtij pushteti, ashtu siç është aktualisht edhe Këshilli Gjyqësor. Rëndom, emërimet në fjalë dinë të jenë partiake klanore, anashkaluese e kuadrove të përgatitur, të ndershëm dhe me përvojë, ngase mungon filtrimi serioz i atij vetingut të përfolur dhe propaganduar, por që nuk duket gjëkundi në horizontin gjyqësor. Filtrave të një modeli ndërkombëtar të provuar si i suksesshëm, e jo filtrimeve fiktive, fjalë të mëdha e punë boshe.

Të bësh çdohër të njejtën formulë, dhe të presesh rezultate të ndryshme, është budallallëk” – thoshte Ajnshtajni. Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë është themeluar që në vitin 2006, ndërsa me ndryshimet ligjore të vitit 2013, gjyqtarët dhe prokurorët e shkallës së parë zgjidhen nga radhët e Akademisë. Pyetja normale që shtrohet është se, a ka ndryshuar pozitivisht situata me drejtësinë me këta gjykatës dhe prokurorë të dalë nga akademia për vite radhazi?! A nuk ishte e themeluar kjo Akademi në kohën e qeverisë Gruevski?! A nuk është e njejta metodologji pune e drejtësisë edhe me qeverisjen aktuale. Ku është garanti që këto kuadro të cilët drejtojnë Akademinë apo dalin nga Akademia, nuk zgjidhen mbi baza jo të shëndosha pasurore dhe profesionale dhe nuk dalin në shërbim të interesave të caktuara, qoftë politike apo të lidhjeve më krimin?!

Asgjë nuk ka ndryshuar. I ashtuquajtur veting, kinse veting, që bën aktualisht Ministria e Drejtësisë nëpërmjet Këshillit Gjyqësor, është thjesht larje hesapesh me disa gjykatës dhe prokurorë që janë përfolur në përgjimet e paligjshme që ndiqen me gjuetinë e shtrigave, dmth me dhe për interesa politike të caktuara. Ose me gjyqtarë dhe prokurorë që nuk ju binden interesave ditore politike, dhe vazhdon hakmarrja me avazin e vjetër për të futur në kontroll sa më shumë pushtetin gjyqësor. Në mënyrë selektive shkarkohet ndonjë gjykatës apo prokuror që ka pasur lidhje simpatie me qeverisjet e kaluara, apo për x forcë politike, me arsyen e ndonjë shkeljeje procedurale gjatë gjykimeve, apo vjetërsimi të lëndëve, të cilët mund të jenë të shumta, të shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve, për arsye të numrit të madh të lëndëve, ngarkesës ekstreme të përmbushjes se normës mujore me aktgjykime. Dhe këte duan ta shesin si veting në drejtësi. Përsëri kërkohet të shitet sapuni për djathë.

Me këtë lloj metodologjie në qasjen e problematikës, ne do të jemi dëshmitar që edhe pas shumë viteve, sistemi gjyqësor do të jetë në gjendje të njejtë, ndoshta edhe më të rëndë. Mbajtja dhe avancimi në këto organe të drejtësisë, i qjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët aktgjykimet e plotfuqishme i kanë skandaloze, diametralisht të kundërta me çdo parametër të ligjit material, gjendjes faktike dhe të cilët nuk vendosen para përgjegjësisë dhe që nuk ka një kontroll drejtësisë vlerësimi dhe sanksionimi, është tregues i metodologjisë së vjetër, apo formulës së vjetër. Njëkohësisht, kjo gjendje është penalizuese për ata gjyqtarë e prokurorë të cilët me profesionalizëm, përvojë e ndershmëri, me pagat e tyre të ulëta dhe me punët voluminoze e me përgjegjësi të lartë, presioneve dhe kanosjeve të ndryshme, ushtrojnë çdo ditë, një prej detyrave me kruciale të shoqërisë, detyrën e synimit të ngritjes të shtetit të së drejtës.

“Të bësh çdohër të njejtën formulë, dhe të presesh rezultate të ndryshme, është budallallëk” – Albert Ajnshtajn.

Nga Alpin Ollogu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button