Ruskovska dha detajet e aksionit policor në Gërçec: Janë kapur shitësit ndërsa 5 “bossat” e drogës janë në arrati

Shefja e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska, në konferencën e sotme për media, duke dhënë detaje rreth aksionit të djeshëm në Gërçec, tha se aksioni i madh i MPB-së dhe Prokurorisë është zbuluar, prandaj nuk kanë mundur të gjejnë sasi të madhe të drogës, parave dhe veturave luksoze. Ajo tha se, nga telefonat e konfiskuar të shitësve do të vërtetohet kush ju ka paraqitur që ta fshehin drogën dhe narko-bossat të arratisen, transmeton Portalb.mk.

Ruskovska informoi se dy prokurorë dhe hetues me masa të posaçme hetuese kanë ndjekur në mënyrë të fshehtë, i kanë incizuar, përgjuar mbi 20 persona të rrjetit nga Gërçeci dhe Gazi Baba, për shitje të kokainës dhe lëndëve të tjera narkotike dhe se janë mbledhur dëshmi për të gjithë individualisht, pavarësisht që pas paraqitjes, ata kanë fshehur drogën në vende të sigurta jashtë shtëpive të tyre, para aksionit të djeshëm policor.

“Në fshatin Gërçec janë kryer bastisje në 26 lokacione, janë arrestuar 13 persona, prej të cilëve për 9 persona është caktuar paraburgim, për 3 paraburgim shtëpiak dhe për 1 person masa e kujdesit. Pesë persona nuk janë të kapshëm. Anëtar i grupit ka qenë edhe një i mitur, i cili do të gjykohet veçmas. Gjatë bastisjeve janë marrë mbi 80.000 euro, ndërsa për drogën e gjetur akoma nuk janë të gatshme ekspertizat, por janë gjetur rreth 5 kg marihuanë dhe 600-700 gramë heroinë. Pjesa më e madhe e parave janë gjetur gjatë bastisjeve në Gazi Babë, ndërsa një pjesë shumë e vogël në fshatin Gërçec. Sipas masave të posaçme hetuese të cilat përfundojnë sot për personat që kërkohen, aksioni në fshatin Gërçec është zbuluar. Gjithçka ishte pastruar dhe nuk është gjetur sasi e madhe. Në tre lokacione janë gjetur rreth 100 gramë kokainë”, theksoi Ruskovska.

Ajo shtoi se, pesë persona nga Gërçeci, për të cilët ka dëshmi se janë pronarë të kokainës, përkatësisht janë narko-bosat, momentalisht janë të pakapshëm. Ata janë arratisur kur janë informuar se do të ketë aksion të policisë.

“Pavarësisht të sasisë së vogël, disponojmë me dëshmi të fuqishme. Nga fillimi e kemi ditur se nuk do të gjejmë sasi të mëdha dhe për këtë për çdo kënd gjatë tërë vitit veçmas kemi mbledhur dëshmi. Janë marrë 3 vetura, ndërsa veturat luksoze të udhëheqësve ishin fshehur dhe diku janë gjetur vetëm çelësat”, tha prokurorja Ruskovska.

Prokuroria tani për tani nuk ka informata se kush janë informatorët, pasi narko-bosat tani për tani janë të pakapshëm për organet.

Policia dhe Prokuroria gjatë ditës së djeshme zhvilloi një aksion në Gërçes dhe Gazi Babë, gjatë së cilit u arrestuan 21 persona. Ruskovska paralajmëroi se nga dita e hënë do të realizohet edhe hetim financiar dhe se për momentin nuk ka policë të dyshuar.

Aksioni ka të bëjë me prodhim dhe tregtim ilegal të lëndëve narkotike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button