RMV, u hap Shkolla e parë për politika në Qendrën presidenciale për Edukim politik

Sot në zyrën e Presidentit Stevo Pendarovski u hap Shkolla e parë për politika në Qendrën presidenciale për edukim politik, e cila do të fillojë të mbahet nga kjo fundjavë deri në nëntor të këtij viti. Shkolla do të realizohet përmes katër seminareve arsimore me pedagogë dhe trajnerë të shquar nga vendi dhe jashtë vendit. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të avancojnë njohuritë e tyre në tema ku përfshihen çështjet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, politikën e jashtme dhe sigurinë, integrimin në BE, zhvillimin socio-ekonomik dhe politik komunikimi dhe transparenca, kanë informuar nga kabineti i presidentit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski theksoi se pjesëmarrësit në shkollë janë zgjedhur përmes një njoftimi publik, bazuar në interesin e tyre për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore, kualifikimet profesionale dhe arritjet profesionale.

“Jam i bindur se, për të pasur një demokraci të qëndrueshme dhe breza të ardhshëm të demokratëve, duhet të investojmë në arsim që bazohet në vlera demokratike. Pikërisht kjo nevojë më shtyu të filloj një iniciativë të tillë për të cilën sinqerisht shpresoj që në periudhën e ardhshme do të marrë mbështetje më të gjerë shoqërore”, tha Pendarovski, i cili shtoi se është i bindur që pjesëmarrësit në këtë shkollë të parë do të kenë një mundësi, jo vetëm për të përparojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre, por edhe për të lidhur dhe ndërtuar kontakte që do të ndikojnë fuqimisht në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.

Në këtë ngjarje foli edhe profesor Aleksandar Lj. Spasov, kryetar i Këshillit programor të Qendrës presidenciale për edukim politik dhe këshilltar i presidentit për politikë të jashtme, politikë të brendshme dhe çështje kushtetuese. Ai theksoi se Shkolla për politika bashkon pjesëmarrësit me prejardhje dhe të kaluar profesionale të ndryshme, por me qëllim të përbashkët për të ardhmen dhe kjo është dëshira e brezit të ri të qytetarëve tanë për të jetuar në një shtet të qeverisur në mënyrë demokratike.

Në ngjarjen hibride folën edhe përfaqësues të fondacioneve dhe organizatave partnere, pjesë të Këshillit programor të Qendrës presidenciale për edukim politik: Fondacioni “Fridrih Ebert”, Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Fondacioni “MK2025”, Fondacioni “Konrad Adenauer” Fondacioni për Demokraci nga Uestminster dhe Instituti Nacional Demokratik (IND).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button