RMV, deri sot janë regjistruar pothuajse 150.000 mërgimtarë, Mariçiq nga Brukseli i bëri thirrje diasporës për regjistrim masiv

Deri në orën 8 të këtij mëngjesi, përmes ueb-aplikacionit për vetë-regjistrim janë evidentuar 148.719 persona të regjistruar nga diaspora, informoi Enti Shtetëror i Statistikave. Si edhe deri më tani, shumica e emigrantëve të regjistruar nga vendi janë nga Zvicra, Gjermania dhe Italia, ndërsa numri i personave të regjistruar është shumë më i ulët në Australi, Kanada dhe SHBA, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq sot nga Brukseli i bëri thirrje diasporës nga Maqedonia që të regjistrohet masivisht në periudhën deri më 21 prill përmes ueb-aplikacionit të Etit Shtetërore të Statistikave. Ai sot në Bruksel u takua me përfaqësuesit e diasporës, ndërsa u diskutua për regjistrimin që po vijon. Ministri u bëri thirrje të gjithëve që të regjistrohen masivisht, pasi kjo përbën mundësi për përfundim të suksesshëm të operacionit statistikor, i cili është i një rëndësie të madhe për zhvillimin e vendit.

“Bashkatdhetarëve tanë këtu në Belgjikë, iu theksova se përse është i rëndësishëm regjistrimi masiv i diasporës. Duhet të kemi një pasqyrë reale. Më në fund ka mundësi që qytetarët të bëjnë diçka direkt për veten e tyre. Rezultatet e regjistrimit do të jenë udhëzues në krijimin e të gjitha politikave të zhvillimit. Regjistrimi do të mbahet, ndërsa metodologjia dhe mënyra e zbatimit të tij janë sipas standardeve më të larta botërore dhe EUROSTAT”, tha Mariçiq.

Ministri përcolli qëndrimin e Qeverisë se regjistrimi nuk do të shtyhet dhe se do të zhvillohet sipas standardeve më të larta. Në mënyrë shtesë, për shkak të pandemisë, do të respektohen rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive, të cilat i dizenjoi për zbatimin e sigurt të operacionit statistikor.

Përfaqësuesit e diasporës në Belgjikë gjatë bisedës me Mariçiqin u interesuan për atë se si është zhvilluar regjistrimi deri më tani dhe kur mund të priten rezultatet nga i njëjti, informuan nga Ministria e Drejtësisë.

Përndryshe, regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button