RMV, 104 punonjës shëndetësorë janë infektuar me Kovid-19 pas vaksinimit, ekspertët shpjegojnë arsyet

104 punonjës shëndetësorë në Maqedoninë e Veriut kanë rezultuar pozitiv me Kovid-19 pas pranimit të vaksinës kundër këtij virusi, kjo sipas kimistit Egzon Ademi është krejtësisht normale, pasi që sipas tij njeriu nuk krijon mbrojtje imunitare menjëherë pas marrjes së vaksinës sepse organizmit i duhet më së paku dy javë pas dozës së dytë. Mjeku Liridon Disha tashmë është vaksinuar, për Portalb.mk thotë se ndjehet mirë dhe simptomet pas pranimit të vaksinës për të kanë qenë të lehta.

Informatat të cilat Portalb.mk i siguroi përmes Institutit për Shëndet Publik (IShP) tregojnë se 1.53% punonjësve shëndetësorë të cilët janë vaksinuar me një nga vaksinat kundër virusit korona në RMV, janë infektuar pas marrjes së dozës së parë. Informojmë se deri tani në RMV janë vaksinuar gjithsej 6.760 punonjës shëndetësorë.

Nga ky institut potencojnë se mundësitë janë që këta punonjës shëndetësorë të kishin qenë të infektuar para pranimit të vaksinës apo kanë rënë në kontakt me virusin korona pas marrjes së dozës së parë të vaksinës.

“Deri tani gjithsej 104 persona të cilët kanë marrë vaksinën kundër Kovid-19,  janë infektuar pas vaksinimit nga virusi korona. Konsiderohet se këto persona ose kanë qenë në fazën e inkubacionit kur kanë marrë vaksinën apo janë infektuar pas marrjes së dozës së parë” tha Natasha Dimitrievska nga Instituti për Shënedet Publik (IShP).

Dimitrievska thotë se nuk ekzistojnë informacione të sakta për atë se në çfarë gjendje këta persona të vaksinuar dhe pozitiv me Kovid-19 e kanë kaluar sëmundjen, sipas saj, një informacion i tillë është e vështirë për tu nxjerrë.

“Për formën e sëmundjes, nuk mund të jepen të dhëna sepse informatat të cilat i posedojmë sipas anketimeve, nuk janë relevante për gjithë kohëzgjatjen e sëmundjes. Të infektuarit anketohen në fillim të sëmundjes, ndërsa çfarë drejtimi ka marrë sëmundje, se a ka qenë më e rëndë apo e lehtë mund të konkludohet pas analizave të detajuara për pacientë konkret, nga më shumë burime” tha Natasha Dimitrievska nga IShP-ja.

Çfarë thonë ekspertët për infektiminin me SarsKov2 pas pranimit të vaksinës?

Sipas kimistit Egzon Ademi, është shumë e rëndësishme që organizmit ti lihet të paktën dy javë kohë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës kundër virusit korona për të krijuar përgjigje imunitare, sipas tij, është normale infektimi pas vaksinimit në rrethana të caktuara.

Egzon Ademi, kimist.
Egzon Ademi, kimist.

“Me pranimin e një doze apo edhe dy dozave te vaksinës, njeriu nuk krijon mbrojtje imunitare menjëherë pas marrjes. Organizmit i duhet disa ditë që të fillojë të krijoje përgjigje imunitare, te mjaftueshme që të mos infektohet ne rast te ekspozimit ndaj virusit. Kështu, shembull konkret vaksina e Pfizer/BioNTech me marrjen e një doze ne fazat e studimit është treguar 52% efikase. Por, edhe ky efikasitet nuk është i menjëhershëm sepse antikorpet fillojnë te zhvillohen rreth 7 dite pas marrjes se vaksinës dhe arrijnë pikun 2 jave pas dozës se pare. Prandaj është e mundshme që njerëzit që janë vaksinuar, por kane paraqitur simptoma të infektimit pas vaksinimit, janë infektuar disa ditë përpara marrjes se vaksinës deri në 7 dite pas vaksinimit, në periudhën kur nuk janë zhvilluar ende antikorpet për tu mbrojtur” tha për Portalb.mk Egzon Ademi, kimist.

Ademi theksoi rëndësinë e respektimit të masave mbrojtëse nga Kovid-19 edhe pas vaksinimit, sidomos kur nuk ka kaluar një periudhë e caktuar kohore pas marrjes së dozës së dytë. Sipas tij, mundësia për tu infektuar me virusin korona dy-tre javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës është 0,04%.

“Mbrojtja e plotë që garantojnë vaksinat arrihet 2-3 jave pas marrjes se dozës se dyte kur ka 10-fish rritje të titrit te antikorpeve neutralizuese, atëherë kur për vaksinën e Pfizer/BioNTech dhe Moderna efikasiteti është 95%, kurse per AstraZeneca mbi 70%, apo për Johnson&Johnson 66%. Gjatë gjithë kësaj periudhe kur nuk është zhvilluar mbrojtja imune e plotë, personat e vaksinuar duhet të mbrohen sikur duhet të mbrohet një njeri i pa vaksinuar, dhe e konsideroj se ata që janë infektuar, janë infektuar pikërisht gjate periudhës para zhvillimit te antikorpeve ose zhvillimit të pjesshëm që nuk është e mjaftueshme për ta mbrojtur nga infektimi. Prandaj në botë një njeri quhet i vaksinuar 2-jave pas marrjes se dozës së dyte.
Pavarësisht kësaj, asnjëra nga vaksinat nuk është 100% efikase, as për ketë virus as për çdo virus tjetër qe ekziston, prandaj për një numër jashtëzakonisht të vogël statistikisht ekziston mundësia të infektohen edhe pas vaksinimit me dy doza dhe ky numër shkon rreth 0,04% sipas fazave te studimit te vaksinat kundër Kovid-19” tha Ademi.

Kimisti Egzon Ademi gjithashtu potencoi dy fakte të rëndësishme, edhe atë:

  • Një person i infektuar disa ditë para vaksinimit në asnjë rast nuk zhvillon sëmundje të rende, dhe as nuk hospitalizohet sepse gjitha vaksinat garantojnë 100% mbrojtje nga shkalla e rende dhe hospitalizimi, edhe nëse infektohet pas vaksinimit ose ndërmjet kohës kur nuk janë zhvilluar mbrojtja imune e plotë.
  • Vetë vaksina, shikuar nga aspekti shkencor, dhe vërtetimi ne fazat e zhvillimit dhe miliona njerëz të vaksinuar në asnjë rast nuk mund të infektoje apo shkaktojë infektim te njerëzit për arsye se vaksinat vetëm bëjnë njohjen e organizmit te njeriut me Spike proteinën e virusit se SARS-CoV-2 qe nuk është infektuese, dhe njeriu ne baze te kësaj për një periudhe te caktuar zhvillon antikorpe.

Mjeku Liridon Disha nesër do të merr dozën e dytë të vaksinës kundër virusit korona, ai potencoi se pas marrjes së dozës së parë është ndjerë mirë, ka pasur simptome të lehta në vendin ku është aplikuar vaksina.

Liridon Disha, mjek.
Liridon Disha, mjek.

“Vaksina kundër korona virusit të ri është e njëjte ose e ngjashme si vaksinat tjera. Efektet anësore janë individuale dhe ato varen prej mënyrës së reagimit të organizmit të njeriut. Unë personalisht kam ndjerë një dhimbje të lehtë në vendin e aplikimit të vaksinës dhe përveç kësaj nuk kam pas asnjë simptomë tjetër. Por, e përsëris, simptomat janë individuale dhe ato mund të dallojnë nga një person në tjetrin” tha Liridon Disha, mjek.

Ndryshe, 3.000 vaksinat e para nga Rusia në RMV kanë arritur më 7 mars me fluturimin e rregullt të “Air Serbia” nga Beogradi. Deri në fund të këtij muaji pritet që të arrijnë edhe vaksinat nga prodhuesit tjerë: Kineze “Sinofarm”, “AstraZeneka” dhe “Pfizer”. Me dërgesën nga Sputnik V, do të vaksinohen punëtorët shëndetësor. Vaksinimi i tyre filloi, por nuk ishte e mjaftueshme, vaksinat që na i dhuroi Serbia.

Kjo vaksinë, për dallim prej Pfizer, ruhet në temperatura prej -18 deri në -20 gradë celsius.

Nga “Sputnik V” priten të arrijnë gjithsej 200.000 doza. Nga vaksina kineze janë porositur 400.000 vaksina.

Nga ana tjetër nga kompania “Pfizer-Biontech” ka paraparë që gjatë tërë vitit 2021, Maqedonisë së Veriut t’i dërgojë 800.280 doza vaksina.

830.000 vaksina shtesë Maqedonia e Veriut pritet të marrë edhe prej mekanizmit kovaks.

Deri më tani Maqedonia e Veriut nuk ka arritur të finalizojë asnjë prej atyre që është thënë se janë siguruar. Nga të gjitha njoftimet për donacion nga fqinjët, vetëm 11.150 doza të vaksinës Pfizer mbërritën nga Serbia. Bullgaria dhe Greqia, si dhe disa vende evropiane, nuk kanë dhënë ende donacionet e tyre të paralajmëruara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button