Personat me nevoja të veçanta para Ministrisë së Kulturës: E kemi fituar projektin në vitin 2020, ende s’na janë lëshuar mjetet

Shoqata e personave me aftësi të kufizuara “SOS VITA”, sot para Ministrisë së Kulturës në shenjë revolte për moslëshimin e 290.000 denarëve për një projekt të cilin e kanë fituar në vitin 2020, mbajtën konferencë për shtyp dhe kërkuan nga kryeministri dhe ministrja që t’i lëshojnë mjetet në afat sa më shkurtër kohor, njofton Portalb.mk.

Ertan Shaqiri
Ertan Shaqiri, foto nga Portalb.mk/Faton Curri

“Është e dyta herë që po vijmë këtu për ta kërkuar një të drejtë që e kemi fituar, s’kemi asnjë përgjigje nga askush. I them ministres Irena se çfarë kulture po tregon kur nuk i respekton personat me nevoja të veçanta. Ne si shoqatë, kemi aplikuar në vitin 2020, projektin e kemi fituar dhe nuk i kemi të hollat ende, dhe për këtë nuk mërzitet askush. Personat me nevoja të veçanta ende mbeten të anashkaluar”, tha kryetari i Shoqatës, Ertan Shaqiri.

Ai e ftoi kryeministrin dhe ministren e Kulturës që sa më shpejtë t’i ndajnë paratë pasi që sipas tij, çështja është vetëm për një nënshkrim.

“I bëj apel kryeministrit Zaev që këtë problem ta zgjidh brenda 24 orëve. Ju bëj apel deputetëve, ministres, kryetarëve të partive, që të bëhet kjo pagesë dhe të mos luajnë personat me nevoja të veçanta. Prej vitit 2020, sot nesër, sot nesër për një nënshkrim, për atë është turp. Kudo që të shkosh në botë, personat me aftësi të kufizuara janë të parët, por ne te ne flenë kryetarët e partive dhe përfaqësuesit qeveritar”, tha Shaqiri.

Ende nuk është zhbllokuar procedura e pagesës së projekteve kulturore në RMV

Përpara një muaji, ministrja e Kulturës, Irena Stefoska në pyetjen e Portalb.mk, në lidhje me ndërprerjen e pagesave për projektet kulturore për vitin 2020 nga ana e Qeverisë, tha se pret që institucionet kompetente ta mbarojnë punën e tyre

“Pasi që institucionet kompetente do ta mbarojnë punën e tyre, ajo është shumë e rëndësishme, pas tyre unë si ministre, por edhe institucionet kompetente do të dorëzojmë informata, pas asaj menjëherë do të nisim me pagesën e të gjitha projektet për të cilat ka bazë ligjore”, tha Stefovska.

Ndërprerjen e pagesave e miratoi Qeveria në fillim të muajit shkurt dhe e udhëzoi Ministrinë e Kulturës që të thërrasë inspektim financiar.

“Qeveria rishikoi dhe miratoi Informacionin mbi detyrimet e përgjithshme të papaguara të Ministrisë së Kulturës për projektet e zgjedhura në Konkurset Vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar në kulturë për vitin 2020 dhe udhëzoi Ministrinë e Kulturës të mos i paguajë fondet për përdoruesit pa përcaktuar bazën ligjore për ato fonde”, thanë nga Qeveria më 9 shkurt.

Qeveria obligoi Ministrinë e Financave, përmes Sektorit për Inspektimin Financiar, të kryejë kontroll në Ministrinë e Kulturës, e cila u obliguar që pas kryerjes së kontrolleve financiare të informojë Qeverinë.

Bëhet fjalë për  projekte nga Programi vjetor për projekte me interes publik në kulturë, i cili u miratua gjatë mandatit të ministrit të mëparshëm të Kulturës Hysni IsmailiIrena Stefoska është ministre e Kulturës që nga 31 gushti i vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button