Marina

Në një realitet të mbushur plot e përplot me zymtësi, kur edhe pranvera vonon të vijë dhe dimri vendos të vazhdojë të qëndrojë edhe disa javë, kur pandemia shënon kulminacion pas kulminacioni dhe kur edhe pas një viti rrotullohemi në qarkun vicioz të saj, njeriu ka shpesh nevojë për një shkëputje që mund ta gjejë tek librat e Carlos Ruiz Zafon. I kisha lexuar të gjitha librat e tij, ato pak libra që jeta e shkurtër ia kishte lejuar t’i shkruajë para se vdekja ta marë padrejtësisht para kohe. Kishte mbetur vetëm “Marina” të cilën e mora rastësisht si dhuratë nga motra ime vetëm pak ditë më parë, pikërisht në kohë për ta përballuar atë zymtësi që shpresoj të jetë e fundit për këtë stinë.

Ashtu si shkruan vetë autori në hyrjen e drejtuar lexuesit të këtij libri, ky roman i shkurtër është një ndër të preferuarit e tij. Kritikët letrarë nuk janë të sigurtë se ku duhet ta klasifikojnë këtë libër, tek letërsia për të rritur të rinj apo tek letërsia për të ritur. Nuk besoj se qëllimi i këtij libri ka qenë ndonjëherë klasifikimi. I madhërishmi Zafon aty përshkruan vijat e holla të rritjes shpirtërore të një njeriu dhe kalimin nga adoleshenca e shkollarit në një të rritur. Ashtu si thot edhe ai në fund të librit, koha që kalon, nuk na bën më të mençur por na bën më frikacakë, ndërsa e vërteta është gjithnjë e sigurtë, larg njerëzve.

Personazhët në librat e Zafonit janë gjithnjë mbresëlënës. Lexuesi nuk i përjeton ata vetëm në saje të pamjes së tyre fizike të përshkruar me mjeshtëri. Lexuesi përjeton atë që përjetojnë personazhet, si ato kryesore ashtu edhe ato epizodike, dhe arrin të shohë në shpirtin e tyre si në një dritare të hapur dhe të ndjejë atë që ndjejnë ata: të ndjejë frikën, dashurinë, zilinë, tmerrin, të ndjejë edhe aromat që ata i ndjejnë, të ndjejë dritën nën të cilën ata funksionojnë, të ndjejë frymën e fundit të cilën e japin. Kjo është vërtet mjeshtëri e madhe e një shkrimtari, të mundet vetëm përmes pak faqesh ta transformojë lexuesin në një realitet krejtësisht tjetër duke prekur tema të mëdha dhe duke u futur në thellësitë e zbulimit të karakterit njerëzor.

Të gjitha librat e Zafonit kanë simbolikë të çuditshme dhe alegori ku shihen shqetësimet lidhur me funksionimin e shtetit, korrupsionin, problemet sociale dhe të mbijetuarit si njeri në kohëra të vështira. “Marina” nuk bën përjashtim. Aty poashtu e shohim luftën mes së mirës dhe së keqes si dhe momentet kyçe të kalimit nga njëra anë në tjetrën. Aty e shohim vijën e hollë që e ndan njeriun nga të qenit bëmirës në shndërrimin e çuditshëm në një monstër. Në të gjitha librat e tij pa përjashtim përshkruhet mjeshtërisht kufiri i vakët i shëndetit mendor dhe rrëshqitja e lehtë në humnerën e ankthit dhe shkëputjes nga realiteti. Në të gjitha librat e tij personazhët luftojnë furrishëm me vdekjen dhe mundohet ta mundin atë. Ashtu siç thotë Marina “Nuk kupton asgjë nga jeta nëse nuk e kupton vdekjen”.

Në të gjitha librat e Zafonit ka varreza. Ndonjëherë aty varrosen njerëz, por ka edhe varreza të librave të harruar. Zafon në faqet e librave të vetë ndalet gjithmonë të përshkruajë rëndësinë e leximit, diturisë, shkencës dhe artit. Nuk ka libër të tij që nuk i referohet muzikës, operës, baletit, pikturës… Nuk ka libër të tij që nuk i referohet mendimit kritik, kurreshtjes për të mësuar më shumë dhe për t’i kuptuar gjërat ashtu siç janë. Duke iu referuar kohës që kalon, plakjes dhe brishtësisë së jetës së njeriut Zafon përmes njërit prej personazheve të këtij libri të vogël do të na bëjë me dije se “Koha bën me trupin atë çka budallallëku bën me shpirtin – e shkatërron.” Dhe ne nuk kemi si të mos pajtohemi me këtë thënie dhe me atë që pason pas saj: “Po të mendonin njerëzit një të katërtën e kohës që flasin, kjo botë do të ishte parajsë”. Të qenit të rrethuar me kotësinë që shfaqet çdo ditë e më shumë në çdo cep të jetës sonë dhe e cila përhapet vetëtimthi përmes rrjeteve sociale dhe portaleve të pakontrolluara, nuk ka se si të mos pajtohemi plotësisht me këto fjalë të fuiqishme të Zafonit.

Zafonin duhet ta lexojnë të gjithë nxënësit dhe të kuptojnë atë që thotë Marina në njërën nga 200 faqet e pakta të këtij libri: “E gjithë gjeografia, trigonometria dhe aritmetika e botës nuk vlejnë asgjë, nëse nuk mëson të mendosh me kokën tënde. Dhe nuk ta mësojnë në asnjë shkollë. Nuk është në program.” Këtë duhet ta lexojnë edhe mësuesit, arsimtarët dhe profesorët për të kuptuar esencën e mësimdhënies e cila tek ne ende nuk mund ta kalojë pragun e transmetimit të fakteve dhe të arrijë tek mësimi i të menduarit kritik. Pa atë mendim kritik vështirë se mund ta bëjmë dallimin mes miteve dhe realitetit. Në fakt mendoj se shumë pak njerëz vërtet duan ta kuptojnë realitetin dhe shumicës prej tyre u pëlqen të jetojnë në mite. Veprimi i arsyeshëm nuk është diçka që e karakterizon njerëzimin në të shumtën e rasteve, edhe pse na pëlqen të mendojmë se jemi qeniet më të përsosura në këtë botë.

“Marina” në pak faqet e saj na jep një vështrim të posaçëm mbi përpjekjen e njeriut për ta mundur vdekjen, këtë përpjekje që njerëzimi e njeh që nga mitologjia antike dhe epi i Gilgameshit, e deri tek projekti i ardhmërisë së njerëzimit për të cilin Harari thotë që në qendër të vëmendjes do ta ketë arritjen e pavdeksisë. Në këtë drejtim, romanet e Zafonit, sado fiktive dhe joreale të duken herë pas here, trajtojnë tema të cilat e mundojnë njerëzimin me mijëra vjet dhe të cilat refuzojnë ta kuptojnë atë që Doktor Shelli e thotë në këtë libër: “Trupi ynë fillon të vdesë në çastin kur lindim. Jemi të brishtë. Krijesa kalimtare. Ajo çka mbetet nga ne janë veprimet, të mirat dhe të këqijat që iu bëjmë të tjerëve.”

Ajo çka mbetet nga njerëzit e mëdhenj si Zafoni, janë librat e tyre nga të cilët mund të mësojnë të gjithë ata që do të vinë pas, përmes të cilave ata e kanë arritur pavdekësinë para se njerëzimi të gjeje zgjidhjen e atij problemi “teknik” që shkenca e njeh si vdekje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button