Arsimimi është çelësi i suksesit edhe në kohë pandemie

Largësia me shkollën është më e gjatë, se sa ky dimër që e lëmë pas. Pandemia na mbylli, në vatrat tona. Secila shtëpi e mësuesit dhe e nxënësve, në këtë kohë, është shndërruar në shkollë e librari. Librat shkollor, fletoret e punës, lapsat, mjetet e punës mësimore, janë në çdo cep të shtëpisë. Dhe çdo ditë të punës, ne mësuesit hapim ditarin, nga tryeza e shtëpisë. Ndërsa, nxënësit, hapin librat dhe fletoret, mbështetur në tryezën e mësimit apo të hajes, pra në kushtet të jashtzakonshme, në kushte që mbizotërojnë në vatrat e tyre.

Të gjithë ne mësuesit bëjmë përpjekje që të zhvillojmë e përparojmë nxënësit tanë, për të qenë e për t’i bërë ballë sfidave të jetës. Për të qenë shembullor, personalitete të shquara e të devotshëm, për vete, familjen, shoqërinë e vendin. Nxënësit çdo ditë përpiqen që të nxënë mësimin, që ne i informojmë. Ata janë të vëmendshëm, të kujdesshëm, të etur për dije, të guximshëm e të pamposhtur, përballë problemeve të teknologjisë, ku edhe zhvillohet mësimi në distancë (on – line).

Çdo ditë e re, sjell risi për nxënësit, në çdo lëmi që është përcaktuar në planprogramin mësimor të moshës së tyre. Veçantia e çdo dite, të këtyre fëmijëve, që i ndjej aq afër dhe jemi aq larg, është se ata dijnë të falin buzëqeshje, në këtë zymti jete. Dijnë të falin një shikim të zjarrtë, sa mall dhe aq dashuri për mësimdhënësen dhe për arsimin, që ata e duan këtë pasuri të dijes, ashtu siç e duam edhe ne, edhe prindërit, gjyshërit, etj. Fjalë miradije më falin, në çdo orë. Atyre u qesh fytyra, në çdo sukses. U qan fytyra, kur nuk arrijnë të kuptojnë një ekuacion matematikor.

Kur e ndjejnë se nuk transmetojnë emocionin e një vjershe ashtu siç ishte më parë. Kur nuk arrijnë t’ia dërgojnë një lule mësimdhënëses, në ditë të veçanta, me shenjë, të kombit tonë. Këtë ndjesi e kanë çdo ditë, në forma të ndryshme. Si mësimdhënëse në katër dekada, në shkollat e fshatrave, në shi e në borë, në qytet me shkolla të rënuara dhe me shkolla duke vënë dorë për ti riparuar.

Kam kuptuar se, kjo kohë është më e vështirë për të vetmin fakt se, dora ime (e mësueses), nuk prek dorën e njomë të fëmijës, që të ndihmoj të shkruan bukur, shkronjat shqipe, që të vlerësoj me laps, hartimin e tregimit nga jeta e tyre dhe nga tema të caktuara. Siç do ditë edhe këtë ditë Marsi, ata bën rrëfimin e ardhjes së stinës së Pranverës.

Po ashtu në librat shkollor, një tregim (autore, Adelina Mamaqi), nxënësit me admirim e lexuan dhe për të treguar përmbajtjen, e veçanta ishte se ata (përmes kamerave dilte portreti engjëllor i secilit ) morën librin e gjuhës shqipe, e shtrënguan, me dy duart e vogla, dhe e mbështetën në kraharor. M’u bë se ata, në këtë kohë, kanë librin shok më të ngusht, meqë shokët e klasës, secili është brenda në shtëpi, sa nga koha e ligë, aq edhe nga pandemia.

Nxënësit, ashtu me libër në dorë, mbyllën sytë dhe secili rrëfeu përmbajtjen e tregimit. Nuk di nëse shikoja ëndërr, tek zëri i tyre buçiste dhe aq rrjedhshëm dilnin fjalët, m’u bë zemra mal, siç mund ta përjetojë një mësimdhënës. Kuptova se puna e përditshme është frytdhënëse.

Mësimdhënësi, mbase është mësuar t’u del ballë sfidave dhe problemeve arsimore (unë që nga viti 1978), por sot edhe nxënësit janë ata që na ndihmojnë. Si nxënësit ashtu edhe prindërit duhet të na bashkohen në këtë mision, për ta çuar përpara arsimin shqip edhe në kohë pandemie.

Sëbashku do t’ia dalim, që mësimdhënësit të dalin faqebardhë e nxënësit fitimtarë.

Shkruan: Vjollca KËRLUKU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button