PËR MIQTË E SHQIPTARËVE

Historia e popullit tonë është histori betejash mbrojtëse të trojeve të trashëguara nga të parët. Duke qenë të veçantë për nga gjuha dhe zakonet e fisme, duke qenë popull i vogël dhe pa vëllezër biologjikë,  si të tjerët përreth nesh, duke qenë të shtrirë në një territor joshës për grabitqarët turlifare, kemi derdhur lumenj gjaku për të qenë të lirë, po dhe kemi humbur pjesë të konsiderueshme tokash dhe jemi tkurrur për nga numri. Në periudha të caktuara na mbuloi lavdia dhe na bëri shembull dinjiteti, po në periudha të tjera qemë buzë zhbërjes së plotë dhe patëm nevojë për dorën e zgjatur të një miku, që s’kishte pretendime pushtuese as të trupit as të shpirtit tonë. Falë atdhedashurisë, zgjuarësisë dhe përpjekjeve të mërgimtarëve tanë, gjatë 100 viteve të fundit këtë mik e gjetëm te presidentët dhe kongresmenët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nga Uodrou Uillsoni e Ruzvelti e gjer te Bill Klintoni dhe Xho Bajdeni.

Meritat më të veçanta për zanafillën e miqësisë shqiptaro-amerikane i takojnë Fan Stilian Nolit. Këtë e mësojmë nga artikulli: “Presidenti Uillson dhe ish presidenti Ruzvelt për Shqipërinë”, të botuar në “The Adriatic Review” në shtator të vitit 1918, që hedh dritë mbi përpjekjet e kryediplomatëve amerikanë për ta shpëtuar Shqipërinë nga tragjeditë që e goditën pas shpalljes së mëvetësisë në nëntorin e vitit 1912, si: Konferenca e Londrës (1913), Traktatiti i fshehtë i Londrës (1915), Marrëveshja e fshehtë greko-italiane (1919) dhe shëmti të tjera të inspiruara nga Traktati i Shën-Stefanit (1878) dhe Konferenca famëkeqe e Berlinit (1878), që mbështetën synimet e pushtimit të Shqipërisë nga fqinjët nëpërka.

Këtu Noli shkruan për takimin me presidentin Uillson gjatë kremtimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA në Monut Vernon, ku shkrimtari ynë mori pjesë si kryetar  i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Ai kërkoi nga presidenti i SHBA të angazhohet për çështjen shqiptare, me ç’rast Uillsoni e dëgjoi me vëmendje dhe i premtoi se do ta ndihmojë me vendosmëri Shqipërinë sa herë që të ketë ajo nevojë dhe se do të jetë një zë i fortë për të drejtat e saj legjitime në Konferencën e ardhme të Paqes. Këtu duhet thënë se, përveç dashamirësisë së shprehur hapur nga presidenti Uillson, Fan Nolin e befasoi dhe informacioni i hollësishëm që ai kishte për telashet me të cilat ballafaqohej Shqipëria dhe për të drejtën e saj për të qenë shtet i lirë dhe sovran.

Në po këtë artikull, Noli shkruan se, në të njëjtën vijë me Uillsonin ishte dhe ish-presidenti Ruzvelt, i cili, me një rast, duke folur për qëllimet amerikane e theksoi edhe pavarësinë e Shqipërisë që duhej të rimëkëmbej nën garancitë e Forcave aleate. Me Ruzveltin Noli pati dhe një intervistë nga e cila e kuptoi se edhe ky ishte i mirëinformuar për çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe problemin e Adriatikut të aspiruar prej grabitqarëve të huaj. Ish presidenti Ruzvelt i foli Nolit edhe për një ngjarje të rëndësishme historike, të ndodhur në kohën kur Shqipëria ishte akoma nën sundimin osman. Sipas Ruzveltit, çështjet territoriale në Ballkan dhe çështja e Adriatikut duhet të rregullohen në pajtim me të drejtat ndërkombëtare dhe se Shqipëria duhet të zotërojë bregdetin e saj që nga Mali i Zi e gjer në Greqi. Këtë premtim Ruzvelti ia përcolli Nolit edhe nëpërmjet një letreje, në të cilën, mes tjerash, shkroi: Pavarësia e Shqipërisë duhet të rivendoset në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe të vihet nën garancinë e Fuqive aleate.  Do të bëj çdo gjë që kam në dorë për përmbushjen e këtij synimi dhe për njohjen e kërkesave të drejta të kombit të lashtë dhe trim shqiptar.

S’do mend se Noli u mrekullua nga mesazhi i ish presidentit amerikan, gjë që kuptohet më së miri nga paragrafi mbyllës i artikullit, në të cilin shkroi: Fakti se dy udhëheqës të mëdhenj amerikanë, si presidenti Uillson dhe koloneli Ruzvelt, qëndrojnë bashkë me simpatinë e tyre ndaj Shqipërisë, është shumë kuptimplotë. Shqiptarët u janë thellësisht mirënjohës këtyre burrave që ecin përpara të tjerëve në mbrojtjen e çështjes së tyre të drejtë.

Mos të harrojmë se miqësia njëshekullore shqiptaro-amerikane erdhi në pah edhe para, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Kështu Xhorxh Bushi (babai), në vitin 1992 i dërgoi një letër Millosheviqit, duke ia bërë të qartë se:  Në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e Serbi…

Pak vite më vonë, kur ushtria serbe nisi krimet monstruoze mbi popullatën shqiptare, presidenti amerikan Bill Klinton e çoi në vend premtimin e pararendësit të vet dhe urdhëroi NATO-n ta bombardojë Serbinë. Klintoni, në dallim nga disa doplomatë evropianë, të cilët gjatë vitit 1999 përkrahën sulmet e NATO-s mbi caqet e ushtrisë gjenocidiste serbe, kurse tani shprehin pendesën e tyre…, vazhdon të mbajë qëndrimin e para 20 viteve lidhur me domosdoshmërinë e ndërprerjes së krimeve në Kosovë. Unë, thotë ai, gjithmonë do të jam krenar me faktin se isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngritet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, nuk ka më vrasje të civilëve të pafajshëm…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button