Shqipëria siguroi 1 milion vaksina kundër COVID-19

Qeveria e Shqipërisë ka siguruar 1 milion doza vaksinash kineze Sinovac kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas negociatave me një kompani turke të autorizuar për distribuimin e këtyre vaksinave, raporton REL.

Nga kontrata e nënshkruar të enjten në Stamboll mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kompanisë turke “Keymen Ilaç Sanayive Ticaret”, parashikohet që fillimisht të blihen 500 mijë doza, të cilat pritet të dërgohen në Shqipëri gjatë dy muajve të ardhshëm.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në Facebook, i cili bashkë me ministrat Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu, ishte në Stamboll për të nënshkruar marrëveshjen. Rama theksoi se në kthim qeveria do të sigurojë 192 mijë dozat e para, të parapara sipas marrëveshjes.

“Stamboll – Kemi siguruar 1 milion vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysmë milioni doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë”, shkruan Rama.

Prej 11 janarit, kur Shqipëria nisi fushatën e vaksinimit, qeveria ka mundur të importojë 90 mijë doza vaksinash kundër COVID-19, prej së cilave pak më shumë se gjysma (rreth 54 mijë) janë injektuar për stafin mjekësor, të moshuarit dhe arsimtarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button