fbpx

Adis Ismaili, producenti nga Gostivari së shpejti me këngën e tij më të re “Vetmi”

I intervistuar kësaj radhe nga Portalb ishte producenti Adis Ismaili nga qyteti i Gostivarit. Ai theksoi se dashurinë për muzikë e ka shfaqur që i vogël kur vazhdimisht ka zëvendësuar instrumentet muzikore me pajisjet shtëpiake. Më tej, sqaroi për projektin e fundit të publikuar 3 muaj më herët dhe eksperiencat e tij në këtë sferë. Ndërsa, ekskluzivisht për Portalb ai bëri të ditur se ishte duke xhiruar dhe projektin më të ri që mbante titullin “Vetmi” që së shpejti do të publikohet.

Adis Ismaili

Si ka filluar rrugëtimi juaj në sferën e muzikës dhe nga e kuptuat se ju lidh diçka me muzikën?
Talentin dhe dashurinë për muzikë e kam shfaq që në moshë të vegjëlisë, ku në shtëpi zëvendësoja instrumentet muzikore me sendet e shtëpisë, për shkak se unë nuk kam pasur ndonjë familjar muzikant, familja ime është marrë me medicinë. Unë për ta shfaqur atë dashurinë bëja instrumente vet, këndoja, luaja dhe kjo më shtyu që të vazhdoj artin të vazhdoj muzikën në shkollë të mesme dhe në akademinë e arteve.

 

 

Adis Ismaili, producent

Si ka qenë periudha e karantinës për ju dhe sa ka ndikuar në planet e juaja?
Normal karantina na ka nervozuar sadopak gjatë lockdown-it (mbylljes, izolimit) por, unë këtë periudhë e kam shfrytëzuar për të punuar për vete, jam mbyllur në studio kam punuar dhe kam shfrytëzuar kohën maksimalisht. Ndonjëherë më mungonte inspirimi por që dashuria ndonjëherë për punën është më e madhe se gjithçka dhe asgjë nuk mund ta mundi atë. Pra, e pash të arsyeshme që të punoj të krijoj diçka të re, ta shfrytëzoj kohën dhe të mendoj për projektet e ardhshme që do t’i plasoj.

 

 

Adis Ismaili, producent

Projekti juaj i fundit ishte remake i këngës “A thua ëndërr” i grupit Minatori, me një stil ndryshe prej këngës origjinale. Si erdhët deri te përzgjedhja e kësaj kënge, si u realizua dhe si u prit nga njerëzit?
Sa i përket këngës “A thua ëndërr ishe ti” e Minatorit e dimë që është një këngë shqipe e njohur. Ajo u prit shumë mirë nga publiku për shkak se ishte një stil pak më ndryshe se ajo që e dimë ne dhe që e kemi dëgjuar. U prit shumë mirë nga njerëzit dhe e pash që ka nevojë për remake (ribërje) tjera, gjë që më shtyu të bëj edhe disa projekte të tjera të cilat do ti shfaqi gjatë periudhës së ardhshme. Por, ishte një këngë, një remake që me të vërtet bëri bujë  dhe doli diçka interesante, i kënaqur jam.
Sqarim: Kënga remake është kur kënga origjinale përpunohet dhe ribëhet përsëri, shpeshherë në një stil tjetër.

 

Adis Ismaili, producent

A keni në plan ndonjë projekt tjetër në të ardhmen e afërt?
Pikërisht për këtë punë jam këtu në Cyrih, kam ardhur për ta xhiruar klipin e këngës së re, e cila quhet “Vetmi”. Një këngë që është autoriale e imja, që do ta këndoj një këngëtare anonime që s’dua ta zbuloj tash. Sa i përket këngës, është në stilin pak më të qetë por, mendoj se do të jetë një projekt i fuqishëm dhe do të pritet mirë nga publiku. Është një stil i veçantë dhe do të jetë një këngë që do të më identifikoj mua si artist. Besoj se do të dal mirë për shkak se produksioni kinematikë i videos premton shumë edhe kam shpresa se do të jetë diçka shumë e mirë.

Adis Ismaili, producent

Nga të gjitha eksperiencat tua si një producent muzikor, cila ka qenë më e bukura?
Nga të gjitha eksperiencat do të doja ta veçoja momentin kur u zgjova në mëngjes, pasi kisha plasuar këngën e Minatorit dhe kur e pash se kishte arritur diku te 100.000 views (klikime), ishte publikuar nëpër rrjetet sociale, ishte mirëpritur nga publiku, kishte komente shumë të mira edhe ajo më bëri që të zbres menjëherë në studio dhe të punoj për projektin e ardhshëm.

Adis Ismaili, producent

Çfarë këshille do ju jepje të rinjve që ndoshta dëshirojnë të vazhdojnë rrugën drejt muzikës?
Të gjithë e dimë se muzika nuk shkon pa talent por, e dimë se nuk shkon edhe pa punë. Shumica thonë se 1% është talenti ndërsa 99% është puna. Plotësisht pajtohem me këtë dhe jam vërtetuar edhe vet. Të rinjve do t’ju kisha thënë që të punojnë sa më tepër në këtë sferë nëse do të merreshin me muzikë. Të mundohen të nxjerrin nga vetja atë që duan ta shfaqin në publik në mënyrën më të mirë dhe të mundohen që atë talent që e kanë ta zhvillojnë  dhe të korrin sukses.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button