Shqipëri, nisi vaksinimi masiv i popullsisë

Marrja e një sasie të konsiderueshme dozash vaksinash kineze Sinovac i ka dhënë mundësinë autoriteteve shëndetësore të Shqipërisë që të nisin këtë të dielë vaksinimin masiv. Fillimisht procesi do të shtrihet për popullsinë e grupmoshës 70 vjeç. Në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, vaksinimi po kryhet në disa qendra të ngritura pikërisht për këtë qëllim, raporton TV Klan.

Ndërkohë autoritetet kanë menduar që personat mbi 85 vjeç ta kryejnë vaksinën në qendrat shëndetësore. Pjesa tjetër do ta kryejë në çadrat e ngritura në qytet. Si vaksinatorë po shërbejnë edhe infermierët në radhët e Forcave të Armatosura.

Fillimisht personat që do të vaksinohen, regjistrohen. Ata japin të dhënat shëndetësore dhe më pas i drejtohen pikave të vaksinimit. Siç duket nga pamjet, në çadrat e ngritura në kryeqytet ka edhe forca policie që sigurojnë mbarëvajtjen e procesit.

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, tha të shtunën se qytetarët do të lajmërohen nga mjeku i familjes për datën dhe vendin e kryerjes së vaksinimit. Manastirliu u shpreh se sipas planit të vaksinimit, procesi do të vijojë me grupmoshën më të moshuar +85 vjeç, duke u shtrirë në grupmoshën 80+, 75+ dhe 70+.

Në Shqipëri kanë hyrë 4 vaksina të ndryshme. Fillimisht u fut Pfizer falë një marrëveshje të qeverisë me kompaninë. Më vonë erdhën dozat AstraZeneca si pasojë e futjes në mekanizmin Covax. Në vend, kanë arritur edhe dozat ruse, Sputnik V, si dhuratë e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara. Ndërkohë, javën e kaluar u arrit marrëveshja me një distributor turk për marrjen e vaksinave kineze Sinovac.

Që prej fillimit të vaksinimit në Shqipëri janë kryer në total 62,858 doza të vaksinës ndaj COVID19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button