Mbi 6 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë shkuar dje në Serbi, vaksinimi i shtetasve të huaj vazhdon edhe sot

Vazhdon vaksinimi i shtetasve të huaj në panairin e Beogradit dhe në Nish të Serbisë, ndërsa edhe sot numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë shkuar në Beograd për ta marrë vaksinën “AstraZeneca” kundër Covid – 19, shkruan A1on, transmeton Portalb.mk.

Vetëm gjatë ditës së djeshme deri në mesnatë, në vendkalimin kufitar Tabanaoc kanë dalë 6106 shtetas të Maqedonisë së Veriut ndërsa kanë hyrë 6189, kanë informuar nga MPB.

Siç raportohet, shtetasit e vendit që sot janë vaksinuar në Beograd, rrëmujat dhe radhët e pritjes sot janë ulur dukshëm, pasi autoritetet serbe apeluan që të shkojnë për vaksinim vetëm ata persona të cilët paraprakisht kanë pasur termin të caktuar. Dje u është mundësuar të marrin vaksinë në Serbi të gjithë atyre që kanë shprehur interes, përfshirë edhe qytetarët nga Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, madje edhe Italia dhe Gjermani.

Sot nuk u lejohet të marrin vaksinë personat që nuk kanë caktuar termin. Për vaksinim në Serbi mund të paraqiten shtetas të huaj, të cilët në aplikim do të vendosin numër të telefonit të Serbisë.

Personat që vaksinohen fillimisht u përgjigjen disa pyetjeve, përkatësisht a e kanë kaluar Covid – 19, a kanë alergji dhe a kanë ndonjë sëmundje kronike. Procesi zgjatë disa minuta, ndërsa në fund merret vërtetim për vaksinim, me datë të caktuar për marrjen e vaksinës së dytë. Në rastin me “AstraZeneca”, rivaksinimi është pas 3 muajve.

Vaksinimi në Serbi është falas, ndërsa qytetarëve u kërkohet pasaporta si dokument për identifikim personal.

Procesi i vaksinimit me 24 mijë dozat e para të “AstraZeneca” fillon të mërkurën edhe në Maqedoninë e Veriut. Fillimisht do të vaksinohen personat mbi 75 vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button