Eurodeputetët dhe Nikolla Dimitrov të zhgënjyer nga bllokada bullgare, Aleksandar Jordanov i lumtur nga “dita e mirë”

Pas kryqëzimit të shtizave mes mbështetësve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre të tezave të Bullgarisë për historinë në seancën e mbrëmshme plenare të Parlamentit Evropian, kur u votua për raportin e Maqedonisë së Veriut nga raportuesi, eurodeputeti Ilhan Kyçyk, nga PE kanë shprehur sot sërish zhgënjim nga bllokada bullgare e eurointegrimeve të vendit, transmeton Portalb.mk.

Eurodeputetet Irena Joveva dhe Tineke Strik, si dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe deputetët e Maqedonisë së Veriut, Sonja Mirakovska, Maja Moraçanin dhe Bilall Kasami, kanë shprehur solidarizimin e tyre dhe zhgënjimin nga bllokada bullgare dhe ngecja e eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut.

Eurodeputetja sllove, Irena Joveva e cila në paraqitjen e saj foli në gjuhën maqedonase, në mbledhjen e parë në Komitetit e Përbashkët Parlamentar – Maqedonia e Veriut dhe Bashkimit Evropian, tha se duhet të bëhen ende reforma në vend, por edhe se eurodeputetët janë këtu për të ndihmuar.

“Do të them kohëra të çuditshme, jo vetëm të çuditshme në raport me pandeminë, por të çuditshme ndërsa para së gjithash kohëra të padrejta për shkak të vetos së turpshme të Bullgarisë për fillim të negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut. Nuk do të flas shumë për reformat, të gjithë e dimë se duhet të ndërmerren, para së gjithash mendoj reformat në lidhje me sundimin e së drejtës, të gjithë e dimë edhe për përpjekjet për antikorrupsion. Ne si eurodeputetë jemi këtu që të ndihmojmë në çfarë do mënyre dhe jam e sigurte se flas edhe në emër të shumë kolegëve të mi kur them se më vjen turp kur e shoh gjithë atë që ndodhë me vite në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, tha Joveva.

Solidaritet me qytetarët e Maqedonisë ka shprehur edhe Tineke Strik, eurodeputete e grupit të të gjelbërve.

“Me të vërtetë na vjen keq që duhet të presin para konferencës së parë ndërqeveritar. Fillimit bllokoi Holanda, tani përballemi me bllokadë nga Bullgaria. Ne i kemi lutur shumë herë ta tërheqin veton dhe me të vërtetë shpresoj se pas zgjedhjeve do të mund të mbahet seancë ndërqeveritare”, tha ajo.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, përshëndeti miratimin e raportit për Maqedoninë e Veriut, por ka shprehur keqardhje që nuk kaloi amendamenti i të gjelbërve dhe socialistëve, i cili përmbante kritika për “sjellje të pahijshme dhe provokuese” të autoriteteve bullgare ndaj vendit.

“Për disa ditë janë zgjedhjet në Bullgarinë fqinje. Jemi të përkushtuar fuqishëm në përpjekjet bilaterale dhe të gjitha përpjekjet tjera të gjejmë dalje nga situata dhe të vijmë deri te ajo që Bullgaria t’i bashkëngjitet të tjerëve. Shumëçka është në rrezik, përshirë edhe kredilitetin e BE-së në rajon. Vendi im shënon 20 vjetorin e marrëveshjes për stabilizim dhe asocim dhe 16 vite status të kandidatit”, tha Dimitrov,

Eurodeputeti bullgari nga Partia Evropiane Popullore, Aleksandër Jordanov porositi se votimi i sotëm i amendamenteve është “ditë e mirë”, për raportet evropiano-maqedonase, pasi janë penguar “provokime” ndaj Bullgarisë dhe porositi se ajo duhet të jetë e pranueshme në vend, posaçërisht nga opozita përkatësisht VMRO DPMNE, nëse partia dëshiron të anëtarësohet në PPE.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button