Reeker: SHBA-ja mbështet të ardhmen e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut të shtunën ka shënuar njëvjetorin e anëtarësimit në Aleancën veri-atlantike me manifestime të ndryshme, duke përfshirë edhe fluturime të ulëta të avionëve të NATO-s mbi qiellin e saj, shkruan REL.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka thënë se me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut është më e sigurt.

“Nëse duhet të përshkruaj me një fjalë ngjarjen e sotme me të cilën ne festojmë anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në NATO – atëherë kjo fjalë është ‘ia dolëm’… Ne patëm sukses sepse anëtarësimi në NATO është kontributi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin tonë. Kjo është garancia më e fortë për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.

Ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Philip Reeker përmes një video-mesazhi ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO.

“Tani së bashku jemi në NATO. Një familje, një të ardhme. Për t’u bërë pjesë e kësaj aleance, Maqedonia Veriore sinjalizoi angazhimin e saj për të kontribuar në sigurinë globale dhe demonstroi efektivitetin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s. Tani që Maqedonia e Veriut ka një vend në tryezë si një anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, ne presim që ju ta përdorni atë për të kontribuar në këtë aleancë”, ka deklaruar Reeker.

Zyrtari i lartë amerikan, Reeker tha se anëtarësimi në NATO do të thotë angazhim ndaj sigurisë globale dhe vlerave dhe se aleatët e NATO-s do të punojnë krah për krah me partnerët e tyre për të promovuar dhe ruajtur sigurinë dhe për të koordinuar përpjekjet strategjike të mbrojtjes.

Reeker tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë vendin për të përdorur zërin e tij në nivelin politik, për të shkëmbyer përvoja dhe për të punuar në frymën e solidaritetit.

Diplomati amerikan nënvizoi se pavarësisht nga sfidat që qëndrojnë përpara, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e saj për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

“Anëtarësimi në BE do të rrisë stabilitetin rajonal dhe lidhjet politike dhe ekonomike me Evropën dhe do të forcojë partneritetin transatlantik. Përpjekjet tuaja dhe diplomacia juaj e guximshme e parë përmes Prespës (v.j, marrëveshja për emrin ndërmjet Shkupit dhe Athinës, e arritur në qytetin e Prespës), së bashku me angazhimin tuaj dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, kontribuojnë në formësimin e të ardhmes së rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Reeker.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button