​​SHQIPTARI IMAGJINAR 

Në vitet e fundit janë botuar disa libra dhe studime për raportet historike shqiptaro – serbe. ​​​​​​​Me këtë temë merret edhe Aleksandar Pavloviqi në librin Shqiptari imagjinar: Simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe (2009).

​​​​Autori e mbron tezën se shqiptarët nuk janë “simbol i armiqësisë shekullore kundër serbëve” dhe se perceptimi serb për ta kishte ndryshuar nga mesi i shekullit XVIII. ​​​​Shkaqet kryesore, sipas autorit, ishin: 1. Laramania religjioze e shqiptarëve (“A janë të njëjtë me turqit apo jo? A janë aleatë apo armiq të serbëve?”) ​​2. Ndryshimet e rrethanave politike në kapërcyell të shekujve dhe pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Sipas autorit, nga mesi i shekullit XVIII dhe deri në mesin e shekullit XIX në kulturën serbe ekzistonte imazhi për shqiptarin si “i krishterë”, “i guximshëm”, “malësor i paepur”, “i ngjashëm me malazezët”. Prej pjesës së dytë të shekullit XIX gjithçka lidhej me Kosovën, kurse autorët serbë e theksonin se shqiptari “ishte mysliman”, “aleat me turqit” dhe “armik i Serbisë”. ​​​​Kultura serbe u fokusua te miti i Kosovës dhe krijoi një botëshikim tjetër për shqiptarët.

​​​Pavloviqi në librin e tij merret me ​ndryshimet e diskursit serb në raport me shqiptarët në disa etapa.

​​​​Në kreun e parë merret me perceptimin pozitiv dhe neutral të serbëve kundrejt shqiptarëve. Kjo sipas autorit kishte ndodhur nga gjysma e shekullit XVIII deri në gjysmën e shekullit XIX, kur shqiptarët paraqiten edhe si “të guximshëm”, “të fisëm”“të çmendur si malazezët, me të cilët bashkëpunonin në luftën kundër turqve”.

​​​​Në kreun e dytë shkruan për periudhën kur Kosova bëhet “simboli qendror kulturor dhe kombëtar” në kulturën serbe.​ ​​​“Epoka kosovare“, me epikën dhe mitologjinë shoqëruese, u konsiderua nga elita serbe si vepër ekskluzive e serbëve edhe pse shqiptarët e kishin narracionin e tyre për këtë epokë. ​​​​Në fillim Kosova bëhet pjesë e diskursit nacional – romantik serb si simbol poetik, ndërkaq më pas si çështje territoriale dhe luftarake. Shqiptarët paraqiten “si aleatë të osmanëve”, “armiq të serbëve” dhe “dhunues”.

​​​​Në kreun e tretë autori merret me imazhin e shqiptarëve nëpër librat shkollorë, që u botuan në shekullin XIX. ​​​​Në librat për filloristët, duke filluar nga viti 1880, shqiptarët paraqiten vetëm në konotacion negativ dhe si armiq të serbëve, megjithëse ka edhe dualizëm, që autori e demonstron me shembuj.

Shqiptarët në librin shkollor të Mihail Joviqit, i cili përdorej ndërmjet viteve 1884 – 1944, paraqiten si “trima”, “luftëtarë të egër”, por edhe si “gjakësorë”, që “serbëve u  shkaktuan më shumë të liga se sa turqit“.

​​​​Në librin shkollor të Millosh Matoviqit, i vitit 1938, botohet tregimi “Çetniku Llazar dhe nëna e tij” (1922), ku shqiptarët paraqiten si urryes të serbëve.

​​​​Në librin e Milorad Vujaniqit, i po të njëjtit vit, u botua rrëfimi “Shqiptarja” nga Mark Milani, ku shqiptarët paraqiten si trima dhe të ndershëm.

​​​​Në kreun e katërt Pavloviqi merret me autorët serbë që e afirmuan armiqësinë e shqiptarëve me serbët gjatë kohës së luftërave ballkanike, por edhe me autorët që kanë shkruar ndryshe, sikurse janë: Dimitrije Tucoviqi, Kosta Novakoviqi dhe Dragisha Vasiqi.

​​​​Në kreun e pestë e analizon diskursin negativ për shqiptarët që u shfaq në prag të luftërave ballkanike. Ishte koha kur shqiptari paraqitej si “aleat i turqve”  dhe si “ardhacak në Kosovë”. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX futet edhe termi “albanizimin” , që shënon antishqiptarizmin.

​​​​Aleksandar Pavloviqi thekson se para viteve ‘70 të shekullit XIX në kulturën serbe shqiptarët paraqiteshin si “të guximshëm” dhe “luftëtarë të mirë”, ndërkaq më pas vetëm si “armiq të serbëve”. Shkaqet e këtij ndryshimi i sheh te disa procese të kohës, sikurse janë: njohja ndërkombëtare e Serbisë dhe pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë veriore; krijimi i lëvizjes kombëtare shqiptare; dobësimi i pushtetit osman në Ballkan dhe veçanërisht përjetimi si traumë i ​​​Kongresit të Berlinit nga ana e serbëve, që konsideronin se Serbia ishte rrethuar nga monarkia austro – hungareze. Intelektualët serbë e “vajtuan këtë fakt dhe e konsideruan si burgim dhe gulçim”. Ndër më të zëshmit ishte ​​​Jovan Cvijiqi. Ai thoshte se serbët ishin bërë “popull i burgosur”, kurse Serbia ishte “vend pothuajse i rrethuar”, prandaj “duhej doemos të frymonte, t’i zgjeronte mushkëritë, të mbijetonte” duke u zgjeruar. Zgjerimi nënkuptonte shtrirjen serbe në territore shqiptare dhe daljen në det. Për realizimin e këtij qëllimi figura e shqiptarit zbehet gjithnjë e më shumë. Në diskursin shkencor, në shtyp dhe arsim, flitet vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe paraqiten si “aleatë të turqve”, “dhunues të pakicës së mbetur serbe në Kosovë”, që “serbëve  u sollën më shumë të këqija se sa turqit” dhe formulime tjera të ngjashme.

Titulli i librit është në analogji me “Ballkanin imagjinar” të Maria Todorovës. Përderisa Todorova merret me stereotipat europiane mbi Ballkanin dhe ballkanasit, Pavloviqi merret me stereotipat për shqiptarët në kulturën serbe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button