fbpx

RMV, Ministria e Financave: Nuk është planifikuar rritja e normave të TVSh-së dhe tatimit mbi të ardhurat personale

Ministria e Financave ka reaguar në lidhje raportimet e mediave mbi rritjen e normave të TVSH-së dhe tatimit mbi të ardhurat personale, gjegjësisht për deklaratën e Ministrit të Financave Fatmir Besimi në emisionin “Magazina Ekonomike“, që sipas kësaj ministrie, i referohej rritjes së pjesës që komunat marrin nga mbledhja e TVSH-së dhe tatimit mbi të ardhurat personale, si transfere nga buxheti qendror, dhe jo rritjes së normave të TVSH-së dhe tatimit personal, transmeton Portalb.mk.

“Në drejtim të infomimit të saktë të publikut, theksojmë se nuk është planifikuar të rriten normat e TVSH-së dhe tatimit mbi të ardhurat personale, por pjesa që komunat marrin nga mbledhja e tyre”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Financave.

Ministri i Financave ishte i ftuar në emisionin “Magazina Ekonomike” me temën “Decentralizimi Fiskal“, ku prezantoi reformën për avancimin e decentralizimit fiskal.

“Vetë autori i emisionit “Magazina Ekonomike” Goran Temenugov përmes rrjeteve sociale theksoi: “për shkak të një pasaktësie të vogël të botuar në faqen e internetit të Alsat, ku thuhej se TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat personale do të rriteshin, në publik u krijua konfuzion. Informacioni i referohet rritjes së pjesës që do të marrin komunat nga TVSH-ja e mbledhur dhe tatimit personal, dhe jo rritjes së tatimeve. Pra, përqindja që do të marrin komunat do të rritet, jo tatimi. Unë kërkoj falje për pasaktësinë dhe në të ardhmen do të bëj çmos që të mos përsëris një gabim të tillë… “, thuhet tutje në reagim.

Si pjesë e reformës për të promovuar decentralizimin fiskal, për të cilën Ministri i Financave dhe Ministria e Financave ka informuar më parë publikun, propozohen tre shtylla – përmirësimi i kapacitetit fiskal të komunave, menaxhimi ekonomik dhe llogaridhënia dhe rritja e transparencës.

Shtylla e parë propozon një rritje të pjesës që komunat marrin nga mbledhja e tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe rritje graduale të normës së subvencionit nga TVSH-së së mbledhur, në përputhje me performancën e komunave. Gjegjësisht, është planifikuar të themelohen dy fonde: Fond i Performancës për komunat që tregojnë rezultate pozitive dhe kanë realizim më të lartë të të hyrave të tyre dhe Fond i Barazimit për komunat që kanë të hyra më të ulëta, por ato treguan përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në mbledhjen e të ardhurat e tyre vetanake.

Këto propozime do të paraqiten për diskutim publik me BNJVL-në dhe të gjithë aktorët në mënyrë që kjo reformë të kryhet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button