Kryeministri Rama sërish me thirrje diasporës shqiptare të Maqedonisë së Veriut për t’u regjistruar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një video-mesazhi, u bëri thirrje shqiptarëve të Maqedenisë së Veriut në diasporë që të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave, njofton Portalb.mk.

“Motra dhe vëllezër shqiptarë nga Tetova, Shkupi dhe krejt Maqedonia e Veriut, ju sot duhet të jeni krenar për sa shumë keni arritur në përparimin e drejtave tuaja në shtetin fqinj dhe mik”, tha Rama, duke shtuar se mjafton të shikohet jo shumë larg në kohë se çfarë hapa të mëdhenj kanë hedhur në afirmimin e identitetit dhe dinjitetit shqiptar në këtë vend.

“Sot është një nga ato momente të jetës suaj si qytetarë të Maqedonisë së Veriut ku askush prej jush, asnjë i vetëm kudo qoftë me banim në këtë botë dhe çfarëdo qofshin punët dhe hallet që ka, nuk duhet të mungojë në regjistrimin e ri të popullsisë së shtetit të Maqedonisë së Veriut”, theksoi Rama, për të vazhduar se “nga numri i shqiptarëve të regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut varet fuqia kushtetuese e popullit shqiptar të asaj republike mbi pjesëmarrjen dhe mbi vendimmarrjen e punëve të atij shteti”. tha ai në videon e tij.

 

Kjo është thirrja e dytë e Ramës. E para u bë gjatë takimit të tij me Artan Grubin.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, 148.719 qytetarë e kanë shfrytëzuar mundësinë e vetëregjistrimit në aplikacionin elektronik.

– Procesi i regjistrimit 

Kujtojmë se nga 1 marsi ka filluar procesi i regjistrimit të diplomatëve dhe familjeve të tyre si dhe procesi i vetëregjistrimit të qytetarëve që janë pjesë e diasporës, gjegjësisht ata që janë jashtë vendit, të cilët do të regjistrohen si popullsi jorezidente e vendit.

Nga 1 deri më 15 mars, regjistrohen edhe pesë kategori të tjera të personave dhe këta janë personat që janë në shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vend ose jashtë vendit, personat që janë në paraburgim ose vuajnë dënim me burg në burgje, institucionet ndëshkuese-korrektuese dhe institucionet korrektuese, si dhe personat e pastrehë.

Përndryshe, regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button