Besa Kaziu, këngëtarja nga Dibra që krijon tekstet dhe meloditë e këngëve të saj (VIDEO)

E intervistuar nga Portalb këngëtarja nga Dibra, Besa Kaziu tregoi se me muzikë ka filluar të merret që e vogël. Sot, ajo ka publikuar dy këngë të saj duke fituar zemrat publikut. Një talent tjetër i saj dhe që e veçon nga shumica është se tekstet dhe vijat melodike të këngëve ajo i krijon vet. Për Portalb ajo theksoi se në planet e saj janë edhe disa këngë të reja në të cilat ende po punon.

Besa Kaziu, këngëtare

Kush është Besa për ata që se njohin?

Për të gjithë ata që nuk më njohin, unë quhem Besa Kaziu jam 20 vjeçe. Kam studiuar për gati 1 vit produksion muzikor, pasi më pëlqen shumë muzika, të shkruaj tekste të këngëve si dhe ta krijoj atë në tërësi. Momentalisht studioj për shkenca kompjuterike dhe kam gjetur bashkimin e teknologjisë në muzikë që dua ta zhvilloj edhe më shumë.

 

 

Besa Kaziu, këngëtare

Kur ke filluar të merresh me muzikë dhe të shkruani tekste këngësh gjithashtu?

Mosha kur kam filluar unë të shkruaj këngë ka qenë periudha 11-12 vjeçare. Atëherë ishte periudha kur unë mësoja kitarën edhe e shikoja se mua më pëlqen shumë të krijoj. D.m.th unë nuk bëja “cover” këngët por, krijoja këngët e mia edhe pse të thjeshta por, me kalimin e kohës fillova të përmirësohem dhe më shumë  profesionalisht në pjesën e muzikës.

 

Besa Kaziu, këngëtare

Vitin e kaluar ke publikuar dy këngë të cilat i ke shkruar vet, si janë pritur këto këngë nga njerëzit, çfarë komentesh ke marrë?

Po, vitin e kaluar unë kam publikuar dy këngët e mia. Fillimisht “Në zemër tjetër” të cilën për herë të parë e këndova në një emision ku takova Bojken Lakon dhe më dha mundësinë që këtë këngë ta zhvilloja më shumë dhe më profesionalisht në pjesën e produksionit ku më ndihmoi studioja e tij “Bulza Entertainment”.  Pastaj unë e publikova këngën time “Kujtime” që e kam shkruar gjatë kohës kur unë studioja produksion, bashkë me ndihmën e profesorëve të mi aty ku studioja dhe kam pasur shumë mbështetje për të dy këngët edhe mendoj që të gjithë po presin që të nxjerrë diçka të re.

 

Besa Kaziu, këngëtare

A është më e lehtë në aspektin financiar të
krijosh këngë kur vetë e bën produksionin, pra tekstin dhe muzikën?

Në njëfarë mënyre mund të themi se e kam pasur më të thjeshtë pasi unë vet e kam kryer produksionin e këngëve por, e kam dërguar pastaj në një studio më profesionale që sigurisht përsëri kërkon financim ose të paktën të kesh njohje me njerëzit e tjerë që të të ndihmojnë. Unë kam pasur fat, mua më kanë ndihmuar si me videoklipe dhe si me pjesën e produksionit. Është vështirë por nuk është e pamundur.

 

Çfarë planesh ka Besa në të ardhmen, a pritet të publikojë këngë të tjera?

Në fakt momentalisht studioj online dhe nuk ndodhem në Tiranë. Për shkak se jam shumë e ngarkuar me fakultetin, mendoj që edhe kjo e bën të vështirë që unë të udhëtoj në Tiranë dhe të merrem me krijimin e këngëve të reja por që ata do të publikohen, ndoshta do të zgjasë më shumë se sa zakonisht por, kam projekte të reja.

 

 

Besa Kaziu, këngëtare

Mesazhi për rininë?

Mesazhi im për rininë dhe që dua të reflektoj te ta është që duhet ta sfidosh veten dhe mos t‘i shikosh tjerët si konkurrencë për shkak se ti e ke konkurrencë veten tënde, për të qenë më i mirë se ishe dje dhe vetëm në këtë mënyrë mund të vlerësosh edhe gjërat më të vogla që ke dhe do jesh i kënaqur me gjithçka që ke. Tregoje veten tënde dhe talentin që ke si dhe puno me veten.

Ndërkaq, më poshtë ju mund të ndiqni intervistën e saj të realizuar me video.

Intervista të tjera të realizuara nga Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button