Shpërndarja e lajmeve të rrejshme rreth regjistrimit, Zenku: Ka mundësi që të jenë të qëllimshme për të krijuar huti

Vetë regjistrimi i diasporës ditëve të fundit është intensifikuar. Sipas të dhënave të sotme të Entit Shtetëror të Statistikës, për në ditë janë regjistruar 7102 shtetas të Maqedonisë së Veriut në diasporë. Mërgimtari, Ilir Zenku i cili jeton në ShBA dhe po ndihmon qytetarët që të vetë regjistrohen, deklaroi për Portalb.mk se me rritjen e sensibilizimit ka më shumë interesim po prapë nuk është në nivelin e duhur, duke pasur parasysh që ky proces nuk është realizuar për 20 vite e kushedi kur do regjistrohemi prapë duhet mobilizim i plotë nga të gjithë, shkruan Portalb.mk.

Megjithatë, me rritjen e numrit të mërgimtarëve të regjistruar, ka filluar edhe propaganda me lajme të rrejshme të cilat po qarkullojnë në rrjete sociale. Zenku nuk e përjashton mundësinë që ato të jenë të qëllimshme, për të krijuar huti.

Ilir Zenku, mërgimtar nga SHBA

“Akoma nuk mund të them që e kemi zbuluar burimin. Mund të jenë ngase ka shumë pak informacion të saktë e të qartë në rrjetat sociale ku algoritmet vendosin çfarë po lexojmë si lajme. Po ka mundësi që të jenë edhe burime të qëllimshme për të krijuar huti mes nesh… nuk e di. Kemi dëshirë të fillojmë të mbledhim çfarë janë këto hezitime e frikë nga regjistrimi që të përballohen me faktet dhe të vërtetën. Unë shpesh i krahasoj me thashethemet dhe hezitimet për vaksinën, kështu që duhen përdorur metodat e njëjta të depërtojë informacioni dhe e vërteta”, deklaroi Zenku për Portalb.mk.

Ai tha aplikacioni i vet regjistrimit ka shumë mangësi, por e vlerëson faktin që në këtë regjistrim të përgjithshëm të popullsisë mundësohet regjistrimi online i diasporës si pjesë e popullsisë. Metodologjia e regjistrimit, sipas tij, reflekton realitetin dhe do mundësojë lidhje edhe më të forta mes diasporës dhe vendlindjes.

“Nga ana teknike pastaj ka shumë pengesa dhe mundësi për përmirësime. Ka shumë barriera teknologjike si dhe barriera gjuhësore. Ka pyetje të paqarta me opsione edhe më të paqarta për përgjigje. Jo secili njeh gjuhën maqedonase edhe aq më pak alfabetin cirilik. Listat shumë të gjata me opsione pafund për fushën e studimeve vetëm do ulin kualitetin e informacionit që po mblidhet. Kemi fat që sapo u hap ky sistemi i regjistrimit filluam të ndihmojmë njëri-tjetrin në rrjetat sociale me këshilla dhe zgjidhje për pengesat teknike. Shumë shpejtë u krijua një rrjet i madh vullnetarësh që po ndihmojnë njëri-tjetrin me procesin e regjistrimit. Në përditësimin e fundit kemi të evidentuar 71 individë dhe organizata që po ndihmojnë në 15 shtete e 3 kontinente. Kemi qenë të detyruar të mësojmë vetë se si funksionon kjo metodë regjistrimi pasi nuk ekziston ndonjë manual i qartë nga enti statistikor. Kemi pasur edhe shumë përkrahje nga punonjës të entit statistikor që ju përgjigjen pyetjeve pothuajse 24 orë në ditë. Unë mendoj që e gjithë kjo do duhej të ishte shumë më mirë e organizuar jo kështu të fillojë regjistrimi po tani i përballuam telashet e para dhe regjistrimet kanë kaluar 130,000 regjistrime deri tani që është një numër i mahnitshëm”, tha ai.

Ai pret që në periudhën vijuese, në rritet numri i regjistruesve, ndërsa informoi se në SHBA po bëhet mobilizim për të ndikuar në rritje të numrit të vet regjistrimit.

“Me iniciativë të PAAC (Pan-Albanian American Congress, Kongresi Pan-Shqiptaro Amerikan) duke filluar këtë fundjavë do mblidhen rregullisht në mbledhje koordinuese shoqata të ndryshme që veprojnë në SHBA. Ky koordinim dhe sensibilizimi i rritur mendoj që do ndikojnë të kemi rritje në regjistrimet në SHBA. Numri i fundit që publikoj Enti Statistikor me vetëm diku 3,000 regjistrime nga SHBA është shumë numër i vogël. Sa për ilustrim, vetëm në një mbrëmje festive në Chicago ku marrin pjesë vetëm shqiptarë me prejardhje nga qyteti im Kërçova ne kemi pasur edhe më shumë se 1,000 pjesëmarrës. Një mbrëmje, një shoqatë nga një qytet. Këtu ka edhe dasma ku mblidhen 1,000 shqiptarë kështu që ky numri 3,000 është sa 3 dasma shqiptare. Numri i shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në SHBA duhet të jetë shumë më i madh dhe kam shumë shpresë se shqiptarët do ju përgjigjen pozitivisht thirrjeve nga vendlindja që të jemi të vetëdijshëm sa i rëndësishëm është ky moment. Kjo mundësi të prezantohet realiteti i përbërjes së popullësisë së përgjithshme të regjistruar nuk duhet humbur. REGJISTROHUNI!”, porositi mërgimtari Ilir Zenku nga ShBA.

Më 1 mars filloi regjistrimi i të punësuarve në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore dhe familjeve të tyre, në diasporë, pjesëtarët e armatës jashtë vendit.

Afati i regjistrimit të diplomatëve dhe familjarëve të tyre ka mbaruar më 15 mars, ndërsa qytetarët e tjerë të diasporës do të mund të regjistrohen deri më 21 prill. Për këtë katoegori të qytetarëve, janë mundësuar dy procese procese paralele – një nëpërmjet vet regjistrimit përmes ueb aplikacionit dhe një nëpërmjet regjistrimit nga familjarët e tyre që jetojnë këtu. Sipas të dhënave të fundit të ESHS, deri më tani përmes ueb aplikoacionit, të dhënat e tyre i kanë dhënë 137,111 shtetas të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në diasporë.

Ndërkohë, për qytetarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në periudhën prej datës 1 deri më 21 prill të vitit 2021. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button