Një vit pas anëtarësimit në NATO

Në fillim të prillit të vitit 2008 qëndroja në Florida. Si gjithmonë vendi më i preferuar ishte qyteti Clearwater, i vendosur gjeografikisht buzë Gjirit të Meksikës dhe i njohur për turizmin ndërkombëtar dhe klimën tropikale. Miku im zotëri Walter, një qytetarë me prejardhje nga Varshava e Polonisë ishte pronarë i hotelit që ai e drejtonte me dekada. Kishte emigruar në SHBA pas protestave në Poloni (1980), disa vite para se komunizmi të shpërbëhej në Evropën Lindore dhe po të njëjtat shtete të bëheshin anëtare të NATO-s. Një natë përderisa bisedonim rreth problemeve të njëjta që ballafaqoheshin vendet post-komuniste, CNN Europe njoftoi se në Samitin e Bukureshtit, atëherë IRJM-ja tani Maqedonia e Veriut (MV) nuk u pranua përsëri në aleancë, përshkak të vetos greke. Menjëherë pas këtyre lajmeve jo të mira, nxitova t’i lexoja reagimet e mediave në Shkup. Pas 4 prillit rezymeja e përbashkët e raportimit ishte se nuk do të ketë ndonjë anëtarësim të afërt për Shkupin.

Pas zemërimit të thellë të palës qeveritare maqedonase, politika e jashtme e Shkupit u kthye drejt Rusisë duke i bërë pushtetarët të ëndrrojnë se Moska do të ishte partneri i tyre afatgjatë strategjik. Pas një dekade të zbavitjes qeveritare dhe partiake, klima politike e brendshme dhe e jashtme shkonte në favor të ndërrimeve politike në MV. Viti 2017 IRJM-në e gjeti me një qeveri të re e cila bëri disa ndryshime kushtetuese dhe marrëveshje me palën greke duke i hapur vetes derën për në NATO. Pas ratifikimit të Traktatit të Uashingtonit, muaji mars dhe i zymtë i 2020-ës e gjeti MV në NATO. Benifitet e anëtarësimit për një vit ishin të shumta, duke filluar nga stërvitjet, ndihmat në teknologji dhe modernizimi i Armatës së Maqedonisë me armë nga shtetet anëtare të NATO-s. Nuk munguan as ventilatorët e frymëmarrjes për pacientët me sëmundjen ngjitëse të shtrirë në spitalet e vendit. Në përgjithësi si vend dhe qytetarë nuk ka pse të ankohemi se pse jemi anëtare e NATO-s apo pse duhet të ndërtojmë raporte speciale me shtetet fqinjë që e kanë ndihmuar MV që nga pavarësia. Opozita maqedonase ishte kundër ndryshimit të emrit pasi si humbje të madhe e konsiderojnë po këtë ndryshimin të emrit të shtetit që solli anëtarësimin në Aleancë, por duke mos përmendur përfitimet për shtetin e brishtë.

Një vit pas hyrjes në NATO, MV nuk është e njëjta ashtu siç konsiderohej deri në fillim të vitit 2017 kur Rusia ishte e stacionuar mirë në mes të Shkupit me inteligjencën dhe propagandën e vet. Mirëpo, pandemia nxori në pah dobësitë e SHBA-ve dhe të BE-së për tu përballur me Rusinë dhe Kinën në fushën e inteligjencës, dezinformimit dhe të gjeopolitikës së vaksinave.

Vonesa në imunizimin e popullatës së Ballkanit dhe të Maqedonisë së Veriut, po e shpien vendin drejt një cikli historik të përsëritjes së ngjarjeve në Ballkan. Qeveria e MV-së tash nuk ka shumë opsione strategjike në sigurimin e vaksinave. Sistemi “Covax” lëviz ngadalë në shpërndarjen e vaksinave përshkak të rrjetit të kufizuar dhe politikave të shteteve të mëdha në prodhimin e vaksinave dhe sigurimin e tyre. Shqetësuese mbetet hyrja ruse me vaksinën “Sputink-V” dhe “Sinopharm” në MV. Kryeministri Zoran Zaev u shpreh qartë se pas vizitës së Ministrit të Mbrojtjes së Republikës Popullore të Kinës do të qartësohet koha e arritjes së vaksinave kineze. E ndodhur në një “ tenxhere” speciale që vazhdimisht nxehet shpejt, MV përshkak të kufizimeve dhe qeverisjes së dobët po afron aktorë që mund ta ndryshojnë balancën e forcave në vend dhe në rajon.

Delegacioni i lartë kinez nuk e viziton Shkupin për së koti. Gara e vaksinave dhe mungesa e tyre në një atmosferë jo të mirë të konkurrencës ndërkombëtare, po lë vend për shumë llogaritje shtesë që mund të sjellin kokëçarje të reja pas pandemisë. Andaj, ngazëllimi i zyrtarëve të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel duhet parë me kujdes në momentin kur Rusia dhe Kina i kanë vendosur themelet për një Ballkan të ri me tre fuqi dominuese dhe disa të rangut të mesëm siç është Turqia.

Realisht, situata pandemike e MV-së si anëtare e NATO-s është katastrofike dhe qeveria nuk ka opsione tjera të mbrojtjes së popullatës pa një fushatë agresive të imunizimit e cila po mungon dhe kur dihet se kemi humbje njerëzore për çdo në ditë. Dilema strategjike po vazhdon për MV dhe Ballkanin, ashtu si dikur kur shpresat për Evropën u shuan dhe qeveria e atëhershme e Nikolla Gruevskit u drejtua kah Kremlini dhe aleancat tjera ekonomike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button